Zërat
Enver Robelli
Enver
Robelli

Ibrahim Rugova kurrë nuk ka thënë se UÇK është vegël e Serbisë

Zërat September 24, 2019 - 13:48
Detajet

E ka quajtur trupë kryengritëse që ka të drejtë të mbrojë pragun e shtëpisë. Por Ibrahim Rugova ka tërhequr vërejtjen se Serbia mund të ketë futur njerëz (spiunë) edhe në strukturat komanduese të UÇK-së. Mbrëmë në intervistë për «T7» Sami Lushtaku, një figurë qendrore e UÇK-së, tregoi hapur se Shërbimi Informativ i Serbisë ka infiltruar njerëz në UÇK. Lushtaku tha: «Shërbimi Informativ i Serbisë ka qenë shumë i fortë dhe ka fut njerëz të vet në UÇK. (...) Ka pasur njerëz të Serbisë të infiltruar direkt në UÇK».

Ai shtoi se është absolutisht e vërtetë që Serbia ka pasur njerëz edhe në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së. Kjo është një deklaratë historike. Dhe kjo deklaratë do të ishte edhe më e rëndësishme nëse Sami Lushtaku do të tregonte se kush dyshohet të ketë qenë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe njëkohësisht argat i Serbisë. Vetëm kur të dalin në shesh emrat e të dyshuarve, vetëm kur ata të marrin dënimin e merituar, vetëm kur të përjashtohen nga jeta publike (sepse ata edhe sot mund të jenë aktivë), historia e UÇK-së do të rishkruhet. Ndoshta atëherë me më pak njolla - dhe me më shumë qartësi mbi luftën, mosmarrëveshjet mes poleve politike, vrasjet ndërshqiptare në luftë dhe pas luftës. Pas ndriçimit të së kaluarës nuk do të ketë më argumente për të njollosur Ibrahim Rugovën për shkak të deklaratave të tij për UÇK-në.

Ai mund të kritikohet (madje ashpër) për politikat e tij të pavendosura, për neglizhencën dhe vendnumërimin, por jo për disa të vërteta që i ka thënë hapur dhe me guxim të pashoq. Pas tërheqjes së trupave serbe nga Kosova më 1999, kur gjithandej nëpër Kosovë filluan vrasjet e aktivistëve politikë kryesisht të LDK-së, Rugova në një intervistë për DER SPIEGEL tha se tani duhet të kemi kujdes, të ruhemi nga «dreqërit tanë».

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK