Zërat
Ibrahim Kalin
Ibrahim
Kalin

Jo, Turqia nuk e ka braktisur perëndimin

Zërat July 29, 2019 - 13:00

Blerja e sistemit mbrojtës ajroj “S-400” nga Rusia ka rikrijuar një debat të vjetër nëse Turqia po largohet nga perëndimi. Akuzat kundër vendit variojnë nga ato të brendshme, si autoritarianizmi i presidentit Rexhep Tajjip Erdogan e deri te dëmtimi i NATO-s jashtë.

Akuzat janë të pabaza. Tregojnë për një dështim të madh të kuptimit dhe të injorimit të qëllimshëm, të shqetësimeve të sigurisë legjitime të Turqisë, dinamikave rajonale në të cilën vepron dhe realiteteve më të mëdha gjeopolitike.

Pretendimi se Turqia nuk është më një aleat i besueshëm i NATO-s nuk ka bazë. Përkundrazi, Turqia ka luajtur dhe vazhdon të ketë një rol vendimtar në të gjitha misionet kryesore të NATO-s, nga Kosova dhe Bosnja, në Liban dhe në Afganistan. Si anëtare myslimane ajo ka luajtur gjithashtu një rol kyç në mbylljen e hendekut të perceptimeve dhe atij kulturor midis Aleancës dhe botës së madhe myslimane. Pyetja për pozicionin e Turqisë në NATO nuk dallon nga pyetjet e integritetit dhe të rëndësisë së NATO-s në shekullin 21. Si admirali James Stavridis, një ish-komandant suprem i NATO-s, që kishte thënë: “Humbja e kombit me ushtrinë e dytë më të madhe në aleancë do të ishte një gabim i rëndësishëm gjeopolitik”.

Tendenca e fundit për të përshkruar Turqinë si të përjashtuar vjen kryesisht nga dy çështje kryesore. E para është vendimi i Turqisë për të blerë sistemin rus të mbrojtjes ajrore “S-400”, i cili ka çuar në një krizë me Shtetet e Bashkuara. E dyta është vendimi i Turqisë për të vazhduar kërkimet dhe shpimet në Mesdheun Lindor, që ka shkaktuar krizë me Bashkimin Evropian. Por do të ishte gabim të mendojmë se këto janë të vetmet çështje që na kanë zbarkuar në krizën aktuale. Kriza është urgjente dhe kërkon një perspektivë më të gjerë. Aleanca nuk do të thotë monopol: kjo nuk do të thotë se disa anëtarë janë të lirë të imponojnë agjendën e tyre ndaj të tjerëve. NATO-ja nuk mund të funksionojë siç duhet kur shqetësimet e sigurisë të të gjithë anëtarëve nuk merren seriozisht. Turqia nuk është në përjashtim.

Turqia u bashkua me aleancën perëndimore një shekull më parë, pavarësisht faktit se kishte një luftë të përgjakshme të pavarësisë kundër fuqive evropiane. Ajo ka mbetur kryesisht e përkushtuar ndaj parimeve të demokracisë shumëpartiake, sundimit të ligjit, tregjeve të lira dhe sinqeritetit ndaj botës. Pas bashkimit me NATO-n, në vitin 1952, Turqia është bërë pjesë integrale e arkitekturës së sigurisë perëndimore.

Gjatë dekadës së fundit Turqia ka zgjeruar pikëpamjen e saj të politikës së jashtme - siç kanë bërë SHBA-ja, Franca, Gjermania, Britania e Madhe dhe të tjerët në botën multipolare.

Kjo bazohet në të kuptuarit se politika e jashtme nuk është “zero sum game” dhe rruga përpara nuk ka një qasje redukcioniste dhe ekskluziviste, por më tepër një perspektivë të fuqizimeve reciproke. Turqia ka aq shumë të drejtën për të mbrojtur interesat e saj në Lindjen e Mesme ose në Afrikë, siç kanë Franca ose SHBA-ja në këto rajone ose në vende tjera.

Kështu që, pyetja e vërtetë nuk është nëse Turqia po largohet nga perëndimi, por pse shqetësimet legjitime të sigurisë së Turqisë po injorohen në mënyrë sistematike. Ekziston një listë e gjatë e këtyre shqetësimeve. Lufta e Turqisë kundër grupit terrorist kurd PKK ka hyrë në dekadën e tij të katërt dhe mbështetja që ka marrë nga aleatët e saj ka qenë e paqëndrueshme dhe e pamjaftueshme. Turqia ka marrë edhe më pak mbështetje dhe përkrahje në luftën e saj kundër gulenistëve, veçanërisht pas përpjekjes së grushtit të shtetit të 15 korrikut në 2016-n, kur vdiqën 251 qytetarë dhe mbi 2000 u plagosën. Sot PKK-ja dhe gulenistët punojnë lirshëm në vendet perëndimore. Kërkesat e përsëritura të Turqisë për ekstradimin e anëtarëve të këtyre rrjeteve terroriste kanë rënë në vesh të shurdhër.

Shqetësimet e Turqisë për siguri janë rritur pas fillimit të luftës civile në Siri, në vitin 2011. Edhe pse Turqia mban barrën më të madhe të krizës më të madhe të refugjatëve në kujtesën e fundit, ajo ka marrë pak mbështetje financiare dhe politike. Vendimi i administratës së Obamës për t'u bashkuar me krahët politikë dhe ushtarakë të PKK-së në Siri më tej ka dëmtuar lidhjen e besimit mes dy aleatëve. Kjo politikë, që aktualisht vazhdon në administratën “Trump”, përbën gjithashtu një kërcënim serioz për integritetin territorial dhe për unitetin politik të Sirisë dhe hap vendin për luftëra të deleguara (proxy war) përgjatë vijave etnike dhe sektare.

Përpjekjet e përsëritura të Turqisë për të blerë sistemin e mbrojtjes raketore “Patriot” nga SHBA-ja, për fat të keq, nuk kanë rezultuar në asnjë marrëveshje. Ajo që ishte më e keqe ishte vendimi i administratës “Obama” për të hequr “Patriotët” nga Turqia në vitin 2015, ndërsa Turqia mbeti nën kërcënim nga lufta siriane. Përpjekjet e Turqisë për të blerë sistemin “Patriot” gjatë dy vjetëve të fundit nuk kanë dhënë rezultate. Sistemi rus i mbrojtjes ajrore nuk ishte zgjedhje, por ishte domosdoshmëri për Turqinë.

Një situatë e ngjashme e neglizhencës dhe zhgënjimit ka ngatërruar marrëdhëniet midis Turqisë dhe BE-së mbi çështjen e Qipros. Evropianët e dinë se sa përpjekje ka bërë Turqia për zgjidhjen e çështjes qëkur plani Annan i vitit 2004 u pranua nga turqit qipriotë dhe u refuzua nga grekët qipriotë. BE-ja, duke pranuar grekët qipriotë në BE si anëtarë të plotë pa zgjidhjen e çështjes, jo vetëm që shkeli parimet e veta, por gjithashtu kreu një padrejtësi të madhe ndaj turqve qipriotë.

Turqia nuk po largohet nga perëndimi ose nga ndonjë pjesë tjetër e botës. Përkundrazi, po zgjeron dhe diversifikon opsionet e politikës së jashtme, por është duke u mënjanuar, pa marrë parasysh sigurinë dhe integritetin e NATO-së. Në vend që ta instrumentalizojnë Turqinë për interesat e tyre afatshkurtra, miqtë dhe aleatët tanë perëndimorë duhet ta trajtojnë Turqinë si një partner të barabartë dhe të adresojnë shqetësimet e sigurisë në një mënyrë serioze. (Bloomberg)

(Autori është zëdhënës dhe këshilltari kryesor i Presidencës së Turqisë)

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK