Zërat
Enver Robelli
Enver
Robelli

Për një koalicion kundër krimit

Zërat August 27, 2019 - 18:42
Detajet

Një koalicion parazgjedhor i LDK-së me VV-në është kërkesë e frymës së kohës. Por ky koalicion arrihet vetëm me mirëbesim, jo me barrikadim në istikame partiake. Një opsion i mundshëm: Vjosa Osmani në postin e kryeministres, Albin Kurti në postin e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm. Nuk ka nevojë të ketë zëvendëskryeministra të tjerë. Kështu në krye të qeverisë do të ishin praktikisht dy figura të reja me plot energji, të cilat do të kujdeseshin që me mirëbesim të plotë të zbatonin në praktikë programin e përbashkët qeverisës. Duhet pak fantazi për të prekur horizontin. Dhe gatishmëri për kompromise.

 Nuk është tragjedi nacionale nëse nuk arrihet një koalicion mes LDK-së dhe VV-së. Është humbje e një shansi të madh, por mund të lidhet një koalicion për qeveri edhe pas zgjedhjeve. Gjasat që LDK dhe VV të prijnë pas zgjedhjeve po duken të mëdha, ndonëse mund të ketë befasi, të cilat pastaj mund ta lënë me gishta në gojë ose udhëheqjen e VV-së ose atë të LDK-së. Dhe pas do të mbesin qytetarët e dëshpëruar.

Me një koalicion të madh kundër krimit minimizohen gjasat që të marrin pushtet partitë që kanë sunduar deri më tani. Një koalicion parazgjedhor i LDK-së me VV-në është kërkesë e frymës së kohës. Por ky koalicion arrihet vetëm me mirëbesim, jo me barrikadim në istikame partiake, jo me deklarata e statuse në mediat sociale.

Sidoqoftë: pas zgjedhjeve këto dy parti, LDK dhe VV, mund të jenë determinuese për krijimin e qeverisë së re. Me një koalicion parazgjedhor këto dy parti do t’i jepnin hov edhe më të madh shpresave për ndryshim. Mesazhi nga qytetarët që e duan shtetin e Kosovës është ky: përqendrohuni të e ardhmja! Kandidatja e LDK-së për postin e kryeministres Vjosa Osmani tha se e konsideron VV-në «partner strategjik» në qeverisjen vendit. Nuk ka arsye të mos i besohet.

Elektorati i LDK-së është i elektrizuar me nominimin e Vjosa Osmanit. Kjo është deri-diku e kuptueshme duke pasur parasysh qëndrimet kritike të Osmanit ndaj keqqeverisjes. Osmani vjen me imazhin e politikanes së paharxhuar. Në ngurrimin e LDK-së për të hyrë në koalicion parazgjedhor me VV-në luan rol edhe sjellja e VV-së ndaj kësaj partie gjatë kohës kur ishte Isa Mustafa kryetar i qeverisë. Prej sulmeve të kokëboshëve të VV-së ndaj shtëpisë së tij deri te gazi lotsjellës, i futur me dhjetëra herë në Kuvend (me lejen e kujt?) – shumë nga këto rrëshqitje të VV-së nuk janë harruar, jo vetëm nga LDK, por as nga opinioni. Luan rol edhe e kaluara e VV-së, e cila e ka parë shtetin e Kosovës si diçka të përkohshme rrugës për t’u bashkuar me Shqipërinë. Prej se kryeministri i Shqipërisë ka filluar të përkrahë idetë e Serbisë për ndarjen e Kosovës (me Shqipërinë), fatmirësisht edhe Albin Kurtit i janë hapur sytë edhe më mirë dhe ky është një zhvillim shumë i mirë për të si politikan dhe për Kosovën si shtet.

Përkrahësit e Vetëvendosjes janë të bindur se Kosova nuk ka kandidat tjetër më të mirë për të drejtuar qeverinë se Albin Kurti. Është e drejtë e tyre të mendojnë ashtu, madje mund të jetë ashtu. Por insistimi i disave në VV se në zgjedhjet e fundit partia e tyre ka fituar 200 mijë vota, andaj me automatizëm i takuaka kandidatura për kryeministër në një koalicion me LDK-në, duket paksa pretencioz, sepse, siç dihet, VV ka pësuar një dramë me çarjen e partisë. VV po e merr veten më shpejt se ç’pritej dhe këtu meritat e Albin Kurtit janë të mëdha, por VV-ja e re e Kurtit nuk është matur ende në garë elektorale. Rritja e VV-së e shpjegon edhe nervozizmin e atyre që u larguan nga VV dhe tani harxhojnë shumë kohë në mediat sociale duke u marrë me ish-partinë e tyre – në vend se t’i tregonin qytetarëve se çfarë ofrojnë më shumë përveçse uljes në prehrin e Ramush Haradinajt.

Sa i përket LDK-së dhe VV-së: të dy partitë dhe përkrahësit e tyre duhet të kenë kujdes dhe të mos i përshkruajnë Osmanin dhe Kurtin me tone mesianiko-profetike. Çdo shoqërie i bën mirë kur NUK beson në profetë politikë. Sepse investimi me vota në profetë politikë mund t’i kushtojë shumë një demokracie të brishtë siç është Kosova. Na duhen politikanë tokësorë, të tillë që e dinë sa kushton një kilogram bukë, na duhen politikanë që e dinë çka domethënë të shkosh në spitalet e Kosovës, na duhen politikanë që e dinë se fshatrat e Kosovës po zbrazen, politikanë që e dinë sa është rroga minimale në Kosovë, na duhen politikanë që janë të gatshëm të marrin vendime të dhimbshme për të tashmen që të bëhet më mirë në të ardhmen.

Na duhen politikanë që e kuptojnë se Kosovën e presin momente të vështira në negociatat me Serbinë për shkak se pushtetet e deritanishme me strategjitë e tyre naive i kanë hapur udhë Serbisë të kërkojë territor të Kosovës ose së paku një lloj Republike Serbe brenda Kosovës. Në këtë tren janë ngjitur edhe segmente të bashkësisë ndërkombëtare dhe akterë të rëndësishëm të administratës së Donald Trumpit. Do të duhet energji e dije për t’u përballur me presionin ndërkombëtar. Kosova mund të gjendet në pozicionin e keq për të zgjedhur mes murtajës dhe keq për të zgjedhur mes murtajës dhe kolerës: ose prishje të kufijve të saj ose pranim i bashkësisë së komunave serbe brenda Kosovës, një lloj bombe me sahat. Në tregun politik momentalisht nuk ka plane të tjera dhe qeveria e ardhshme (nëse do të krijohet nga LDK dhe VV) do të ballafaqohet edhe me këtë problem të madh. Nëse shohin më larg se mandati katërvjeçar, liderët e LDK-së dhe VV-së duhet të kalojnë me guxim mbi hendeqet që i ndajnë. Isa Mustafa e Albin Kurti e kanë këtë shans. A do ta shfrytëzojnë? Qe një opsion i mundshëm: Vjosa Osmani në postin e kryeministres, Albin Kurti në postin e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm. Nuk ka nevojë të ketë zëvendëskryeministra të tjerë. Kështu në krye të qeverisë do të ishin praktikisht dy figura të reja me plot energji, të cilat do të kujdeseshin që me mirëbesim të plotë të zbatonin në praktikë programin e përbashkët qeverisës. Duhet pak fantazi për të prekur horizontin. Dhe gatishmëri për kompromise. Por nëse VV dhe LDK janë të bindura se dalja individualisht në zgjedhje i plotëson më mirë egot e udhëheqjeve, mund ta bëjnë edhe këtë. Vetëm pas zgjedhjeve – nëse bën vaki ndonjë e papritur – të mos e terrorizojnë popullin me arsyetime.

Shkruan Enver Robelli

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK