Zërat

Ndërmarrje e qëlluar

Zërat qershor 18, 2019 - 13:13

Në periudhën e pas luftës, arsimi në Kosovë u ballafaqua me pengesa e vështirësi të shumta. Këto vështirësi nuk ishin të një peshë dhe përmasë sikur ato të paraluftës, e të cilat u tejkaluan, por ishin dhe janë vështirësi të cilat na përcjellin tash e 20 vite dhe lehtë të tejkalueshme, sikur të kishte vullnet të mirë.

Janë bërë reforma të cilat është dashur të bëhen dhe mirë se u bënë, janë hartuar, miratuar dhe filluar së zbatuari plan programet e reja – kurrikulat, janë bërë trajnime të arsimtarëve, të drejtorëve. U nxorën ligje të reja, udhëzime administrative. U siguruan falas tekstet shkollore për të gjithë nxënësit (1-9) pavarësisht gjendjes së tyre ekonomike, sigurohet ushqimi për nxënës në disa shkolla, qëndrimi tërë ditor në shkolla tjera. U ngritën shumë objekte shkollore, edhe pse disa prej tyre të panevojshme, sidomos në viset rurale.

Për të gjitha këto jemi lavdëruar se kemi bërë përparime të mëdha në zhvillimin e arsimit. Me të gjitha këto ndryshime, disiplina në punë dhe në mësim nuk u përmirësua e as ngritja e cilësisë në mësim sepse nuk kemi bërë asgjë të nevojshme në shkollë.

Është folur e shkruar shumë, nga organet lokale dhe qendrore të arsimit por asgjë konkrete për shkollën. Njeri i parë i cili fillon të ndërmarrë diçka për shkollën është Qëndron Kastrati –kryetar i Kamenicës. Është një hapi guximshëm, ambicioz e mbi të gjitha shumë i qëlluar. Këtë nismë të kryetarit të Kamenicës jo se duhet përshëndetur por edhe përkrahur e ndihmuar maksimalisht. Reformimi i Rrjetit shkollor është i domosdoshëm jo vetëm në Kamenicë por në tërë Kosovën. Në vitet e 90 ta rrjeti shkollor filloi të deformohet dhe u deformua si është më zi dhe asnjëherë nuk u reformua.

MASHT pat hartuar një Projekt për korrigjimin e Rrjetit shkollor por nuk u realizua. Shkaku i mos realizimit ishte qasja jo serioze ndaj arsimit e në këtë rast ndaj rrjetit shkollor. Kryetari i komunës, para se të fillonte ta publikonte këtë iniciativë është dashur të jetë i përgatitur mirë. Është dashur ta ketë projektin në të cilin do të ishin përfshirë të gjitha detajet lidhur me reformimin e rrjetit shkollor. Në përpunimin e projektit është dashur të jenë të inkorporuar edhe resorët tjerë të komunës edhe të atyre qendrore. Nuk do të ketë punë vetëm komuna respektivisht kryetari i Kamenicës, por edhe Ministria e Arsimit, Ministria e Shëndetësisë, e Shërbimeve Publike, etj.

Objektet shkollore të cilat do të mbesin pa nxënës, nuk guxojmë t’i lëmë të pashfrytëzuara sepse ato nuk janë prona private por edhe sikur të ishin ato duhet shfrytëzuar për destinime tjera. Reagimi i qytetarëve ka qenë i arsyeshëm, ashtu siç e pranon edhe vet kryetari. Ata kanë pritur të informohen për fatin e fëmijëve të tyre, për fatin e arsimtarëve të cilët do të mbesin pa orë, të stafit të shkollës dhe të punëtorëve ndihmës, për fatin e objekteve të cilat do të mbesin të pashfrytëzuara, për transportimin nxënësve, e shumë të tjera.

Pra duhet përgatitje serioze, sepse është çështje shumë e ndjeshme dhe jam i sigurt se as vet kryetari nuk është i vetëdijshëm sa të panjohurat do t’i dalin gjatë rrugës së nisur. Fare në fund kjo nuk do të thotë se kryetari duhet të tërhiqet nga aksioni i filluar, përkundrazi duhet të përgatitet mirë dhe të vazhdojë. Nëse nuk mund të bëhen përgatitjet për vitin e ardhëm shkollor (2019/2020) nuk është dështim.

Dështim do të ishte nëse nuk vazhdohet por ndërpritet rruga e filluar. Gjatë vitit të ardhëm shkollor të bëhen të gjitha përgatitjet e duhura dhe nuk është vonë edhe në viti 2020 2021 të fillohet me realizimin e këtij projekti. Është për ta përshëndetur nismën e kryetarit të komunës së Kamenicës se është i pari në Kosovë që ka filluar korrigjimin e Rrjetit shkollor.

Nazmi Caka, ish udhëheqë i AML në MASHT