Zërat
Sadik Zeqiri
Sadik
Zeqiri

Masakra e Dubravës, një nga krimet e pandëshkuara

Zërat May 20, 2019 - 15:47
Në përkujtim të 20-vjetorit të masakrës më ç’njerëzore në Burgun e Dubravës

Po e nis këtë rrëfim me thelbin e ngjarjes, me datën historike, ndër më të tmerrshmet në jetën dhe kujtimet e mia që kam përjetuar. Ajo nis më 14 mars 1999. Në Burgun e Pejës tashmë kisha mbajtur burg më shumë se shtatë muaj. Në kohën e darkës erdhi një gardian shqiptar që ishte në ndërrim, na dha bukë dhe më tha se, ndoshta, nesër do t’ju transferojnë në Dubravë. Unë u stepa ashtu si isha, në këmbë. Fillimisht mendova se është më mirë të na transferojnë atje sepse të burgosurit kur i lëviznin për burgje të tjera dhe kur ndonjë e sillnin prapë në Pejë, thoshin se në Dubravë ka kushte më të mira dhe se atje edhe hapësira më e madhe ta lehtëson më shumë qëndrimin në burg. Në anën tjetër nuk kisha dëshirë të më largonin nga Burgu i Pejës sepse aty familja ime (nëna dhe të tjerët) e kishin më lehtë të më vizitonin sepse e kishin më afër nga shtëpia. Pasi hëngrëm darkë, kah ora 21:00 e natës së 14 marsit u fikën dritat dhe na lajmëruan, si çdo natë tjetër, të binim në gjumë. Në dhomën numër 4 të pavijonit të tretë në Pejë ishim gjashtë të burgosur. Pesë ishim shqiptarë, njëri ishte serb.

Kohën e fundit kisha shumë probleme me gjumë. Nuk më merrte fare. Pothuajse gjithë natën mendoja, për gjithfarë, po në fund asnjë zgjidhje s’bëja. Kështu, me dërrmim, e kalova edhe natën e fundit në Burgun e Pejës. Më datë 15 mars 1999 ishte afruar të çelte agu e unë ende rrija zgjuar. Kështu si unë, pa vënë gjumë në sy, ishte edhe ish i burgosur i nacionalitetit serb që e kisha në dhomë. E pyeta bashkëvuajtësin pse nuk po flinte ende? Ai më tha: “Sadik, sot kanë me ju transferu në Dubravë, aty kanë me i tubu të gjithë të burgosurit nga të gjitha burgjet, ju çka jeni shqiptarë, e prej aty pritet, nëse përfundon lufta, juve me ju leshu grumbull nga burgu”. Pas pak minutash u ndezën dritat. Dyert e dhomave filluan të hapen një nga një. E hapën edhe derën e dhomës sonë dhe hynë brenda dy gardianë, me një listë në dorë dhe thirrën emrin tim dhe më thanë: “Sadik Zeqiri, ke kohë pesë minuta të përgatitesh. Po transferohesh në Dubravë”. Të njëjtin lajmërim ua dhanë edhe disa të burgosurve të tjerë. I përgatitëm plaçkat dhe u rreshtuam në korridorin e ngushtë. Na futën në furgonë të policisë dhe na nisën për Dubravë. Kur na zbarkuan atje, na shpërndanë nëpër pavijone të ndryshme, por shumicën prej nesh na dërguan në pavijonin C. Në këtë pavijon pothuajse shumica e të mbajturve ishin me aktakuza të ngritura dhe që pritej të dënoheshim me shumë vite burg. Mua më caktuan në dhomën nr. 35, në katin e dytë, me dritare kah fusha e sportit, e cila më vonë u bë fusha e gjakut. Aty na vendosën katër të burgosur që na sollën nga Peja. Në dhomë e gjetëm një të burgosur që kishte kohë që ishte aty. Edhe ai ishte pjesëtar i UÇK-së. Aty u bëmë pesë veta. Shoqëri e re, bisedë e re. Kishim çfarë të flisnim. Në dhomë ishim të gjithë shqiptarë. Dritaret e dhomës sonë në burg ishin të mëdha. Na kishte marrë malli ta shihnim natyrën, malin e fushën. Ne në këtë pavijon s’e patëm fatin e pavijoneve të tjera sepse të burgosurit që ishin në pavijone të tjera u ushqeheshin në kuzhinën e burgut, pastaj dilnin në shëtitje sipas orarit, ndërsa neve të C-së na sillnin ushqimin në dhomë.

Ditët ecnin e ne prisnim të liroheshim sepse ashtu na vinin informatat, sepse na patën thënë se nëse deri më 24 mars 1999 nuk pajtohet Serbia ta ndalë luftën, atëherë do të intervenonte NATO dhe do t’i fillonte bombardimet. Në natën e 24 marsit ne, po jo vetëm ne që ishim të burgosur por, mbase, të gjithë shqiptarët kanë qëndruar zgjuar duke pritur fillimin e bombardimeve në caqet serbe. Oshtimat e avionëve, bombardimet e tyre mbi makinerinë serbe, i dëgjuam edhe ne në burg. E ndienim që brenda lirinë, po edhe vdekjen. Bombardimet vazhdonin dhe shtoheshin dita-ditës. I dëgjonim edhe gjuajtjet në Pejë. Gjatë kësaj kohe të bombardimeve filluan të mbushen pavijonet edhe me më shumë të burgosur. Aty silleshin pothuajse çdo ditë njerëz. Ardhjet e tyre i shihnin nga dritaret e burgut, sepse nga pavijoni C shihnim edhe derën kryesore të hyrjes. Ne nuk dinim kush janë ata si dhe as nga vinin. Po gjatë kësaj kohe edhe sjelljet e gardianëve ndaj nesh ndryshuan shumë. U bënë shumë të vrazhdë. Filluan të na rrahin për ditë. Rrahjet dhe maltretimet i fillonin në dhomat e izolimit, aty ku ishin të vendosur vëllezërit Kida, e i vazhdonin deri në dhomën e fundit. Ndiheshim keq kur dëgjonim ofshamat e të rrahurve, po ndiheshim shumë më mirë kur edhe neve na vinte rendi i rrahjes, sepse e kryenim “fruthin”, siç i thoshim në burg.
Disa të burgosur shqiptarë që na sillnin ushqimin nëpër dhoma e të cilët ishin të dënuar për vepra ordinere, kohë pas kohe na njoftonin se nga vinin të burgosurit. Ata na treguan se më 29 dhe 30 prill i kanë sjellë të gjithë të burgosurit shqiptarë që kanë qenë nëpër burgjet e Serbisë (burgu i Mitrovicës së Sremit, Burgu i Nishit etj.) dhe i kanë vendosur në pavijonin B. Kur i nxirrnin për të ngrënë ushqim në kuzhinë këta të pavijonit B, ne dilnim në dritare që t’i shihnim sepse e dinim se aty ishin grupet e mëdha të të arrestuarve e të dënuarve si nismëtarë të UÇK-së, siç ishin Nait Hasani dhe Arif Vokshi me grupin e tyre të UÇK-së, grupi i LKÇK-së në krye me Avni Klinakun, pastaj ish-gupet e sindikatave të Policisë së Kosovës, Avdi Mehmeti, Sheremet Ahmeti etj., Bajrush Xhemajli, Ukshin Hoti, Hajredin Hyseni, Raif Qela etj., pastaj grupi i ushtarëve të rastit të “Paraqinit”, Rasim Selmanaj, Besim Rama, djemtë e Unionit të Studentëve të Prizrenit etj. Unë i njihja shumicën prej tyre. Disa i kisha shokë të fakultetit, disa të tjerë i njihja për veprimtarinë e tyre, e për disa kisha dëgjuar dhe lexuar që e gjithë jeta iu kishte shkuar duke u marrë me veprimtari patriotike e duke u arrestuar e liruar nga kazamatet serbe.

Më 16 maj 1999, në paraditen e ditës së diel, një njeri shoqërohej nga disa gardianë për te dera e daljes së burgut. Nuk e dinim kush ishte sepse kishte një distancë ndërmjet tij dhe nesh, por u gëzuam që dikush ose po lirohet, ose po i ndërrohet burgu. Më vonë kuptuam se ai njeri shtatlartë, me një ecje vertikale, kishte qenë profesor Ukshin Hoti. Pas pak minutash e liruan edhe një të burgosur tjetër nga pavijoni ynë. Atë e njohën. Ishte nga Juniku, me mbiemrin Pepshi. Edhe atë e nisën kah dalja kryesore. Më kujtohet shumë mirë kur e dëgjuam të sapoliruarin që e pyeti gardianin: “Sot është e diel. Deri ku keni mem dërgu?” Gardiani i tha do të përcjellim deri në Pejë, më pas shko kah të duash. Këtë bisedë e kemi dëgjuar nga dritaret që i kishim hapur. Nga kjo bisedë kuptuam se ai i burgosuri tjetër nuk qenka transferuar, por qenka liruar. Eshtrat e Pepshit janë gjetur dhe identifikuar në vitin 2005 diku në varrezat e rrethinës së Pejës.

Më datën 18 maj 1999, në hapësirat e Burgut të Dubravës, e sjellin edhe një kontingjent të madh të njerëzve. Edhe pse i kishim larg, vëreheshin se ishin të veshur me tesha civile, disa edhe kishin flokë të gjatë. Sipas mendimeve tona, ata ishin zënë pengje. Ata i vendosën në një objekt që kishte qenë dhe ishte shfrytëzuar për shkollë. Më vonë kuptuam se ata ishin një grup i madh prej 150 vetash të zënë robër nga qyteti i Gjakovës. Gjatë këtyre ditëve të bombardimeve të NATO-s na i linim dritaret hapur për të shikuar dhe dëgjuar atë çka kishim hapësirë dhe mundësi. Një ditë vjen një nga gardianët që ishte në ndërrim dhe i hap dyert e dhomës sonë. Ai nga jashtë kishte veneruar se ne po shikonim në dritare. Kur e hapi derën, na zuri neve duke shikuar nga dritarja. Gardiani ishte ose nga rrethina e Istogut ose e Pejës sepse e njihte gjuhën shqipe dhe nganjëherë fliste edhe shqip. Pasi na zuri në këmbë na tha afrohuni më afër dritareve t’ju tregoj kush janë këta fshatra. Ndër ta e përmendi edhe Shushicën dhe tha se, përpos disa ushtarë që kanë mbetur në male lart dhe juve në këtë burg, asnjë shqiptar nuk ka mbetur në Kosovë. Të gjithë i kemi vrarë dhe ata që kanë mbetur gjallë i kemi dëbuar nga Kosova. Gardiani ishte i gjatë, i ri dhe kishte flokë të bardha. Për dallim nga kolegët e tij, ky ishte më i butë dhe reagimet e tij kishin një kufi veprimi. Ne në pavijonin tonë që ishim e kemi pasur të pamundur t’ua mësonim emrat gardianëve përpos që përmes fytyrës dhe ecjes së tyre i mbanin në mend. Për shembull, në dhomën tonë i patëm pagëzuar me emra të ndryshëm disa prej tyre dhe me këta emra i njihnin edhe të tjerë sipas veprimeve që bënin. Njërin e quanim “sakica” sepse, sapo merrte ndërrimin, fillonte rrahjet e të burgosurve që nga dhoma e parë e deri në të fundit. Edhe gardiani me flokë të bardha një ditë e kaloi kufirin e butësisë sepse na detyroi të laheshim me ujë të ftohtë. Gjatë kohës sa kemi qenë në burg uji për t’u pastruar lëshohej nga jashtë, ndërsa ne pastroheshim brenda dhe përgatitjen e ujit e bënin vetë gardianët. Një ditë ishte shumë ftohtë. Na thanë që të shkojmë për t’i prerë flokët. Kishin kaluar nja katër muaj pa i prerë flokët dhe ishim bërë si për gjynah të Zotit. Një djalë që e gjetëm në dhomë na tregoi se, pasi po na dërgojnë që t’i presim flokët, brenda mundësive të kalojë në rendin ku një prej dy “bricave” është shqiptar. Na bënë rresht dhe na dërguan në pjesën tjetër të pavijonit, te dy berberët. Unë herë dilja në njërin rend, herë në tjetrin, që të shoh cili është shqiptari. Shqiptari m’u duk ai që ishte më zeshkan se tjetri. Por ia kisha huq. Atë ditë që të dy berberët kishin qenë serbë. Kur filloi të më qethë berberi e falënderova dhe i thashë se po bën mirë sepse, ndoshta, po na lëshojnë këto ditë. Sapo thashë këtë fjalë më mëshoi me makinë në kokë, me gjithë fuqinë që kishte dhe më shau. Pasi na prenë flokët na dërguan në dhoma, pastaj na thanë të zhvishemi për t’u pastruar. U zhveshëm të gjithë në dhomë dhe u afruam aty ku kishte ujë. Gardianët, një ndër ta edhe ky djaloshi me flokë të bardha, na lëshoi ujë të ftohtë dhe na detyruan të laheshim ashtu dhe të mërdhiheshim.

Në mëngjesin e datës 19 maj kishim hapur dritaret t’i shihnim luftimet që bëheshin në disa fshatra aty në malet e Istogut. Aty shiheshin edhe forcat serbe që hynin në fshat dhe digjnin shtëpitë, merrnin bagëtinë si dhe traktorët dhe veturat. Në atë çast një zhurmë e madhe u dëgjua në afërsi tonën. Aeroplanët e NATO-s kishin qëlluar ngrohtoren e burgut si dhe drejtorinë e saj. U dëgjua një britmë e madhe. Filluam edhe më me interesim të shikojmë se çfarë po ndodhte dhe pamë se gardianët filluan të ikin në drejtim të derës kryesore të burgut. Pas pak minutash aeroplani i NATO-s goditi edhe pavijonin tonë, C-në. Goditja ndodhi në mesin e saj dhe, fatkeqësisht, mori jetën e tre të burgosurve shqiptarë dhe plagosi shumë të tjerë. Ne që qëlluam afër dritares shpëtuam, por nisëm të kërkojmë ndihmë që të na hapin dyert. Por, kërkesa jonë nuk shkonte më larg se në dhomën tonë. Askush s’kishte mundësi as të na dëgjonte e as të na ndihmonte. Filluam të mendonin se si ta hapnim derën. E shkatërruam një shtrat në dhomë dhe filluam ta godasim derën. Muret ishin plasaritur nga detonimi. Bëheshim dy nga dy sepse nuk kishim fuqi dhe as vend të godisnim të gjithë përnjëherësh. Ishim të gjithë nga 50 apo 60 kilogramë, jo më shumë. Të gjithë kishim rënë në peshë sepse na shërbenin për të ngrënë pak, vetëm një kulaç të vogël që, besoj, nuk i kishte 100 gramë. Një nga të burgosurit e dhomës, Shkumbini nga Strellci, vërejti nga dritarja se shumë të burgosur kanë nisur të na vijnë në ndihmë me mjete pune. Duke ndier gëzim, e demoluam derën e dhomës, e thyem dhe e hapëm. Kur dolëm jashtë pamë të burgosurit e pavijoneve të tjera duke ua hapur dyert të burgosurve. I pamë duke i bartur të plagosurit dhe duke i nxjerrë nga gërmadhat e dhomës të vrarët ku kishte goditur NATO.

Dolëm në oborr dhe u tubuam shumica e të burgosurve dhe u nisëm për te dera e daljes. Aty na dolën gardianët përpara dhe nuk na lanë të vazhdojmë tutje. Tani frika kishte depërtuar deri në palcë. Nuk dinim ç’të bënim. Situata brenda Burgut të Dubravës kishte dalë jashtë çdo kontrolli. Gjatë kësaj dite, e cila as vetë nuk e di se sa ka zgjatur, ia kemi dalë disi që të shpëtojmë. Forcat e NATO-s atë ditë më nuk kanë gjuajtur në brendësi të objektit të burgut. Edhe më 20 maj ka qenë qetë dhe kemi fjetur siç kemi mundur në pavijonet e padëmtuar. Më 21 maj prapë forcat e NATO-s kanë sulmuar pavijonet e Burgut të Dubravës si dhe rrjetin e ujësjellësit dhe, me siguri, edhe bazën e centrales telefonike. Pothuajse ishin dëmtuar të gjitha objektet. Në natën e datës 21, në të hyrë të datës 22 maj, kemi fjetur jashtë. Shumica te fusha e sportit, dikush me batanije e dikush i pambuluar, na ka çel mëngjesi i datës 22 maj 1999. Nga pikat vrojtuese që ishin aty afër, në mëngjesin e datës 22 maj na kanë urdhëruar të rreshtohemi për të na dhënë një lajm me rëndësi. Unë kam qenë afër me Rasim Selmanin. I kam thënë po marr pak ujë në shishe e po i pastrojmë sytë. Ujë kishim mjaft sepse ishte goditur tubi kryesor nga raketat dhe ishte bërë aty si pishinë. Rasimi më priti, i pastruam sytë dhe u ndamë. Derisa hyra në rresht, veç i pashë të burgosurit duke u rrëzuar përtokë. Ngrita kokën të shikoj se çka po ndodh sepse, në njëfarë forme, të gjithë ishim të mpirë dhe nuk dinim nga po vinin plumbat kur, më në fund, pashë nga pikat e vrojtimit duke hedhur bomba mbi ne, duke gjuajtur me armë etj. Mund të them lirisht se kush ka qenë në rendin e parë është vrarë nga gardianët dhe uniformat e tjera serbe që ishin të stacionuara përreth Burgut të Dubravës. Militarët dhe uniformat serbe si dhe detonimet e NATO-s kishin hapur pjesë të murit e që, për fat të keq, disa të burgosur kishin rënë pre e idesë për t’u arratisur. Këtë fat e kanë përjetuar mbi 20 të burgosur kur një nga të burgosurit, i cili nuk ishte në burg si pjesëtar i UÇK-së, por për vepra të tjera i kishte mbledhur disa të burguar dhe u kishte thënë se unë mund t’ju nxjerrë nga burgu. Ata kishin vepruar sipas idesë së tij dhe ishin larguar.

Ne kemi menduar se ata kanë shpëtuar, por më 24 maj, kur na transferuan për në burgjet e tjera, respektivisht për Lipjan, ata të gjithë të burgosurit i kishin zënë e i kishin vrarë dhe i kishin tubuar afër portës kryesore. Aty kanë qenë grumbull të vrarë diku 16 të burgosur. Pasi ne tanimë nuk dinim se nga po vijnë gjuajtjet dhe nuk dinim ku të fshiheshim, sepse ishim shumë të ekspozuar në një fushë sporti, filluam të ikim deri në një pjesë ku mundeshim të fshihemi përkohësisht, më pas me vrap të afrohemi rreth objekteve. Edhe gjatë ikjes shumë nga ne janë plagosur e vrarë nga armët dhe nga bombat që i hidhnin gardianët e policët serbë. Pas një kohe kanë pushuar gjuajtjet dhe kemi filluar të dalim nga aty ku ishim fshehur për t’i kërkuar të afërmit dhe të tjerët. Po ashtu, edhe për t’iu ofruar ndihmë mjekësore atyre që ishin plagosur. Këtu merita të jashtëzakonshme kanë shumë të burgosur të cilët iu kishin afruar ndihmë të plagosurve. Gjatë kësaj dite pandërprerë ka pasur gjuajtje nga të gjitha anët e burgut. Ne ishim të rrethuar dhe shumë pak kishim mundësi të fshiheshim. Kishim shumë pak vende të paekspozuara, sepse çdo kund të gjuante snajperisti. Ne një grup ishim të fshehur pas një grumbulli drush që ishin afër kuzhinës, dhe afër neve njërin nga ne e rroku një snajper në kokë, ia çau kokën dhe truri i doli jashtë. I burgosuri ende ishte gjallë dhe i lëvizte këmbë e duar, por në ato çaste erdh Bislim Zogaj, një hero i vërtetë i kësaj kohe, që me duar ia ka afruar pjesët e kokës. Kishte filluar të errësohet dhe ne nuk dinim kah t’ia mbanim, as ku të flinim e as ku të fshiheshim. Të burgosurit e vjetër, të cilët kishin më shumë përvojë dhe ishin edhe më të moshuar se ne, kishin tubuar të plagosurit dhe ua kishin dhënë edhe ndihëm e parë me mundësitë që kishin. Një grup i të burgosurve, në krye me Dëfrim Rifajn, kishte depërtuar nëpër plumba deri në ambulancën që ishte brenda mureve të burgut dhe kishte marrë aty çfarë kishte gjetur. Më pas, me këto mjete sanitare, shumë të plagosurve u është shpëtuar jeta. Ndërsa shumë nga ta edhe kanë vdekur nga pamundësitë teknike. Edhe unë isha plagosur në atë ditë në fushën e sportit dhe Dëfrimi me shokë ma lidhën plagën me një fashë veç sa për ta ndalur gjakun. Sot e atë ditë ende e mbaj pjesën e plumbit serb të futur brenda në trupin tim më 22 maj 1999. Kur jam liruar nga burgu e kam vizituar mjekun për këtë çështje dhe, pas fotografimit, më ka thënë se një herë qenke jo mirë me shëndet e kur të trashesh pak ta heqim sepse edhe ashtu tash rreth pjesës së plumbit është tubuar shtresë dhjamore dhe nuk do të kesh telashe. Kurrë më nuk kam shkuar te mjeku për këtë çështje. Do ta mbaj atë plumb në bark aq sa më ka dhënë Zoti jetë.

Pasi u errësua, një vendës imi më njoftoi se te ngrohtorja, në bodrum, e kishin përgatitur vendin për të fjetur dhe kishin futur edhe sfungjerë aty dhe, sipas tij, vendi është i sigurt. Shkova te ta, por s’i gjeja edhe dy bashkëfshatarët e mi. Pasi e takova Gzimin dhe i tregova që mund të shkojmë të flemë atje sepse ishte vend i sigurt, ai më tha më mirë po shkojmë te kuzhina sepse aty kanë shkuar mbi 600 të burgosur të tjerë dhe është më mirë të rrimë aty bashkë. Ndërkohë e takoj edhe një shok timin të fakultetit, Demirin, i cili ishte arrestuar me grupin e Nait Hasanit. Edhe Demiri më thotë të shkoj me të te pavijoni C, aty ku ishin mbledhur këta bashkë me të plagosurit. Edhe Enverin e takova dhe u gëzova shumë që ishte gjallë. Bile e pyeta a je ti vëllai i Bujarit? Ai me shaka më tha Bujari është vëllai im. E dëgjova Gëzimin dhe shkuam te kuzhina. Për fat të keq të atyre bashkëvuajtësve të mi të cilët kishin shkuar për të fjetur në bodrumin e ngrohtores, pothuajse të gjithë kur kanë hyrë në mëngjes paramilitarët i kanë vrarë në gjumë, përpos dy a tre të burgosurve të cilët kanë hyrë nëpër gypat e nxehjes dhe kanë shpëtuar pa u hetuar. Mëngjesi i datës 23 maj na ka çel me gjuajtje të bombave dhe të armëve nga paramilitarët serbë të cilët kishin hyrë brenda burgut. Ata kishin disa shirita të kuq në krahë, disa shirita të gjelbër e disa edhe të verdhë si dhe ish të burgosurit serbë të cilët tanimë ishin armatosur dhe luanin rolin e vrasësve. Shumë të burgosur ishin fshehur nëpër pusete në oborrin e burgut. Ata kaluan më së keqi në këtë ditë të 23 majit, sepse ushtria, policia e paramilitarët i hapnin kapakët e puseteve dhe i vritnin aty brenda, pastaj u gjuanin edhe bomba etj. Neve na kishin rrethuar kuzhinën komplet dhe gjuanin në muret e saj dhe na kërkonin me megafon të dilnim jashtë. Askush nuk merrte guximin të dilte i pari. Megjithatë, një burrë, rreth të 50-tave, nga Gjakova, që më vonë mora vesh se ishte Mehdi Ferizi, doli jashtë me duar pas koke. E urdhëruan bacën Mehdi të na lajmërojë neve për herë të fundit që të dalim jashtë. Dolëm edhe ne, me duar të lidhura pas koke dhe u rreshtuam të gjithë. Para nesh qëndronin komandanti i burgut, disa gardianë dhe disa të tjerë në uniforma, por me shirita të kuqe në krahë, të gjithë të armatosur, me armët drejtuar kah ne. Të gjithë menduam se aty tashmë përfundoi çdo gjë, jeta jonë dhe veç pritnim të na vritnin. Filluam të përshëndetemi mes vete dhe t’ia marrim hallallin shoqi-shoqit. Afër nesh kishte edhe disa bure të mbushura me benzinë. Na thanë të nisemi dy nga dy në drejtim të sallës së sportit. Na tubuan të gjithëve në sallë, disave u thanë të shkojnë t’i thirrin të gjithë kush janë të fshehur dhe, po ashtu, t’i mbledhin edhe të plagosurit e t’i sjellin në sallë. Derisa u tubuam të gjithë, pothuajse gjithë kohën një i uniformuar qëndronte te dera me një zollë në krahë në drejtimin tonë.

Pasi u tubuam pothuajse të gjithë, na u kumtua lajmi se, pasi që nuk ka kushte dhe siguri në hapësirat e Burgut të Dubravës, nesër në mëngjes, më 24 maj, do të na transferojnë për në burgjet e tjera. Të nesërmen ndodhi edhe transferimi ynë për në Burgun e Lipjanit, transferim që u bë me autobusë dhe me kamionë (në kamionë i kanë vendosur të plagosurit). Pas nesh, të vrarë në hapësirat e Dubravës, lamë mbi 130 veta. Nga Lipjani, në mëngjesin e hershëm të datës 11 qershor 1999, na nisën për në burgjet e Serbisë (mua në Nish bashkë me 600 të burgosur të tjerë), të tjerët në Pozharevc, Mitrovicë të Sremit, Leskovac, Vranje, Beograd etj., deri në lirimin tonë përfundimtar dhe kthimin në Kosovë.

Në Kosovë kanë ndodhur shumë masakra, siç është ajo e Mejës, e Krushës, e Poklekut, e Studimes, e Suharekës, e Qyshkut, e Reçakut, e Abrisë, e shumë vrasje dhe gjithsecila e ka historinë e vet, por masakra e Dubravës ndaj të burgosurve, një pjesë e të cilëve edhe ishin të dënuar, të tjerët priteshin të dënoheshin dhe të tjerët që ishin të burgosur për vepra të ndryshme jopolitike, patën fatin e njëjtë të vrasjes, edhe pse ishin nën juridiksionin e Ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Punëve të Brendshme të Serbisë. Pra, masakra në Dubravë është organizim shtetëror dhe pak ka rëndësi vrasësi. Për këtë masakër është dashur dhe duhet të japë përgjegjësi shteti i Serbisë dhe të dënohet për gjenocid ndaj njerëzimit. Duhet që për këtë masakër të organizuar, pas dënimit për gjenocid, Serbisë t’i ndalohet të udhëheqë, në një afat prej 50 vjetësh, ndonjë institucion evropian apo botëror, duhet të jetë e suprimuar edhe në të drejtat e pjesëmarrjes në ngjarje sportive etj. Themelimi i gjykatës ndërkombëtare për krimet serbe në Kosovë, që tani ka lindur si ide, do të kishte qenë mirë të jetësohej sa më parë e jo të mbetet vetëm ide.

(Sadik Zeqiri, ish-pjesëtar i UÇK-së, i mbijetuar i masakrës së Dubravës)

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK