Zërat
Nand Shani
Nand
Shani

Një vit arsimi më shumë rrit të ardhurat me 9 për qind

Zërat April 27, 2019 - 11:50
Lexo tjera detaje

Në Ballkanin Perëndimor, një e punësuar mesatare humb më shumë se 30 vjet të jetës së saj produktive si pasojë e papunësisë apo pasivitetit
 
Në ditët tona, 1 majin e lidhim me dy ditë festë dhe një pushim të shkurtër por të merituar, piknik me miq e familje, ekskursione në vende të njohura pranë nesh, etj. Shumë pak kujtojnë origjinën e kësaj dite dhe ngjarjen e njohur tashmë si çështja apo masakra e Haymarket, që ndodhi në vitin 1886 dhe gjatë së cilës më shumë se 300.000 punëtorë në Shtetet e Bashkuara u larguan nga vendi i tyre i punës Ditën e parë të Majit të shënuar në histori, ku shumë vetë humbën jetën, por që i dha shtysë në të gjithë botën lëvizjeve sindikaliste, të cilat kërkuan të drejtat e punëtorëve dhe vendosjen me ligj të ditës së punës 8 orëshe.
 
Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve ose e Punës është tashmë një festë ndërkombëtare e shënuar në të gjithë botën, në nderim të përpjekjeve të punëtorëve dhe sindikatave të punës. Mbështetësit e të drejtave të punëtorëve e përdorin këtë mundësi çdo vit për të kërkuar më shumë drejtësi, kushte më të mira pune dhe përfshirje. 
 
Këto të drejta, të paguara me gjak nga shumë punëtorë, dhe që tashmë janë pjesë e Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, e cila është miratuar dhe ka hyrë në fuqi gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në vitin 1948, janë vendosur dhe njihen në të gjithë botën, si dhe për ne në Ballkanin Perëndimor. 
 
Megjithatë, ende në Ballkanin Perëndimor në zemër të Evropës, ne përballemi me papunësinë, punësimin joformal, pagat e ulëta, rrezikun e lartë për varfëri, etj.
 
Punësimi është i vetmi faktori më i rëndësishëm që mund t’i nxjerrë njerëzit nga varfëria. Lajmi i mirë është që më në fund,pas një dhjetëvjeçari krize ekonomike, varfëria në rajon është në rënie, kryesisht falë hapjes së vendeve të reja të punës. Por lajmi i keq është se varfëria është ende në nivele të larta. Sipas Bankës Botërore, në vitin 2018, shkalla mesatare e varfërisë në Shqipëri, Malin e Zi, Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Serbi kishte pësuar ulje prej 1 pikë përqindjeje vit pas viti, duke sjellë kështu një shkallë të përllogaritur të varfërisë rajonale prej 21,6 përqind. Megjithatë, shkalla e varfërisë për ata që janë të punësuar, nuk është në nivele të papërfillshme. Për shembull, ajo arrin në 9% në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe 11,9% në Serbi, duke treguar për një numër të madh vendesh pune me paga të ulëta.
 
Shkalla e varfërisë në 5,5 USD/ditë PPP (për qind e popullatës), vlerësimet e vitit 2018

Viti
Shqipëria
Serbia
Mali i Zi
Republika e Maqedonisë së Veriut
2012
47,5
14,5 (në 2013)
19,2
19,2
2017
35,9
22,4
4,4
21,0
2018, vlerësim
35,2
21,7
4,8
20,7
Të dhënat: Banka Botërore
 
Nga njëra anë, rajoni tregon shenja pozitive për sa i përket prirjeve të punësimit, sepse që prej vitit 2012 në Ballkanin Perëndimor janë krijuar më shumë se 700.000 vende të reja pune; 48% e këtyre vendeve janë plotësuar me gra, por vetëm 4,3% prej tyre me të rinj nën moshën 24 vjeçare. Në të gjashta ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, më shumë se një e pesta e të rinjve (grupmosha 15-24 vjeç) nuk janë të angazhuar në punësim, arsim, apo formim. Kjo përqindje luhatet nga 24-26% në Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Kosovë* deri në 17% në Malin e Zi dhe Serbi.
 
Pavarësisht prirjeve kryesisht pozitive të punësimit, është alarmante që vetëm gjysma e individëve në moshë pune në Ballkanin Perëndimor janë të punësuar. Papunësia është e lartë (rreth 17%), ndërsa pasiviteti është edhe më i lartë (38%).
 
Humbje të konsiderueshme në vite pune shkaktohen edhe nga mangësitë strukturore të tregut të punës. Sipas Bankës Botërore, punonjësja dhe punonjësi mesatar në Ballkanin Perëndimor humbasin përkatësisht më shumë se 30 vjet dhe më shumë se 20 vjet nga jeta e tyre produktive për shkak të papunësisë apo pasivitetit. Dhe kjo është e konsiderueshme kur kemi parasysh se jeta produktive për disa prej nesh është gjithsej 40 vjet. 
 
Theodore Roosevelt ka thënë “Vetëm me punë e përpjekje të dhimbshme, me energji fuqiplotë dhe kurajë këmbëngulëse arrijmë gjëra të mira.” Por ne si shoqëri, si rajon, duhet të bëjmë më shumë dhe të veprojmë më shpejt për të transformuar këto shifra dhe për të arritur progres dhe rritje.  

Për ta mbyllur me arsimin si një nga parashikuesit më të mirë të ecurisë së dikujt në tregun e punës, bazuar në një studim botëror të Psacharopoulos dhe Patrinos në vitin 2018, një vit më shumë arsim, rrit të ardhurat me 9 për qind! Përfitimet janë edhe më tëlarta për gratë dhe në vende me të ardhura të ulëta, duke treguar përsëri që arsimimi i vajzave duhet të vijojë të ketë përparësi.T’i mundësosh individëve më të cenueshëm të një vendi kapital njerëzor cilësor dhe të përforcosh aftësinë e tyre të punësimit, do të përmirësojë ndjeshëm mundësitë e tyre për të nisur një punë të qëndrueshme, e cila i paguan mirë dhe i ndihmon t'i shpëtojnë varfërisë.

Artikull nga Nand Shani, Drejtues i Ekipit të Platformës së Punësimit dhe Çështjeve Shoqërore të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC)

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK