Zërat
Zuhdi Hajzeri
Zuhdi
Hajzeri

Mirë që i kthyet nga Siria, por këtu i presin libra të autorëve terroristë

Zërat April 23, 2019 - 16:51
Lexo tjera detaje

Thirrje publike: BIK-ut, MPB-së dhe MD-së, Prokurorisë dhe organeve të sigurisë,

Secila nga këto institucione duhet dhe besoj se janë të kyçura në atë se si do të veprohet, si do të trajtohen, çka do të bëhet dhe do të veprohet me ata që u kthyen këto ditë nga Siria, porse terreni këtu nuk po duket se është, ose mund të jetë shumë i përshtatshëm që ata t’i braktisin idetë dhe ideologjinë, e cila i ka shtyrë dhe i ka dërguar deri në Siri dhe të futen në gojën e ujkut. Ideologjia është ajo që i ka mashtruar, porse dikush e ka sjellë atë ideologji këtu, dikush e ka ujitur atë ideologji, dikush e ka përkrahur atë ideologji, dikush e ka financuar, dikush e ka shpjeguar dhe dikush ia ka ofruar këtij populli.

Institucione të nderuara të lartpërmendura, në Kosovën tonë të dashur vitin e fundit ose muajt e fundit janë përkthyer dhe janë shpërndarë falas libra dhe ide të një autori terrorist të rrezikshëm, së paku për një libër po dihet hapur e për të tjera që ende nuk i ka shikuar dhe nuk i ka analizuar askush nuk po dihet dhe nuk po bëhet hetim në atë drejtim, sepse mund të jenë shumë.

Institucioni fetar duhet ta analizojë dhe të marrë masa të menjëhershme dhe të rrepta ndaj atij që ka mundësuar përkthimin e librit të një autori terrorist dhe ka mundësuar shpërndarjen falas në 15 mijë kopje, autori nxitës dhe financues i terrorizmit, sepse përkthyesi është pjesë e institucionit fetar (BIK), prandaj ndihma më e madhe ndaj atyre që u kthyen dhe të tjerëve me ato ide është që BIK-u në aspektin fetar ta pastrojë terrenin në Kosovë, sepse nëse ata janë kthyer nga terrori në Siri dhe kanë ardhur këtu në një atmosferë dhe terren të mbushur me libra të autorëve terroristë është shkatërrim i tyre dhe shkatërrim i vendit, sepse atyre ua lehtëson të vazhdojnë në ideologjinë që i ka dërguar atje. Prandaj terrenin po e gjejnë të minuar ata që u kthyen, sepse tani ata thuajse të gjithë e njohin edhe gjuhën arabe dhe këto libra të autorëve terroristë i drejtojnë t’i lexojnë edhe librat tjerë të autorit terrorist të librit “70 çështje rreth agjërimit dhe rregullat e agjërimit”.

I nderuar institucion fetar, bëjeni punën tuaj shumë shpejt dhe rreptë, sepse tani është koha dhe ndihma më e madhe është kjo, duke e pastruar institucionin nga ai/ata që po e minojnë dhe e kanë minuar terrenin me libra të autorëve terroristë e të cilët duken se nuk janë penduar dhe jo vetëm kaq, por edhe kanë vazhduar si në rastin konkret e keni me librin e autorit Muhamed Salih el Munxhid, e përkthyes e keni njeriun me pozitë në BIK (kryeimami i Pejës Enes Goga).

Në këtë aspekt Ministria e Punëve të Brendshme duhet të angazhohet shumë seriozisht që përmes Ministrisë së Drejtësisë dhe Prokurorisë të fillohet hulumtimi, hetimi dhe analizimi i librave të ndryshëm, të ligjërimeve të ndryshme dhe të gjitha ato që nuk janë në përputhje me idetë, me mendimet dhe me ideologjinë e institucionit fetar legjitim - BIK, atëherë përkthyesit servuesit, ndihmësit, financuesit e deri te ata që i shpërndajnë të ndalohen ato libra e ato ligjërime, të ndalohen dhe të hetohen autorët ose përkthyesit e atyre librave dhe të gjithë ata që janë në ndonjë formë pjesëmarrës në ato libra.

Kjo është ndihma më e madhe në këtë kohë dhe më afatgjata, sepse këto libra e ligjërime ua mundësojnë të radikalizuarve dhe atyre që u kthyen nga Siria të vazhdojnë me idetë dhe me ideologjinë e tyre. Terreni duhet të pastrohet që planet dhe programet tjera në të ardhmen të kenë sukses, sepse të gjitha planet tjera janë të minuara nëse ky pastrim nuk realizohet, sepse ata fëmijë që do të shkojnë në shkolla nesër në duart e tyre do t’i keni këto libra me ide dhe me ideologji të kundërta me BIK-un, ata fëmijë do t’i dërgojnë ato libra te nënat e tyre ose e kundërta.

Këtu po flasim për 15 mijë kopje të vetëm një libri e nëse zgjerohemi edhe në libra të tjerë shifrat dalin tmerruese. Hetojini prej nga ato financa, hetojini a kanë përfituar dhe nëse kanë përfituar çfarë kanë përfituar nga këto përkthime?

Vendosni rregulla dhe standarde në lidhje me ligjërimet dhe me përkthimet e botimet e librave fetarë, që janë në kundërshtim me islamin e praktikuar dhe të shpjeguar nga BIK-u. Vendosni rregull në këtë pikë edhe me shtëpitë botuese duke i kontaktuar dhe duke biseduar që edhe nëse tentohet të fshihet ndonjë botim ata të jenë që ta nderojnë vendin duke njoftuar institucionet e sigurisë, duke i motivuar se kjo është ndihmë ndaj vendit dhe ndaj sigurisë së vendit e të atdheut. Kjo është ruajtje e jetës së banorëve të Kosovës dhe punë e cila bën që fëmijët tanë të jetojnë të qetë.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK