Zërat
Genc Xërxa
Genc
Xërxa

Koncepti i burkas, si duhet parë nga perspektiva kosovare!

Zërat April 26, 2019 - 15:03
Lexoni detajet

Burka dhe koncepti i saj duhet të shikohet nga disa rrafshe, dimenzione të ndryshme në shoqëri për të arritur në gjykimin e drejtë mbi të. Nëse shikohet nga aspekti i të ushtruarit elementar dhe human mbi shprehjen e lirë dhe të drejtave të njeriut sikurse ato fetare, atëherë sikurse liritë tjera të stilit të jetës, preferencave, qëndrimeve, të drejtën e shprehjes dhe aparencës në publik etj; i bie që nga ky këndvështrim çdo individ të mund t’a ushtroj të drejtën e tillë duke mos u bërë pre e paragjykimeve apo afirmimeve selektive mbi këto koncepte të së drejtës.

Pra, nga këto pikëpamje nëse dëshirojmë të bëhemi të drejtë, është më se e lejueshme shfrytëzimi i të drejtës së tillë duke u mbështetur mbi bindjet fetare të individit se si ai/ajo dëshiron të duket duke qenë pjesë e një kodi social apo qëndrimit social komunikues me sistemin e vlerave në raport me filozofinë e vet jetësore të përzgjedhjes, pa ra ndesh me liritë dhe drejtat e palës tjetër, apo pa qenë pjesë e imponimit direkt nga faktorë tjerë me tendencë dukë u bërë pastaj pre e diskriminimit gjinor.

Por shikuar nga koncepti i sistemit të vlerave në shoqërinë tonë, mendësisë dhe qëndrimeve mbi kultin dhe masën tërësore socio-kulturore konceptuale, atëherë burka na del që aspak nuk na shkon për shtati me qëndrimet dhe komunikimin në kontestin e zhvillimeve të sotshme bazuar në traditë kulturë dhe sistem të vlerave të trashëguar me gjenerata. Pra, identifikimi dhe vetëdija e masës së gjerë asnjëherë nuk ka frymuar me pikëpamje të tilla, raste të tilla janë parë si të izoluara dhe pa një përkrahje të gjerë në sy të shoqërisë. Shumicën e rasteve ka ra ndesh me gjitha qëndrimet dhe ideologjitë konceptuale mbi vlerat, traditën dhe konceptin mbi fenë ushtruar në këto treva, është parë më shumë si një zgjatje (devijim interpretues) sektar i qëndrimeve ndoshta më rigide, radikale nga disa dogma fetare.

Asnjëherë nuk duhet harruar edhe konceptin e sigurisë mbi cilat përmasa mbajtja e burkas dhe keqpërdorimi i saj, i lajthitur nga ideologji apo ekstreme të skajshme sektare fetare, mund të shihet si akt potencial i rrezikshëm në sfera të ndryshme publike duke u shfrytëzuar më shumë si mburojë apo kamuflim në aksione të ndryshme terroriste dhe pengesë për verifikimin e identitetit ndër burken apo “mburojën”.

Pra nga aspekti human i bazuar në drejtën e shprehjes mendoj se është më se i lejueshëm nëse nuk arrin asnjëherë të keq-përdorët apo politizohet për qëllime dashakeqe në tentim që nëpërmes ideologjive të tilla sektare ekstreme të ndikoj në një lloj inkulturimi, rrëshqitje apo hamendje identitare mbi masën e gjerë sociale, ose ose në variantin më të keq mjet për vepra kriminale (rasti në Dubai vjedhja nga disa burra të veshur në burka) apo kamuflimi identitar mbi premisat e krijimit të parakushteve për rrezikshmërinë publike.

Disa shtete kanë ndërmarrë masa mbi këtë koncept veshje dhe kanë bërë ndalesë bartjen e burkas në vendet publike sikurse në (Austri, Danimark, France, Belgjike, Taxhikistan, Latvi, Bullgaria, Kamerun, Xhad, Congo-Brazavill, Gabon, Holande, Kinë dhe Moroko.

Ndërsa në Australi ka qenë temë diskutimi mbi lejimin e mbajtjës së saj në senatin australian nga një antare e parlamentit.Ashtu që gjykimi duhet të merret nga rrafshe të ndryshme mbi rrethanat ekzistuese dhe kërkesat identitare dhe ato socio-komunikuese të shoqërisë mbi vlerat reprezentuese në kontekstin aktual, duke mos harruar asnjëherë aspektin e sigurisë publike.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK