Zërat
Çağrı Sakar
Çağrı
Sakar

Paralajmërojmë miqtë tanë kundër Organizatës Terroriste Fetullahiste (FETÖ)

Zërat July 15, 2019 - 08:28

Miq të çmuar kosovarë,

Sot është përvjetori i tretë i 15 Korrikut, tentativës së grusht shtetit, sulmit më të përgjakshëm terrorist që ka pësuar Turqia. Këtë ditë e kujtojmë si: 15 Korriku – Dita e Demokracisë dhe e Unitetit Kombëtar. Në këtë ditë ku qindra mija qytetarë, pavarësisht qëndrimeve të ndryshme, dolën nëpër sheshe përballë tankeve e helikopterëve dhe guximshëm mbrojtën demokracinë dhe iu përgjigjën sulmit të grupit terrorist “Feto”.

Sot si shtet i Turqisë përkulemi përpara kujtimeve të 251 qytetarëve, të cilët ranë dëshmorë gjatë këtyre sulmeve të pabesë, ndërsa me nder përkujtojmë sakrificat e mbi 2000 veteranëve. Edhe një herë dënojmë të gjitha organizatat terroriste, veçanërisht atë “Feto”-n, të cilat duan të na i dëmtojnë njerëzit tanë të pafajshëm dhe vendin tonë, duke i shkelur të drejtat e njeriut, veçanërisht të drejtën për jetë, si dhe demokracinë e sundimin e ligjit. Përsërisim edhe një herë se për ta mbrojtur vendin, shtetin dhe popullin tonë do t’u bëjmë ballë të gjitha llojeve të sulmeve terroriste. Do ta përqafojmë fort demokracinë, republikën dhe qytetarët tanë.

Ajo që ne përjetuam në mbrëmjen e 15 korrikut në vitin 2016 në Turqi nuk ishte një film fantashkencë. Nuk u sulmuam nga alienët. As nuk ra ndonjë meteor mbi Turqinë. Shkurtimisht, ne jemi sulmuar duke u tradhtuar nga vetë njerëzit tanë të radikalizuar dhe të robotizuar nga kjo organizatë terroriste, që prej vitesh ishte fshehur prapa maskës së lëvizjes arsimore. Ata ishin të infiltruar ilegalisht në institucionet e rëndësishme të shtetit dhe ngjashëm me rrjetet terroriste si DAESH-i, “Al Qaida” ose “Boko Haram”-i, shfrytëzuan edhe fenë për qëllimet e tyre.

Parlamenti ynë, Presidenca, Inteligjenca Kombëtare dhe institucionet e policisë u bombarduan me avionë luftarakë e helikopterë, të cilët janë blerë me vetë taksat tona. Për më tepër, ata i drejtuan edhe tanket mbi qytetarët. Njerëzit tanë që dolën në rrugë për të mbrojtur demokracinë u vranë duke rënë dëshmorë nga sulmet e helikopterëve. Kjo organizatë po ashtu ka dashur të kryejë një atentat ndaj presidentit të Turqisë. Komandanti i shtabit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura Turke bashkë me kolegët tjerë u rrëmbye dhe u dërgua në bazën e organizatorëve të grushtit të shtetit. Ushtarët dhe policët që donin ta parandalonin grushtin e shtetit u martirizuan nga vetë “miqtë” e tyre.

Nuk ka nevojë t'u jap leksione kosovarëve, sidomos atyre të moshës së mesme dhe atyre në moshë të shtyrë për ndjenjën e dhunës ushtarake kundër civilëve. Megjithatë, më lejoni t’jua përkujtoj se njerëzit tuaj nuk ishin ata që i përjetuan këto ndjenja. Kështu që ndoshta mund të kuptoni se çfarë tmerri dhe terrori përjetuan atë mbrëmje qytetarët e zakonshëm. Ndoshta në këtë mënyrë mund t’i kuptoni kërcënimet e vërteta të rrjetit terrorist “Feto”, të udhëhequr nga një terrorist, i cili fshihet prapa maskës së një kleriku, në fakt i cili pretendon se është “Imami i gjithësisë” dhe “Mehdiu”.

Falë rezistencës demokratike të popullit tonë, e cila u shpërfaq në sheshe, falë mbështetjes së oficerëve ushtarakë dhe policorë që refuzuan t’u bashkohen tradhtarëve dhe po ashtu qëndrimit të vendosur të udhëheqjes politike, sidomos të presidentit, kemi arritur ta mposhtim këtë sulm terrorist. Nuk i lamë rrugë grushtit të shtetit, e mbrojtëm demokracinë, vendin dhe popullin tonë.

Përpjekja e grusht shtetit e 15 korrikut në thelb është vetëm pjesa e dukshme e ajsbergut, duke pasur parasysh krimet e kryera nga organizata terroriste e “Feto”-s për dekada të tëra. Nuk duhet të harrohet se përpjekja e tentativës për grusht shtet u krye për shkak se kërcënimi i strukturës u kuptua dhe u morën masa kundër kësaj organizate. “Feto”-ja në vitin 2012 dhe 2013 kishte tentuar ta përmbysë me mënyra të ndryshme pushtetin, i cili ishte zgjedhur me vota të drejta dhe të lira, por nuk kishte pasur sukses.

A e dini pse? Sepse janë mbyllur kurset e menaxhuara nga “Feto”-ja. Kurset, shkollat dhe konviktet në Turqi për më shumë së 40 vjet ishin burime financiare për rrjetin terrorist, i cili është ndërtuar me një fshehtësi maksimale, njëkohësisht ishin burim i qasjes te fëmijët e familjeve me ndikim të madh në politikë, ekonomi, medie dhe në shoqërinë civile. Ky rrjet i klasave – shkollave - konvikteve, i cili siguron një mburojë të ligjshme shumë të përshtatshme për të fshehur natyrën e ndotur të “Feto”-s, rekrutoi militantët e organizatës terroriste dhe infiltroi në të gjitha institucionet shtetërore, posaçërisht të fokusuar në departamentet kritike si ato ligjore, IT dhe burime njerëzore. Këta militantë duke vjedhur pyetjet e provimeve pranuese të shkollave ushtarake e universiteteve kanë rritur praninë e tyre në ushtri, polici, gjyqësor, institucionet tjera kritike, kryesisht ato të lidhura me komunikim dhe IT. Për të siguruar që militantët e FETO-s të gradohen me shpejtësi në nivele më të larta, anëtarët e kësaj organizate të infiltruar në institucionet policore dhe gjyqësore, duke paraqitur prova të rreme dhe fiktive kundër njerëzve të pafajshëm, mijëra oficerë ushtarakë, policorë dhe burokratë u larguan nga detyra dhe u burgosën.

Kjo organizatë terroriste aktivitetet e tyre i ka financuar përmes bankave, kompanive, OJQ-ve dhe medieve, por edhe duke bërë shpëlarje parash. Ata gjithashtu duke krijuar një strukturë serioze të inteligjencës, kanë përgjuar biseda telefonike, zyra, shtëpi të njerëzve në pozita të ndryshme dhe të larta për t’i kërcënuar ose për t’i ekzekutuar në të ardhmen. Si një shembull konkret kjo organizatë i ka etiketuar 277 mijë oficerë të policisë, duke i klasifikuar se a janë anëtarë të kësaj organizate dhe a kanë shënuar përparim në nivelin e lojalitetit të tyre ndaj kësaj organizate. 

Që nga 15 korriku 2016 kemi marrë masat e nevojshme kundër kësaj organizate terroriste përmes hetimeve dhe proceseve gjyqësore. Duke iu përmbajtur parimeve të një shteti ligjor, kemi pastruar organizatat tona shtetërore nga militantët e kësaj organizate, kemi shuar strukturën paralele shtetërore, kemi tharë burimet të cilat kanë financuar aktivitetet terroriste të organizatës në Turqi dhe u kemi dhënë fund aktiviteteve të shoqërive civile dhe institucioneve mediatike, të cilat i kanë pasur nën kontroll. Në kuadër të dëshmive shtesë të marra në proceset gjyqësore dhe rrëfimet e anëtarëve të organizatës terroriste, të cilët janë penduar, kemi konfirmuar që ky sulm terrorist dhe shumë krime të tjera të kryera në të kaluarën janë kryer me urdhra nga udhëheqësi i FETO-s, Fetullah Gylen, i cili ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

Jemi të vetëdijshëm se gjatë tre vjetëve të kaluara që nga përpjekja e grusht shtetit kjo organizatë e përhapur në 160 vende me burime financiare prej 25 deri në 50 milionë dollarë, ku shkollat, konviktet, spitalet, kompanitë, OJQ-të dhe mediet i ka përdorur për të shpifur ndaj Turqisë dhe për të devijuar perceptimet lidhur me masat e marra për të mbrojtur demokracinë, vendin dhe popullin tonë. Mos u habitni nga keqpërdorimet e argumenteve në lidhje me numrin e madh të anëtarëve të kësaj organizate, që janë shkarkuar dhe arrestuar. Mos harroni, ju lutem, që të gjitha mekanizmat administrativë dhe gjyqësorë të apelit janë në funksion. Mos harroni që Turqia me 80 milionë banorë lufton me një rrjet terrorist shumë të madh, i cili me dhjetëra vite ka qëndruar i fshehtë dhe ka kryer aktivitetet duke mashtruar. Si një shembull konkret, inteligjenca jonë ka zbuluar serverin kryesor të komunikimit “bylock”, që ka shërbyer për komunikim brenda kësaj organizate për 250 mijë përdorues. Po ashtu, sikur aplikacionet tjera të komunikimit, të cilat i kemi zbuluar, edhe kjo ka qenë në përdorim vetëm për militantët e kësaj organizate. Militantët përmes këtyre aplikacioneve kanë urdhëruar kryerjen e shumë krimeve. Besoj se jeni kureshtarë të dini se si kjo organizatë terroriste kishte mundësinë të rritej kaq shumë ndër vite përmes këtyre aktiviteteve të pista. Sigurisht gjatë viteve shumë prej tyre kanë ngritur dyshime ndaj kësaj strukture, duke përfshirë edhe ata që ishin larguar nga kryerjet. Mirëpo sot në shumë vende, duke përfshirë edhe Kosovën, organizata në fjalë, duke u fshehur pas maskës së “punuarit ligjërisht”, ka përdorur metodat marramendëse të mashtrimit nga ndjekësit e saj dhe përmes aktiviteteve bllokuese të militantëve të tyre në institucionet e policisë, gjyqësorit, medieve dhe OJQ-ve: kanë vonuar të kuptoni fytyrën e vërtetë të kësaj organizate terroriste. 

Megjithatë, tani si Turqia i kemi pastruar elementet e kësaj organizate terroriste nga vendi ynë. Ndërsa pastrohemi nga këta terroristë, bëhemi shumë më të fortë. Ne vazhdojmë t'i paralajmërojmë të gjithë miqtë tanë rreth kërcënimit të paraqitur nga organizata terroriste FETO.
Me kënaqësi po e shohim që në të gjithë botën ndërgjegjësimi ndaj kësaj strukture terroriste po rritet dita ditës, njerëzit kanë filluar të kuptojnë se ky është një strukturim dinak i fshehur nën maskën e lëvizjes arsimore, agjencitë e inteligjencës së shume vendeve kanë marrë nën llupë këtë organizatë dhe në vende të ndryshme e organizata ndërkombëtare e kanë shpallur FETO-n organizatë terroriste.

Të nderuar miq kosovarë,

Duhet të dini që përveç atyre që u dëbuan në vende të treta, mbi 110 anëtarë të FETO-s nga më shumë se 20 vende janë dëbuar për në Turqi. Po ashtu nga vende të ndryshme janë duke vazhduar dëbimet e militantëve, të cilët mundoheshin të fshiheshin pas identiteteve të pafajshme, në mënyrë që të gjykoheshin në vendin tonë. Në anën tjetër, në 36 vende janë ndërprerë aktivitetet e shkollave dhe të kurseve të FETO-s, ndërsa fondacioni “Maarif” nga Turqia ka marrë përsipër ato në 18 vende.

E gjithë këto duhet t’i dini jo për shkak të miqësisë së Kosovës dhe Turqisë, e cila ekziston prej shekujsh, por për ta mbrojtur demokracinë, vendin dhe popullin tuaj. Duhet që këto t’i dini për të marrë mësim nga gabimet e Turqisë, gabime të cilat i ka bërë në të kaluarën, por edhe për të qenë të gatshëm që ta parandaloni dëmin që mund ta shkaktojë kjo organizatë terroriste në Kosovë në të ardhmen. Këto duhet t’i dini në mënyrë që të parandaloni dhe të mos vonoheni derisa kjo organizatë shndërron fëmijët e Kosovës në armiqtë e saj.

Duhet të jeni të informuar për këto çështje për të tejkaluar agjendën mashtruese të këtyre terroristëve të plasuar ndaj opinionit publik tuaj kurdoherë që Kosova t’i ndërmarrë masat e nevojshme (masat të cilat i vlerësojmë shumë) kundër kësaj organizate terroriste, si dhe për të parandaluar që Kosova të bëhet një strehë e sigurt për ta. Të gjitha këto duhet t’i dini se masat kundër kësaj organizate të pistë nuk duhet të vlerësohen në kuadër të të drejtave të njeriut, por në perspektivën e luftës kundër terrorizmit.

(Autori është ambasador i Republikës së Turqisë në Prishtinë)

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK