Zërat
Enver Robelli
Enver
Robelli

Diva e feminizmit islamik

Zërat September 05, 2019 - 12:25
Lexoni detajet

Në islam, shkruan Fatima Mernissi, «tërë sistemi mbështetet në imagjinatën se gruaja na qenkësh një krijesë e fuqishme dhe e rrezikshme. (…) Të gjitha institucionet seksuale – poligamia, leçitja, ndarja e gjinive – janë pjesë e një strategjie për të kufizuar pushtetin e gruas».

Fatima Mernissi nuk kërkoi argumente në Perëndim. I gjeti në kuluturën dhe traditën e islamit. Ajo shkruan se as Kurani, as profeti nuk ia ndalojnë grave të drejtat e barabarta – këtë grave ua ndalon elita e burrave.

«Ne gratë myslimane mund të marshojmë me kokën lart në modernizëm, duke e pasur të qartë se dinjiteti, demokracia, të drejtat e njeriut (…) nuk burojnë nga vlerat e importuara perëndimore, por i përkasin thelbit të vërtetë të traditës myslimane», shkruante ajo.

Njëherë Fatima Mernissi e filloi në referat me këto fjalë: «Zonja dhe zotërinj, unë jam bizare». Sipas revistës gjermane DER SPIEGEL me këtë ajo dëshironte të thoshte: jam tepër e madhe dhe e hollë për një grua në një shoqëri, ku ideali i bukurisë është të jesh e vogël, jam tepër e zhurmshme për një shoqëri, ku gratë duhet të heshtin, jam tepër e lirë, tepër e shkathtë me retorikë, tepër kryeneçe. Nagib Mahfuzi, nobelisti egjiptian i letërsisë, e ka quajtur Fatima Mernissin intelektualen më me ndikim të botës arabe. Ajo theksonte se mendimi zanafillor i islamit nuk ka të bëjë me shtypjen e gruas. Fatima Mernissi u rrit në një harem në Marok, studioi në Sorbonne të Parisit, doktoroi në Amerikë dhe punoi si profesore në Rabat. Librat e saj janë përkthyer në më shumë se 30 gjuhë.

«Empowerment» – kjo ishte fjala që ajo e përdorte shpesh. Domethënë: t’u mundësohet grave që fatin e tyre ta marrin në duart e tyre. Për këtë ato duhet të jenë luftëtare me pasion. Fatima Mernissi përfaqësonte tezën se mbi bazën e teksteve islamike mund të arsyetohet pjesëmarrja e grave në pushtet, qeverisje, si dhe çlirimi seksual nga zgjedha e patriarkatit.

Fatima Mernissi shkruan se islami e ndien veten të kërcënuar dyfish: «nga jashtë prej jobesimtarëve dhe nga brenda prej grave». Islami «nuk e lufton seksualitetin – për shembull duke e përmbajtur trupin -, por gruan. (…) Ajo është fitna, inkarnacion i një gjëje që s’mund të sundohet».

Çka sinjalizon shamia? Ajo sinjalizon se ekzistojnë dy krijesa femërore: ato që mbulohen na qenkan fetare, të moralshme dhe më të mira se ato që nuk bartin shami. Me një rast Fatima Mernissi ka deklaruar: «Nëse ne gratë i ndezim burrat aq shumë, a nuk do të ishte e përshtatshme të mbulohet shikimi i tyre që ata të mbrohen nga instinktet e veta?»

Kjo është logjikë e mbrapshtë, pa asnjë dyshim, sepse nënkupton që gratë duhet të mbulohen sepse burrat ende nuk i kanë mësuar dhe përvetësuar rregullat e sjelljes së civilizuar./DialogPlus

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK