Zërat
Nazmi Caka
Nazmi
Caka

Ndarja e shkollave

Zërat July 12, 2019 - 13:43

Ndarja e shkollave të mesme të ulëta nga shkollat fillore është me rëndësi dhe me interes po aq sa është edhe korrigjimi i Rrjetit shkollor. Zaten, këto dyja edhe ndërlidhen në mes veti. Klasifikimi i niveleve të arsimit para universitar, është bërë sipas standardeve ndërkombëtare.

Duke llogaritur se Klasifikimi i Niveleve, sipas Standardeve Ndërkombëtare (ISCED) do ta kushtëzojë edhe ndarjen e shkollave, është nxjerrë edhe Udhëzimi Administrativ me të cilin rregullohet mënyra dhe procedura e ndarjes së shkollave të këtyre dy niveleve.

Kjo është bërë me qëllim për të mundësuar organizimin sa më të mirë të procesit edukativo arsimor në të gjitha shkollat e Kosovës të dy niveleve. Ministria e Arsimit e as drejtoritë komunale të arsimit nuk e kanë marrë seriozisht, duke e anashkaluar këtë proces mjaftë të rëndësishëm. Mbase,të vetëdijshëm se do të ballafaqohen me pengesa dhe vështirësi të mëdha janë dorëzuar para kohe.

Nëse kanë menduar dhe mendojnë se këto vështirësi janë të patejkalueshme e kanë gabim. Mungesa e objekteve shkollore, në të cilën aludojnë MASHT-i dhe DKA-të, vërtetë paraqet vështirësi të mëdha.

Nuk kemi objekte të mjaftueshme për t`i ndarë të gjitha shkollat por nuk do të thotë se duhet dorëzuar, ka zgjedhje. Në vendet urbane, ku janë dy e më shumë shkolla afër njëra tjetrës, mund të ndahet një objekt për shkollë fillore ndërsa tjetra për shkollë të mesme të ulët. Në Vushtrri e kemi një rast të tillë, në Prizren, tash, ndërmarrja ishte e qëlluar por përgatitja paraprake ka munguar.

Ato shkolla që janë larg njëra tjetrës, e nxënësit duhet të udhëtojnë, sidomos ata të shkollës fillore, mund të organizohet, për ta udhëtimi në forma të ndryshme.

Në vendet rurale, mundësitë janë të vogla për një ndarje të tillë por edhe këtu ka zgjedhje.

Mund të punohet në një object me të dy nivelet por të ndara administrativisht. Kështu është punuar, në një periudhë me serbët, dhe ia kemi dale. Edhe kjo çështje rregullohet me Udhëzim Administrativ. Pengesa më e madhe në këtë rrafsh paraqiten vendet e reja të punës, për drejtor shkolle dhe stafin profesional e stafin ndihmës.

Për këtë duhen mjete shtesë e ato mungojnë, mungojnë sepse nuk janë planifikuar me kohë, e jo që nuk ka. Ato duhet të planifikohen me rastin e Planifikimit vjetor të buxhetit. Me ndarjen e këtyre dy niveleve preket edhe Rrjeti shkollor, e ndarja është dashur të bëhet me rastin e korrigjimit të Rrjetit shkollor.

Korrigjimi i Rrjetit dhe ndarja e shkollave e kushtëzojnë edhe ndërrimin e Kodit të shkollës e për këtë duhet pas shumë kujdes. Çdo shkollë në Kosovë, çfarëdo niveli të jetë e ka numrin e vet personal që ne e kemi quajtur Kodi i shkollës që në të vërtetë është numri identifikues i shkollës. Shkollat në themelim, sikur shkollat e mesme të ulëta që duhet të themelohen me rastin e ndarjes, marrin numrin e vet sipas Vendimit për Kodin e shkollës.

Sa më shpejtë të ndahen shkollat e mesme të ulëta nga shkollat fillore dhe sa më shpejtë të korrigjohet Rrjeti shkollor, aq më shpejtë do të fillojë vënia e rendit, rregullit e disiplinës në shkolla dhe ngritja e cilësisë në mësim.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK