Zërat
Rejhan Vuniqi
Rejhan
Vuniqi

Efektet negative për Kosovën nga vendimi për të mos hapur negociatat e anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Zërat October 22, 2019 - 21:34

Vendimi i fundit i Këshillit Europian për të mos hapur negociatat e anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është një ngjarje, efektet e së cilës do të ndihen gjatë, dhe jo vetëm në të dy vendet e interesuara. Për këtë arsye është tërësisht normale që të analizohen disa prej skenareve që mund të verifikohen në rajonin e Europës Juglindore posaçërisht.

Mediatizimi i fuqishëm i kësaj ngjarjeje bëri që publiku i gjerë në rajon në përgjithësi, në Kosovë në veçanti,të informohet detajisht. Ky element duhet supozuar se rriti për pasojë ndjenjën e frustrimit në popullsitë tona kundrejt Bashkimit Europian. Është shumë vështirë të shpjegohet ndërsa shumica e krerëve të vendeve anëtare thonë se Shqipëria dhe Maqedonia e veriut i përmbushi kriteret kontraktuale me BE-në, se pse atëherë nuk u çelën negociatat.

Kosova pret prej disa vitesh liberalizimin e vizave dhe ndryshimi i rregullave të lojës, ndërsa loja është në zhvillim e sipër, krijon mosbesim se ky hap do të ndodhë së shpejti. Kosova në veçanti është një vend me popullsi të re, e lindur pas luftës çlirimtare, e cila u realizua falë dy kontributorëve kryesorë, Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Europian. Kjo popullsi e re nuk e ka përjetuar ndjenjën e borxhit të mirënjohjes ndaj këtyre vendeve dhe frustrimi aktual mund të prodhojë pakënaqësi të qëndrueshme.

Së dyti, në një klimë të tillë të përgjithshme, vendet tona që kanë përgjithësisht stabilitete të brishta politike rrëshqasin kollaj në humbje të ekuilibrave politikë, gjegjësisht destabilizim, kërkesë për zgjedhje të parakohshme, etj. Shikoni rastin e Maqedonisë së veriut ku Kryeministri duke mos rezistuar ndaj presionit të opozitës, apo arsye të tjera taktike shpalli zgjedhje të parakohshme dhe është rruges per te krijuar nje qeveri teknike deri ne zgjedhjet e ardhshme qe priten te mbahen ne fillim te vitit 2020. Në një situatë si kjo, si në lojën e dominosë edhe në vende të tjera do të ketë gjallërim të atyre forcave që duan që ky vendim i Bashkimit Europian, përkatësisht Francës e ndonjë vendi tjetër, të përjetohet si dështim i qeverisë. E për pasojë edhe ato do të kërkojnë zgjedhje të parakohshme.

Zhvillimi i njëkohshëm i zgjedhjeve të parakohshme në vendet tona, nuk është ndonjë skenar i këndshëm, as për partnerët europianë. Zgjedhjet e parakohshme janë të shëndetshme shpesh, por jo gjithmonë. Këto prekin jetën e qytetarëve në mënyrë thelbësore.

Së treti, imazhi i Francës preket pikërisht në mes të qytetarëve të vendeve tona. Për fat të mirë, Presidenti Macron e sqaroi se ai nuk donte në asnjë mënyrë që të ndahej Shqipëria nga Maqedonia e veriut. Mirpo dhe pa këtë ndarje, prapë se prapë edhe për shkak të disa raportimeve mediatike, tregohet me gisht Franca si vendi që bllokoi dhe vazhdon te bllokoje liberalizimin e vizave të Kosovës. Ishin gjermanet dhe francezet qe me ngulm deshironin inkuadrimin e vendeve te Ballkanit Perendimor ne Bashkimin Evropian, per te mos i lene hapesire ndikimeve te forcave te treta ne rajon. Kete e kemi degjuar dhe na eshte thene disa here ne shume takime bilaterale qe kemi pasur me keto dy shtete. Nëse në gjashtë muajt e parë ishin problem zgjedhjet europiane apo rritja e ekstremistëve në ato zgjedhje, është vështirë të shpjegohet në publikun tonë se pse Franca qëndron prapa këtyre vendimeve edhe tani.

Argumentet qe ata japin jane te pabaza dhe nuk kuptohen në publikun e gjerë, dhe për pasojë mund të ketë rrezik rritje të ndjesisë antifranceze. Kjo do të ishte dramatike për ne sepse Franca është vend qe ka kontribuar fuqishëm në lirinë tonë dhe në shtetësinë tonë. Do të ishte e padrejtë që të kemi efekte kundërprodhuese si ky për imazhin e Francës në viset tona.

Së katërti, ky vendim pritet të ndikojë në ritmet e dialogut të Kosovës me Serbinë. Ky dialog sipas rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, së shtatorit 2010, ndërmjetësohet nga Bashkimi Europian. Është normale që për të favorizuar përmbylljen e dialogut, ku fatmirësisht kemi përfshirje në rritje të Shteteve të Bashkuara, Bashkimi Europian do të ofrojë dhe karrota për njerën apo tjetrën palë- përshpejtim të ritmeve të anëtarësimit për Serbinë ; liberalizim vizash për Kosovën. Mirpo kur Maqedonia e veriut nuk u shpërblye, megjithë premtimet, pse duhet besuar se kjo do të ndodhë shpejt dhe me vendet tona ?

Për fat të mirë, Bashkimi Europian u zotua se do të kthehet tek kjo çështje në gjashtëmujorin e parë të vitit të ardhshëm. Madje flitet se Gjermania do të insistojë që të trajtohet në samitin e dhjetorit.

Mirpo sido që të jetë nuk mohohet aspak se vendimi i Presidentit Macron do të krijojë dinamika të padëshirueshme politike në vendet tona.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK