Zërat
Ballsor Hoxha
Ballsor
Hoxha

Humbur në kanalizimin e konsumit

Zërat qershor 17, 2019 - 11:45

Vendet si Kosova dhe Prishtina janë sikur të krijuara për thënien “O a keni zot more ju”. Në të vërtetë kjo në anën e thellë të saj konoton pikërisht humbjen e zotit dhe harrimin e njeriut në të ngrënit e vetes sikur gjarpri mitologjik Oroboro që han veten e tij. Aq më shumë kjo përçon ndiesinë e të qenit shumë afër ferrit jo vetëm metaforikisht por edhe fizikisht.

Kjo thënie dhe ajo që do të ceket më poshtë janë dy përmbajtje të cilat krijojnë semantikën e shoqërisë sonë. Në të vërtetë të dy thëniet e cekura në këtë shkrim janë krejtësisht spontane dhe të thëna nga njerëz të parëndësishëm shikuar në perspektivën e përkufizimit të shoqërisë sonë. Mirëpo të dyja prejnë në mënyrë kirurgjikale pozitën tonë.

1.

“O a keni zot more ju...” klithte një person i cili ishte me familjen e tij duke kaluar pranë shitoreve të një prej qendrave tregtare të Prishtinës. Kjo nuk ishte klithje e zakonshme, zëri i tij ishte i thekshëm dhe krejtësisht i frikshëm që në ne kalimtarët e rastit konotonte frustrimin e atyre që i kemi etiketuar si terrorista. Mirëpo kltihja e tij përmbante tërë ankthin e tij si njeri familjar derisa makina e qarkullimit të parasë - qendra tregtare, ishte përplot me njerëz. Krejtësisht i çmendur nga goja e vënë në veprim e shoqërisë sonë për të gëlltitur çdo gjë e edhe njeriun vetë, ky person ndiente ankthin e gllabërimit dhe gëlltitjes së gojës së shoqërisë sonë e kaluar në konsum total sikur gjarpri Oroboro nga mitologjia greke që e han veten e tij.

Pse thërrasim zotin në këso situata? Pse zoti duhet të merret me nejriun i cili e harron atë dhe e mohon në urinë e tij për edhe një palë brekushe apo edhe një palë stoli, apo edhe një parfum? Ajo që të thyente dhe të përballte me pamundësinë kosovare nën jehonën e thirrjes së këtij personi ishte ankthi qoftë edhe primordial i njeriut që shihte qindra njerëz të tjerë që ngarendnin për të kapur edhe një copë materiale për t’u kyçur në shoqërinë e cila ka humbur në kanalizimin e konsumit të vetë saj. Ajo që shihte ky njeri ishte njeriu i mbetur nën kanalizimin e vetes së tij. Ai shihte njeriun i cili kishte harruar tërë atë që është. Ai shihte ngarendjen e njeriut të pa shpirt, shpirtin mbetur peng në tavolinat për pagesë të shitoreve.

Ajo që ndodh në këtë rast është se personi i cili përpiqet me gjakim për të mbajtur balansin ndërmjet kësaj bote dhe botës së ardhmërisë e qoftë edhe të pas-jetës, sheh njeriun duke gllabëruar veten, jetën dhe botën e tij me çdo blerje, me çdo hamburger dhe specialitet ushqimi dhe pikërisht harruar shpirtin dhe ndiesinë për tjetrin dhe për vetë njeriun.

Vajzat dy vjeçare që shtyhen në çerdhet e tyre cila nuk e ka fallc bluzën e saj me “Hello Kitty”, vajza që kthehen në shtëpi të frustruara duke pyetur ç’është - fallc -, djem që mbajnë telefona mobil në shkollat - private - më të mdhenjë se librat, pastaj mizoria e prindërve që duhet të përcjellin fëmijët e tyre për mbrëmjen e maturës, pastaj patikat e liderëve tanë, kjo gjë nuk ndalet, shoqëria jonë duket sikur ka mbetur jetime dhe pa zot në trakat e konsumit, apo thënë më saktë në trakat e lirisë së konsumit.

2.

Ka një thënie në Urban FM që përsëritet shpesh, thënë nga një prej krijesave të “shpjegimeve” për dhe në shoqërinë tonë “femra po vjen në një situatë ku çdo gjë mund të shitet...”. Nëse femra thotë për femrën se ajo po vjen në një situatë, kjo e para qenka në një situatë tjetër. Nëse femra po vjen në një situatë ajo paska qenë jashtë shoqërisë dhe vetëm tani po hynë në këtë shoqëri. Por këto nuk janë me rëndësi lidhur me këtë thënie, ajo që është me rëndësi është se me të vërtetë naiviteti i shoqërisë sonë ka mbetur pre e këtyre krijesave post-liri të Kosovës dhe së dyti me të vërtetë ky naivitet në kuptimin literal të kësaj thënie po përmbushet, por jo për femrat por për fëmijët tanë, ata, ato tanimë janë pre a – fallcit – dhe origjinalit.

(Kur është fjala tek origjinali Radio Urban FM ka pushuar së punuari pikërisht sepse burimet financiare të brendshme dhe të jashtme zgjedhin për bashkëpunim – fallcin – dhe jo origjinalin që pikërisht e qet prej loje Urban FM).

Naviteti i shoqërisë sonë i prerë kirurgjikisht nga naiviteti i pavetëdijshëm i kësaj vajze në thënien “femra po vjen në atë situatë ku çdo gjë mund të shitet” është i skajshëm për të mundur të kuptoj se është duke e ngrënë veten e humbur në kanalizimin e konsumit të tij. Shoqëria jonë e sheh si liri dhe pavarësi konsumin e saj, as nuk e deh harrimin e tjetrit, njeriut vetë, e deri tek dëmtimi i natyrës sonë biologjike me mbeturina nga të cilat për çdo vit shfaqen qenë që hanë fëmijët tanë. Mirëpo naiviteti ynë shkon edhe më larg se shitja e femrës që aludohet në këtë thënie, naiviteti ynë shkon deri në përfshirjen e fëmijëve tanë në kanalizimin tonë të vetë konsumit tonë deri në uniformimin e tyre në “Hello Kitty” origjinal prej vajzës së parë e deri tek e fundit.

 

Naiviteti i vajzës - që majmërisht mbushet me burime financiare nga jashtë - me thënien “ku femra po vjen në atë situatë ku çdo gjë mund të shitet” dhe klithja e personit “o a keni zot more ju...”  janë dy anë të ferrit tonë edh epse nuk e ndiejmë ende, edhe pse ende nuk po shohim njerëz me brina (por dhe nuk po e e vizitojmë pasqyrën shpesh), edhe pse nuk po shohim zjarr në afrinë tonë.

Ferri qoftë si metaforë sikur që janë restorantet e renditura ku njerëz të pafundmë hanë dhe vetëm hanë, dhe ferri edhe si fenomen religjioz sikur që është përcëllima e zjarrit të gazit të veturave në rrugë apo edhe zjarri i ujit vetë në këto ditë, nuk është ankthi i çmendur i njeriut që klithë “o a keni zot more ju”, në të vërtetë ferri më i thellë është naiviteti i shoqërisë sonë që e sheh si pavarësi konsumin, prej ushqimeve (që në nëntëdhjetë përçind është junk food), e deri tek stolitë e shtrenjta, naiviteti i shitjes jo të femrave siç ka ndodh në tërë hisotirnë e botës (edhe ndër shqiptarë), por është vetë automatizimi i fëmijëve tanë në trakat e konsumit dhe të harrimit të tjetrit që ndoshta nuk e vuan dëshirën për të ngrënë por që në të vërtetë urinë e ngrënies e çon në art të të agjëruarit si meditim për të mundur egon e njeriut.

“Femra po vjen në atë situatë ku çdo gjë mund të shitet” është kulmi i naivitetit tonë si shoqëri. Por kjo duhet të shërbejë për të zgjuar vetëdijen e të tjerëve e jo të majmet dendur nga burimet financiare të jashtme. Naiviteti është pikërisht mohimi i tjetrit i cili klithë “o a keni zot more ju”, në tërë ankthin e tij ekzistencial me qenë se kemi harruar tjetrin, apo që në rast të tij mungon tjetri i humbur në kanalizimin e konsumit të vetë.