Zërat
Majlinda Bregu
Majlinda
Bregu

Ballkani Perëndimor - Ne besojmë tek biznesi!

Zërat May 13, 2019 - 12:29
Lexo Detajet

Nga Majlinda Bregu, Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC)

“I ndodhur në kryqëzimin midis lindjes dhe perëndimit, rajoni mund të shërbejë si një port i sigurt për investimet, ndërkohë që mundëson qasje të lehtë në tregun botëror”

Ballkani Perëndimor mund të jetë fole e shumë problemeve, por perceptimi i biznesit mbetet gjerësisht pozitiv në një masë prej 61 pikësh. Por, nëse e shohim rajonin në një “panoramë të plotë”, duhet t’i hedhim sytë drejt një shifre tjetër: 63% e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor janë të pakënaqur me gjendjen ekonomike. Është e thjeshtë të vësh re shenjat e rrëmujës kur flasim për: sundimin e ligjit, angazhimin e zyrtarëve publikë për të kuptuar dhe zgjidhur problematikat dhe mosmarrëveshjet që kanë të bëjnë me biznesin, ndërkombëtarizimin e sektorëve privatë të rajonit për të arritur nivele më të larta investimesh ndër-rajonale dhe ndërkombëtare dhe për të stimuluar shkëmbime më të vrullshme tregtare, shkallën e papunësisë që qëndron në nivele dyshifrore dhe largimin e trurit që po merr përmasa më të mëdha. Dhe këto janë vetëm disa prej këtyre shenjave.

Por një e vërtetë thelbësore humbet midis hiperbolës dhe të vërtetës. Më shumë se gjysma e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor besojnë se perspektiva evropiane do ta përmirësojë jetën e tyre, se ajo do të forcojë lidhjet ekonomike midis gjashtë ekonomive të Ballkanit Perëndimor.

Sipas matjeve dërrmuese objektive, përgjatë viteve të shkuara rajoni ka përjetuar një rritje të pandërprerë ekonomike (tendenca është për 3.5 për qind në vitin 2019 dhe 3.8 për qind në vitin 2020). E megjithatë, PBB-ja për frymë në Ballkanin Perëndimor është më e ulët se një e treta e PBB-së së Gjermanisë, si vendi më i pasur anëtar i BE-së, dhe stoku mesatar i Investimeve të Huaja Direkte (FDI) për frymë në Ballkanin Perëndimor është më i ulët se gjysma e stokut të FDI për frymë në vendet anëtare të BE-së nga Evropa Lindore, dhe vetëm sa një e shtata e mesatares së BE-së.

Gjithsesi, rajoni ofron një mjedis mikpritës për investimet, duke prezantuar nivele tatimi të fitimit për korporatat që variojnë nga 9% në 15%, nivele të cilat janë nga më të ulëtat në Evropë. Sistemet monetare dhe financiare në rajon kanë një varësi të madhe nga Euro-ja.

Një nga asetet më të mëdha të rajonit janë burimet njerëzore, duke qenë se gjatë viteve të fundit fuqisë punëtore i janë shtuar më shumë se 1.6 milionë[1] individë tejet të kualifikuar. Për më tepër, rajoni i Ballkanit Perëndimor është një treg lokal me shumë kërkesa. Marrëveshja e brendshme e tregtisë së lirë në rajon u siguron qasje të drejtpërdrejtë rreth 20 milionë konsumatorëve.

Ky rajon duhet të përfshihet në një qasje të përbashkët proaktive për përmirësimin e mjedisit të vet të biznesit dhe t’ia demonstrojë këtë qasje komunitetit botëror të biznesit.

I ndodhur në kryqëzimin midis lindjes dhe perëndimit, duke pasur një rrjet marrëveshjesh tregtie të lirë dhe me statusin preferencial të tregtisë me ekonomi të treta (BE, SHBA, vendet e EFTA-s, Turqi, Rusi dhe vendet e ish Republikës Ruse ),rajoni mund të shërbejë si një port i sigurt për investimet, ndërkohë që mundëson qasje të lehtë në tregun botëror.

Investitorët e huaj i kanë identifikuar tashmë mundësitë e pranishme në Ballkanin Perëndimor dhe kështu, rajoni ka regjistruar një fluks hyrës investimesh të huaja direkte prej 1 miliard Euro gjatë vitit të kaluar.

Megjithatë, mençuria konvencionale flet qartë: këto mbeten ende shifra modeste dhe janë shumë poshtë potencialit të vërtetë të Ballkanit Perëndimor.

Çelësi është konektiviteti. Konektiviteti i tregjeve, individëve, integrimi i 6-shes të Ballkanit Perëndimor në tregun e bashkuar të BE-së. Kjo është logjika që qëndron në themel të Zonës Ekonomike Rajonale të Ballkanit Perëndimor (REA). REA synon lëvizjen e mallrave, shërbimeve, investimeve, komunitetit të biznesit dhe fuqisë së aftë punëtore midis 6 ekonomive.

Në kuadër të këtij aksioni, Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) ka sjellë së bashku qeveritë dhe bizneset e rajonit për të punuar për mundësimin e lëvizjes së lirë të investimeve, kapitalit njerëzor dhe komunikimit, rezultatet e të cilave do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë tek biznesi dhe cilësia e jetës së qytetarëve tanë. Pa qenë nevoja që të përmendim ndikimet horizontale që puna jonë ka pasur mbi potencialet e pashfrytëzuara të rajonit tonë, të tilla si baza e SME-ve, baza industriale, zhvillimi i zinxhirëve rajonalë të vlerave dhe përfshirja e tyre në zinxhirët botërorë të vlerave si dhe rritja e punësimit për gratë dhe të rinjtë.

Bizneset e rajonit na mbështesin në këtë mendësi, dhe thuajse 70%[2] e tyre shprehen se bashkëpunimi rajonal është i rëndësishëm për aktivitetin e tyre të biznesit.

Deri tani, nën ombrellën e REA-s dhe me mbështetjen e rajonit dhe të BE-së në rrugën tonë, ne kemi:

• Arritur një marrëveshje historike rajonale për eliminimin e kostove të roaming-ut dhe kemi hapur rrugën për një ulje më të qenësishme të kostove të roaming-ut midis Ballkanit Perëndimor dhe BE-së. Për bizneset dhe qytetarët tanë kjo përfaqëson një arritje të madhe në zhvillimin e një tregu të hapur rajonal.

• Hapur negociatat për një marrëveshje rajonale që do të mundësojë krijimin e një grupi rajonal ekspertësh që mund të lëvizin nëpër rajon si dhe do të lehtësojë lëvizjen e lirë të kapitalit njerëzor në rajon, përkatësisht përmes njohjes së ndërsjellë të kualifikimeve profesionale në sektorët e mjekësisë dhe inxhinierisë së ndërtimit, dhe njohjen e kualifikimeve akademike të fituara në institucione të arsimit të lartë me cilësi të garantuar.

• Lehtësuar agjendën e parë të përbashkët të investimeve për rajonin, duke krijuar një hapësirë të përbashkët investimi dhe reformash në fushat e hyrjes së investimeve dhe mbrojtjes së tyre, si dhe promovimin e rajonit tek komuniteti botëror i biznesit si një destinacion i përshtatshëm për investime. Punës së bërë po i shtojmë më tej vlerë duke nisur reforma në sektorin financiar për të mundësuar qasje në më shumë mundësi financimi për zhvillimin e biznesit.

Kjo është një sipërmarrje ambicioze, dhe pa dyshim nuk është i vetmi aktivitet në planin e punës të RCC-së, por ne jemi tejet të ndërgjegjshëm se pajtimi ekonomik i rajonit do të përforcojë prosperitetin e përbashkët

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK