Zërat
Mehmet Gjata
Mehmet
Gjata

As statistika s’kemi për ju, o njerëz të ikur!

Zërat September 28, 2019 - 08:28
Detajet

Numri i kosovarëve po zvogëlohet, madje drastikisht, nga migrimi. Por autoritetet tona sikur po frikësohen t’i bëjnë publike këto fakte. Pse të jenë të rëndësishëm numrat e të ikurve tani në kohë fushatash kur e rëndësishme është vetëm vota për fuqi politike? Vota për pushtet!

Kreu i Kamenicës, Qendron Kastrati, pati kurajën në këtë fillimvit shkollor për të kërkuar mbylljen e disa shkollave të fshatrave të kësaj komune të mbetura pa nxënës ose të mbetura me një, dy, tre ose më së shumti me 7-8 sosh. Kastrati tregoi publikisht se po zbrazen klasat. Se në shkollat e Kamenicës furishëm po zvogëlohet numri i nxënësve. Se popullsia e komunës së Kamenicës po tkurret! Por edhe se po rrallohet ndjeshëm numri i banorëve të Karadakut.

Pak a shumë, ngjashëm sikurse në fshatrat e Kamenicës, ka ndodhur dhe po vazhdon të ndodhë edhe në fshatrat e komunave të tjera të Kosovës, sado që nuk pati ndonjë zyrtar tjetër për të kërkuar mbylljen e shkollave për mungesë nxënësish. Thënë shkurt, gjithandej në vendin tonë ka kohë që ka vazhduar dhe nuk po ndalet migrimi i njerëzve. Për çdo ditë po ndodh shpërngulja pa kthim drejt botës.

Kosova po zbrazet pra! Numri i kosovarëve po zvogëlohet, madje drastikisht. Fshatra të tëra me 1, 2, 3... nxënës mbase kanë mbetur tashmë edhe në Llap, edhe në Anamoravë, në rajonin e Kaçanikut, të Ferizajt e të Dukagjinit. Këto janë fakte. Por autoritetet tona sikur po frikohen t’i bëjnë publike tërë këto. Po i heshtin, po i kamuflojnë ose objektivisht nuk i dinë shifrat dhe numrat e saktë të shqiptarëve, që po ia thonë lamtumirën vendit të tyre. Ne po e heshtim disfatizmin tonë me ikjen e popullsisë. Por për fat të mirë ose për fat të keq dikush po del përtej zyrave të administratorëve të padijshëm dhe të zyrtarëve autoritarë dhe të pandjeshëm, që po alarmon zbrazjen e Kosovës.

Kosova është vendi me shkallën më të lartë të humbjes së popullsisë si pasojë e migrimit. Kështu është thënë edhe përmes një raporti të publikuar nga gazeta prestigjioze “The Guardian”, si dhe nga EUROSTAT-i për periudhën 11-vjeçare 2007-2018.

Në tabelën me mbishkrimin “Shumë kombe të Evropës Lindore kanë parë që popullsia e tyre ka rënë ndërmjet viteve 2007 dhe 2018” Kosova renditet e para në listë me numrin më të madh të migrimit të popullatës jashtë vendit, e pasuar nga Lituania, Letonia, Bonjë e Hercegovina. E shtata në listë renditet Serbia, përderisa e nënta Shqipëria.

Të dhënat shqetësuese nuk përfundojnë me kaq. Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme këto ditë kanë bërë të ditur se vetëm gjatë periudhës janar - gusht të këtij viti 3519 persona janë liruar nga shtetësia, përkatësisht nënshtetësia e Republikës së Kosovës.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, që nga viti 2009 deri në vitin 2018 mbi 40 mijë shtetas të Kosovës kanë hequr dorë nga shtetësia. Mesatarisht, në vit nga nënshtetësia e Kosovës janë liruar më shumë se 5 mijë qytetarë. Pra, jemi kampionë. Gjendemi në vendin e parë për zbrazjen e popullsisë, deshëm ose s’deshëm ta pranojmë këtë fakt, ndonëse nuk kemi shifra të sakta për hemorragjinë migruese të kosovarëve, bashkatdhetarëve tanë, se po të kishim shifra të sakta (të publikuara nga institucionet) numri i qytetarëve që po e braktisin vendin do të na tmerronte.

Emigrimi i popullsisë, madje relativisht shqetësues, po ndodh edhe nga vendet e tjera të rajonit. Por ato vende mbajnë statistika fare të sakta për të ikurit e tyre. Më rastisi këto ditë të lexoj një shkrim për emigracionin numerikisht mjaft brengosës nga Kroacia (nga vendi me të hyra vjetore vetëm nga turizmi mbi 10 miliardë euro). Në këtë shkrim, pasi janë kalkuluar numrat e të shpërngulurve nga viset e ndryshme rurale dhe urbane kroate, konstatohej se Kroacinë brenda vitit e ka braktisur aq popullsi sa ka banorë qyteti i Karllovcit ose i Pulas. Secili kroat e di sa popullsi kanë këto qytete, përkatësisht secili kroat e ka të njohur se sa banorë të këtij shteti kanë ikur nga vendi i tyre brenda një viti.

Ne nuk kemi mundësi ta bëjmë një krahasim të tillë. Por sigurisht se po të ekzistonte një numër i saktë i të larguarve nga Kosova, do t’i kalonte përmasat e Karllovcit ose të Pulas kroate. Kjo pasi që përmasat e ikjes së popullsisë te ne janë shumë më agresive sesa te kroatët, gjithsesi.

Ne nuk merremi me këto statistika. Nuk merret shumë seriozisht dhe me kompetencë të duhur as Enti i Statistikave i Kosovës, as ministritë përkatëse të Qeverisë së vendit, as shoqatat joqeveritare, të cilat zhvatin jo pak mjete nga donacione të ndryshme dedikuar këtyre statistikave. Nuk merren as demografët, të cilat flasin me të dëgjuara se “po zbrazet Kosova” dhe një fjalë e vetme nuk u dëgjohet gjëkundi për këtë problem kaq shqetësues. Ka humbur ndjeshmëria tek të gjithë këta edhe për këtë problem akut, sikundër që ka humbur edhe për shumë çështje të tjera jetike dhe të rëndësishme për perspektiven eventuale të Kosovës. Nuk kanë kohë të preokupohen me shqetësimin e madh as politikanët dhe pretenduesit e ardhshëm për ta qeverisur Kosovën. Janë të zënë me fushatat shterpe dhe me premtime të stërpërsëritura e stereotipa për ta bërë “parajsë” Kosovën. Kërkojnë votat nga kosovarët, numrin e të cilëve nuk e dinë. A janë mbi 1 milion e nëntëqind mijë, numër i publikuar nga autoritetet, ose nën 1 milion e katërqind mijë sa po përflitet se është numri real i trupit votues kosovar.

Ndërkohë, njerëzit e Kosovës ikin. Me autobusë, me avionë, me vetura, me tragete, nëpërmjet Shqipërisë dhe Italisë. Nuk u ka mbetur më shpresë për të qëndruar në atdhe, ku askujt nuk “ia ndien” për fatin e bashkatdhetarëve, qoftë për ‘të ikurit”, qoftë për këta që kanë mbetur këtu në atdhe. Punë e madhe që nuk dihet numri i tyre. Pse të jenë të rëndësishëm numrat e të ikurve tani në kohë fushatash kur e rëndësishme është vetëm vota për fuqi politike. Vota për pushtet!

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK