Zërat
Enver Robelli
Enver
Robelli

Teksti më i hareshëm i javës!

Zërat October 01, 2019 - 16:33
Si të fluturoni pa gajle: një kolumne nga gazeta gjermane «Süddeutsche Zeitung».

«Streiflicht» – kështu quhet një rubrikë e gazetës gjermane «Süddeutsche Zeitung». Nuk është lehtë të përkthehet në shqip fjala «Streiflicht»: një dritë që shfaqet shkurt si thërrmijëz, përshkon diçka dhe shuhet. Mbase fjala shqipe «xixë» është më adekuatja. Sidoqoftë, «Streiflicht» botohet çdo ditë në shtyllën e parë të ballinës së «Süddeutsche Zeitung». Tekstet publikohen pa emrat e autorëve, ndonëse dihet se kush është anëtar i klubit «Streiflicht»: publicistët më të mirë të gazetës. Mënyra se si shkruhet «Streiflicht» është mahnitëse – me humor të heshtur, gjuhë të gjallë, krahasime që duken absurde dhe prapë kanë logjikë, përshkrim fenomenesh dhe trajtim filozofik të lajmeve që duken triviale.

Të shtunën e kaluar u botua një nga ata «Streiflicht-at» mahnitës. Në vijim përkthimi në shqip: «Një udhëtim me avion nuk është vetëm një masë e klasit të parë për të përshpejtuar ndryshimet klimatike, por shërben po ashtu edhe për përsosjen morale të njeriut, siç ka kërkuar para bajagi një kohe pionieri i aviacionit nga Königsbergu, Immanuel Kant, në shkrimin e tij ‘Themelet e metafizikës së moralit’. Kush ngjitet në avion, i nënshtrohet sfidave më të mëdha psikike. Ato fillojnë menjëherë me udhëzimet e sigurisë nga stjuardesat, të cilat e përgatisin pasagjerin për vdekjen e befasishme që nuk mund të përjashtohet krejtësisht. Më të tmerrshëm se vdekja, natyrisht, janë 180 bashkëudhëtarët, me të cilët je i grumbulluar si grup prej një qind minjësh të laboratorit, të cilët shkencëtarët i kanë ngujuar në një kafaz shumë të vogël për të hulumtuar sjelljen e tyre sociale. Rrjedhimisht, lypset një shkallë e skajshme e vetëdisiplinës, kur në karrigen afër teje komshiun e rëndë 150 kilogramë e zë gjumi pas birrës së dhjetë dhe duke gërhitur pushon mbi supin tënd. Në raste të tilla duhet të përmbahemi dhe pa lëvizuar fare të presim aterrimin. Gjumashëve s’duhet prishur gjumin.

Një problem mjaft delikat janë fëmijët, të cilët prindërit kanë qejf t’i deponojnë në një rend tjetër të karrigeve, që për vete të kenë një fluturim të qetë. Librin që e ke marrë me vete për ta lexuar, lirisht harroje. Carrokët e huaj shpesh t’i zgurdullojnë sytë pandërprerë thua se ti je jashtëtokësor, dhe kush nuk ju buzëqesh atyre në atë çast, puna e tij mori fund. Tash e tutje je i shtrënguar t’i argëtosh këta harbutë dhe të bësh fytyrën të hareshme kur ata ta derdhin mbi pantallona lëngun e domateve, i cili nuk u pëlqen. Nëse pasagjeri i maltretuar do të protestonte, kalamajtë do të çirreshin në kupë të qiellit dhe njeriu i gjorë do të demaskohej si armik i fëmijëve. Për t’iu shpëtuar shikimeve vrastare të pasagjerëve të tjerë dhe veçanërisht të prindërve, shpëtim i vetëm është kërcimi i menjëherëshëm nga avioni – me apo pa parashutë.

Në mënyrë që këto skena të pahijshme t’i takojnë të kaluarës, kompania ajrore Japan Airlines ofron tani një shërbim special për klientë që kanë fobi nga fëmijët. Kush bën ‘Check-in’ te kjo linjë ajrore, në planin e ulëseve mund të shohë se ku i kanë vendosur prindërit çiliminjtë e tyre. Sado e dobishme të jetë oferta, ajo është vetëm hapi i parë. Në planin e ulëseve do të duhej të ishte e dukshme se ku është ulur ai birrëpirësi plot tul e dhjamë, gërhitja e të cilit i simulon trumbetat e Jerichos. Dhe njeriu dëshiron të dijë se ku janë ulur pushtuesit e mbështetëseve për krahët dhe ku gjenden ata që e shtyjnë mbështetësen e shpinës, duke e ngujuar filanin mbrapa si në një instrument mesjetar të torturës. Mirë do të ishte të dihej po ashtu paraprakisht se kujt i duhet ajo qesja për të vjellur që quhet Air Sickness Bag. Kush nuk dëshiron të ketë asnjë gajle, le të rezervojë biletë te Thomas Cook. Atëherë mbetesh në tokë dhe s’ke asnjë hall.

Përktheu: Enver Robelli

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK