Zërat
Arif Krasniqi
Arif
Krasniqi

Nga mbrojtja e mjedisit varet mirëqenia njerëzore dhe cilësia e jetës

Zërat December 12, 2018 - 13:10

Në kohën kur në medie dëgjojmë lajme për suksesin e aksionit “Ta pastrojmë Kosovën”, pasi për dy dekada janë gjuajtur mbeturina në gjithë vendin, tingëllojnë pabesueshëm informatat se në Suedi mungojnë mbeturinat, për ç’arsye ky shtet është i detyruar të importojë mbeturina nga shteti fqinj Norvegjia, e cila largon mbeturinat dhe paguan Suedinë për eksportin e mbeturinave të saja. Me mbeturinat që importon Suedia prodhon energji dhe siguron ngrohje për rreth 800.000 objekte të banimit.

Pavarësisht rezultateve modeste të fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën” kujdesi ndaj mjedisit natyror që na jep të mira materiale, funksione dhe shërbime, nga të cilat varet mirëqenia njerëzore dhe cilësia e jetës, është ende alarmante. Bukuritë natyrore dhe ambienti i Kosovës po shkatërrohen çdo ditë. Deponitë me mbeturina shpesh paraqesin imazhe shqetësuese. Qytetarët e papërgjegjshëm po lënë gjurmë gjithandej. Mbeturina ka kudo, nëpër kodra, parqe, pranë shtëpive, pallateve e shkollave... Nëpër lumenj shihen kafshë dhe peshq të ngordhur, mbeturinat e automobilave dhe plot shishe të plastikës. Ndotja e ajrit në Kosovë është njëri ndër problemet kryesore.

Kosova, sidomos qyteti i Prishtinës, ka shkallë të lartë të ndotjes së ajrit. Shkaktarët kryesorë të ndotjes janë industria, transporti dhe lëndët djegëse e sidomos thëngjilli. Ditë pas dite qytetarët tanë janë duke u ballafaquar me një ndotje të përmasave alarmante. Edhe pse matjet nuk janë reale dhe të sakta nga institucionet tona, përkundër premtimeve të vazhdueshme që bëjnë ato, është për t’u besuar matjeve që bën Ambasada Amerikane, matje të cilat ditë pas ditësh luhaten, por duke marrë në tërësi parametrat e ndotjes nuk kanë tendencë përmirësimi. Qytetarëve me të madhe është duke iu përkeqësuar gjendja shëndetësore, vazhdimisht kërkojnë ndihmë, qoftë në ambulantë ose në spitale. Tani kur jemi në stinën e dimrit burimet e ndotjes janë dukshëm më të mëdha, sepse ka filluar ngrohja në ndërtesa, në shtëpi individuale, në shkolla dhe në institucione të tjera, qofshin ato me thëngjill, dru ose alternativa të tjera.

Natyrisht shpenzimi i energjisë elektrike shënon rritje, ndërsa Korporata e obliguar për sigurimin e saj nuk është në gjendje t’i kënaqë nevojat e qytetarëve. Andaj shënohen reduktime të njëpasnjëshme në shumë pjesë të Kosovës e në veçanti në disa lagje të kryeqytetit. Gjendja atmosferike, fatkeqësisht, po shkon në favor të ndotjes, duke munguar erërat të cilat do ta largonin ndotjen aktuale, mungojnë shirat dhe dëbora. Qarkullimi i automjeteve nuk ka të ndalur, institucionet tona relevante nuk kanë vullnet të ndërmarrin masa, çfarë kërkohet nga një shtet i civilizuar dhe evropian. Ato në vend të ndërmarrjes së masave për zvogëlim ndotjeje nga automjetet e vjetruara përpiqen të miratojnë ligje për importimin e vjetërsirave, të cilat nga vendet e perëndimit janë hedhur jashtë përdorimit.

Toka është mjedisi kryesor mbi rruzullin tokësor ku jetojnë të gjitha gjallesat. Por, në Kosovë kemi plot dukuri, ngjarje, veprime që po prishin veçoritë dhe cilësitë natyrore, duke ndotur tokën dhe duke masakruar pyjet. Nga ndotja e tokës dhe shkatërrimi i pyjeve në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë po preken të gjitha gjallesat dhe ajo po dëmton në përmasa serioze ekosistemin, po rrezikon edhe jetën e njeriut, por edhe të gjallesave të tjera.

Festat e fundvitit janë në prag e sipër. Si zakonisht në Kosovë lejohet importimi, kinse me një sasi më të vogël, i fishekzjarrëve dhe petardëve të llojllojshëm, të cilët në njërën ose në formën tjetër e ndihmojnë ndotjen, qoftë ajo me gërxhoja ose bubullima të tyre, duke u përdorur që nga gjysma e dhjetorit e gjer kah gjysma e janarit.

Do të ishte e domosdoshme që institucionet tona kompetente me kohë të pengojnë importimin, por edhe përdorimin e parakohshëm, si dhe të atyre të moshave jomadhore, nga të cilat përveç shkaktimit të ndotjes rrezikojnë shëndetin e tyre dhe të qytetarëve të tjerë. Dorën në zemër, viteve të fundit, duke i krahasuar me ato të mëhershme, ka tendencë zvogëlimi të importimit dhe përdorimit falë apeleve të shumta të bëra edhe nga partia “Eko Lëvizja e Gjelbër”, (ish-Partia Ekologjike), por edhe nga shoqëria civile, në të cilën rol të veçantë kanë luajtur mediet e shkruara dhe ato elektronike, nga të cilat do të kërkonim që edhe kësaj here të bëjnë punën e tyre si edhe më parë. Shfrytëzimi racional i burimeve natyrore, reduktimi i ndotësve të ajrit, reduktimi i kontaminimit të dheut dhe ujit, ruajtja e diversitetit biologjik/ekologjik përmes mbrojtjes së florës dhe faunës dhe trashëgimisë natyrore nuk është në nivel të duhur.

Reagimet institucionale për shfrytëzimin e burimeve natyrore dhe për mbrojtjen e mjedisit nuk janë adekuate dhe kanë plot dështime, sepse nuk po i zgjidhin problemet në mënyrë të qëndrueshme dhe të bazuar në njohuri.

Institucionet tona relevante, duke veçuar Ministrinë e Planifikimit Hapësinor, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Doganën e Kosovës, Ministrinë e Arsimit e atë të Shëndetësisë, duhet të bëjnë punën e tyre të duhur, por edhe vetë qytetarët të përmbahen nga përdorimi i fishekzjarrëve e mjeteve piroteknike, të bëjnë sjellje të qytetërimit e t’u japim shembuj gjeneratave të ardhshme, duke kultivuar një mirësjellje ndaj përdorimit të tyre dhe përmirësimit të ndotjes në tërësi.

Me rëndësi është që Kosova të përafrojë legjislacionin ekzistues me atë të Bashkimit Evropian, t’i zbatojë dhe t’i imponojë si duhet ato.

“Eko Lëvizja e Gjelbër” kujdes të veçantë do t’i kushtojë edukimit dhe ngritjes së kapaciteteve për mbrojtjen e mjedisit natyror, sepse ajo na jep të mira materiale, funksione dhe shërbime, nga të cilat varet mirëqenia njerëzore dhe cilësia e jetës.

Autori është kryetar i partisë “Eko Lëvizja e Gjelbër” (ish-Partia Ekologjike e Kosovës)

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK