Zërat
Arben Rugova
Arben
Rugova

E vërteta e hidhur e Ramës

Zërat maj 02, 2019 - 17:01

Askush nuk mundet t’ia ndalojë Edi Ramës të flas për Kosovën, por si kryeministër i Shqipërisë, ai ka obligim, moral e kushtetues, të tregoj kujdes të shtuar në komunikim politik kur është e pranishme edhe pala e tretë.

Rama mund të ketë preferencat e tij, por në Kosove nuk është se gjen dallime të mëdha midis politikanëve - presidentit Hashim Thaçi e kryeministrit Ramush Haradinaj. Mirëpo, kur bëhet fjalë për taksën, është vendim zyrtar dhe kryeministri Haradinaj aktualisht ka mbështetjen e plotë prej shumicës së partive politike dhe opinionit publik.

Kjo informatë duket t’i ketë ikur Ramës, qëllimshëm. Për rrjedhojë, në këtë rast nuk ka rregulla të mbajtjes së fshehtësisë, dhe qëllimshëm Haradinaj e bëri publik qendrimin e Ramës.

Kryeministri Rama mund të tolerohet për gabimet e lapsuset e tij, edhe të qëllimshme, që i rrëshqasin nëpër ndeja apo kur mbahen ato mbledhjet e dy qeverive, por jo në takimet siç ishte Samiti i Berlinit.

Për Kosovën nuk është edhe aq befasuese që me kërkesë të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel edhe presidenti francez, Emmanuel Macron t’ia sugjerojnë Haradinajt heqjen e taksës të vendosur nga Republika e Kosovës për produktet e Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës.

Për fajin e pushtetarëve tanë, qeverisjës së tyre të keqe pas pavarësisë, dhe qëndrimit dyfytyrësh të Bashkimit Evropian, Kosova që prej dhjetë vjetësh po tërhiqet për hunde. Tash, siç thotë populli, duket se “sharra ka hasur në gozhdë”.

Gjithsesi, populli u është mirënjohës aleatëve evropianë, porse është koha që ta kuptojnë se paqja në Ballkan është e mundur vetëm në qoftë së ndëshkohet Serbia - për spastrimin etnik, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin ndaj shqiptareve përpara dhe gjatë regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

Nuk është e lehtë, por është rruga e vetme.

Kur është fjala për njohjen nga Serbia, ajo është e mirëseardhur, dhe sikur dihet, është për të mirën e të gjithëve në Ballkan. Por, edhe sikur të mos vije, Kosova, pavarësia, sovraniteti dhe integriteti i saj territorial janë të pacenueshme. Sepse e dinë mirë të gjithë, edhe Serbia edhe miqtë e Kosovës, se ku do të çonte një përpjekje për të minuar themelet e 17 shkurtit 2008.

Prandaj, kur situata është kaq serioze, kërkohet edhe qasja të jetë serioze prej secilit zyrtar shqiptar kur flet për Kosovën. Kështu, kryeministri i Shqipërisë, në prani të palës së tretë mundet t’i sugjeroje diçka Kosovës vetëm atëherë kur kjo e fundit i jep dritën jeshile.

“I kam sugjeruar Ramushit në dy momente ta pranojë këtë ofertë (kërkesën për pezullimin e taksës)”, shkruan Rama. Por të sugjerosh diçka që i kërkohet Kosovës derisa ajo ka një qëndrim zytar dhe udhëheqësit e saj janë kundër (janë mbarë apo mbrapshtë), nuk është sugjerim, por është gabim, servilizëm apo kalim, me ose pavetëdije, në pozicionin neutral.

Kryeministrin shqiptar nuk mund ta ndalë askush të flas për Kosovën, por sa herë që do të thotë diçka pa u dakorduar pala kosovare dhe pa u dakorduar me palën kosovare, gjasat janë të mëdha që ai të flas mbrapsht.

Në Samitin e Berlinit, ku në njërën anë kishte Thaçin (të dalë paksa jashtë kontrollit muajt e fundit), ndërsa në anën tjetër Haradinajn (të përbetuar se nuk do të heq taksën pa kundërofertë), Rama do të bënte mirë sikur të kishte heshtur, ose të paktën të anashkalonte çështjen e taksës.

Për të mos gabuar, Rama, kur flet për Kosovën është mirë të mbledh burimet (si gazetar) dhe ta praktikoj modelin e komunikimit të Harold Lasswell, të dijë mirë çfarë thotë, ku e thotë, kujt ia thotë dhe çfarë do të jetë efekti i asaj që thotë.

Prej standardeve të dyfishta të aplikuara ndaj Kosovës gjatë dhjetë-vjeçarit të fundit do të pësojnë të gjithë, edhe Serbia, edhe Bashkimi Evropian, dhe natyrisht, edhe Shqipëria.