Zërat
Enver Robelli
Enver
Robelli

Dëshpërim me Europën apo me klasat tona politike?

Zërat tetor 27, 2019 - 19:06
Lexoni detajet

Shfryrjet e politikanëve shqiptarë në Shqipëri e Kosovë kundër Bashkimit Europian (BE) janë hipokrizi me brirë. Për shqiptarët në Ballkan alternativat e tjera përveç integrimit në BE janë të rrezikshme. Ka edhe modele të tjera krahas anëtarësimit në BE. Një model e ka propozuar Nisma Evropiane për Stabilitet (ESI) e Gerald Knausit, një austriaku kreativ dhe mbështetësi të madh të Ballkanit. Europianizimin, funksionalizimin dhe rregullimin e shteteve tona duhet ta bëjmë për shkak se është mirë për ne dhe jo sa për t’u dukur «të mirë» në Bruksel, Berlin apo Paris.

1.

Pasi Franca vuri veton kundër fillimit të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut, në lagjen politike shqiptare ka filluar një dalldi kolektive. Një dalldi dëshpërimi e mallkimi. Një garë se kush po e paralajmëron me tone më dramatike humnerën. «Shqipëria është vendi më i mjerë i Europës», tha një banues në studiot televizive. «Shqipëria – vend i qelbur», shtoi pastaj po ky banues i herëpashershëm i studiove televizive. «E kemi ditur përherë: s’jemi ne për Europë», shtojnë disa të tjerë. Pastaj ajo parulla fataliste që përtypet orë e çast: «Nuk bëhet ky vend». E thonë këtë njerëzit që në Tiranë nuk jetojnë keq, njerëz që kur zgjohen në mëngjes kanë një hall: të hamë sot peshk në Durrës apo më mirë byrek të shoqëruar me pak raki në Tiranë?

2.

Bllokimi i negociatave nga Franca sigurisht që është lajm i keq. Presidenti francez Emmanuel Macron dërgon një sinjal negativ ndaj rajonit. Ministrja e tij për çështje europiane procesin e zgjerimit e quajti një «soap opera pa fund», pra një lloj serie turke apo latinoamerikane që nuk merr fund kurrë. Ka mjaft politikanë të vendeve anëtare të BE-së që bllokadën franceze ndaj Ballkanit e quajnë «gabim historik», por ka edhe të tjerë që janë shumë të lumtur që Macron e tha atë që po e mendonin jo pak: BE nuk është e gatshme të pranojë shtete të reja anëtare. BE do të mund ta pranonte ndoshta Zvicrën, e cila nuk do të merrte para nga Brukseli, por do të paguante në arkën e përbashkët. Vendet e Ballkanit? Për to BE do të ishte vetëm një ent social. Kështu mendojnë skeptikët duke pasur parasysh përvojat jo vetëm me Rumaninë dhe Bullgarinë.

3.

A kanë Kosova dhe Shqipëria alternativa gjeopolitike? Në epokën e Josip Broz Titos Jugosllavia lozte mes blloqeve dhe luante një rol në lëvizjen e të painkuadruarve. Në vitet e sundimit të Enver Hoxhës Shqipëria përplasej në aleanca ideologjike, të cilat e shndërruan vendin në një Kore të Veriut me qasje në Mesdhe. A është sot alternativë afrimi edhe më i madh me Turqinë e Rexhep Taip Erdoanit? Jo. Sepse Turqia nuk është kurrfarë modeli, për më keq është antimodel. Ajo ishte nisur rrugës të bëhej model kur në dekadën e parë të këtij shekulli Erdoani reformonte vendin, ishte më liberal, ndoshta për shkak se i frikësohej ushtrisë, të cilën ndërkohë e ka futur nën kontroll, bashkë me shërbimet sekrete. Alternativë për Shqipërinë dhe Kosovën nuk janë as Rusia, as Kina – jo vetëm për shkaqe historike. Nuk duhet harruar: Shqipëria është anëtare e NATO-s, kjo është njëra prej të arriturave më të mëdha të qeverisë së prirë nga Partia Demokratike. Edhe heqja e vizave të Schengenit për shtetasit shqiptarë. Këto të arritura, kuptohet, nuk e amnistojnë Sali Berishën nga shumë gabime të rënda që ka bërë gjatë qeverisjes së tij.

4.

Cila është, atëherë, alternativa, nëse «Europa plakë» nuk na do në gjirin e saj? Së pari një ujdi nacionale se europianizimin, funksionalizimin dhe rregullimin e shteteve tona duhet ta bëjmë për shkak se është mirë për ne dhe jo sa për t’u dukur «të mirë» në Bruksel, Berlin apo Paris. Në çdo variant (anëtarësim pas 10 apo 20 vitesh) apo mbetje jashtë BE-së – shndërrimi i Kosovës e Shqipërisë në shtete funksionale ndihmon në përparimin e përgjithshëm. Së dyti: fati i Kosovës dhe i Shqipërisë është se gjeografikisht gjenden në Europë dhe raportet e tyre me BE-në do të marrin një formë kontraktuale, herët apo vonë. A ka diçka nën anëtarësim? Partneritet i privilegjuar, siç e propozonte kancelarja gjermane Angela Merkel për Turqinë, e cila tani për tani e ka djegur edhe këtë opsion? Nisma Europiane për Stabilitet (ESI) e Gerald Knausit, një austriaku kreativ dhe mbështetësi të madh të Ballkanit, ka propozuar që BE t’i pranojë në tregun e përbashkët gjashtë vendet ballkanike. Si model përmenden Norvegjia dhe Islanda.

Edhe një vend si Zvicra, e cila e ka luksin të refuzojë hyrjen në BE, megjithatë prej vitesh mundohet të rregullojë raportet me BE-në për shkak se gati gjysma e mallrave zvicerane të eksportuara në vlerë prej rreth 300 miliardë frangash shiten në Europë. Tash cinikët shqiptarë mund të thonë: po ne s’kemi as çfarë t’i shesim Europës? Kundërpyetje: a është e shkruar që të jetë përherë kështu? Jo. Nëse në dy dekadat e ardhshme në Shqipëri dhe në Kosovë do të kemi qeveri të tjera, të cilat janë të përkushtuara të punojnë për reformim dhe zhvillim të vendit, atëherë ka shanse, 

5. Politika e BE-së ndaj Ballkanit mund të jetë herë-herë cinike, e pasinqertë, e padrejtë, por shfryrjet e politikanëve në Kosovë e Shqipëri kundër Europës janë hipokrizi me brirë. Është padrejtësi që qytetarët e Kosovës ende nuk gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë në zonën e Schengenit, por a nuk ia ka zënë udhën Kosova vetvetes në dekadën e fundit? Mjafton një shembull: një vend ku vidhet edhe në tenderin e pasaportave biometrike, a arrin të fitojë besimin e qeverive të shteteve perëndimore? Edhe një shembull: a duket Kosova partner serioz në luftimin e krimit nëse vidhet edhe Dhoma e Dëshmive në policinë e Kosovës? Sot e atë ditë njeri i gjallë nuk ka dhënë përgjegjësi për këtë rast të rëndë. Shembuj të tjerë? Një po e shohim këto ditë: kolaps total i sistemit të drejtësisë në rastin e vdekjes së Astrit Deharit. Në Shqipëri kryeministri Edi Rama me kokëfortësinë e një shoferi që i futet së mbrapshti autostradës, po përpiqet që fajin për bllokimin e negociatave për anëtarësim t’ia lë vetëm «problemeve të brendshme» të BE-së. BE ka probleme të brendshme, këtu Rama ka të drejtë, por duke mos pranuar asnjë përgjegjësi të tij për dështimin, Rama po i bie murit me kokë dhe kësisoj nuk ka shans ta gjejë derën dhe dalë në terrenin e realitetit. Nuk mund të kërkosh hyrje në BE e të mbash ministër të Brendshëm me vite një person që – thënë më së buti – ka qenë partner i kontrabandistëve të drogës. Dhe dënohet me punë vullnetare: ujitje trëndafilash dhe aktivitetesh të ngjashme çlodhëse. Nuk mund të kërkosh hyrje në BE dhe të tallesh e ta kërcënosh një oficer policie, i cili bashkëpunon me autoritetet italiane, e denoncon tregtinë me drogë të pushtetarëve dhe detyrohet të kërkojë azil në Zvicër. Kur gjatë vizitës në Zvicër më 2016 Edi Rama u pyet për këtë rast nga gazetarët zviceranë, ai i krahasoi ata me kazanin mediatik të Tiranës. Nuk mund të kërkosh hyrje në BE kur oficer policie të kërkojnë azil në Holandë. Kur shqiptarët me javë të tëra jetojnë në kampe të improvizuara në Spanjë në pritje të një mundësie për të ikur në Britaninë e Madhe. Kur pensionistë italianë aterrojnë me avionë të vegjël në bregdetin shqiptar për t’u ngarkuar me kanabis. Barra e gjithë fajit, megjithatë, nuk bie mbi Edi Ramën. Bie edhe mbi paraardhësit e tij. Si nuk u dënua asnjë politikan i nivelit të lartë për Gërdecin? Si nuk u dënua askush për manipulimet financiare gjatë ndërtimit të autostradës që lidhë Shqipërinë veriore me Kosovën? Më shumë as që duhet lodhur lexuesin me shembuj të llahtarshëm. 6. NATO është garanci e sigurisë. Po Bashkimi Europian për ne shqiptarët çka është? Si duhet ta paramendojmë? Jo, nuk është ent social, as arenë e mundësive të pakufizueshme, por një hapësirë e lirisë dhe e shanseve për prosperitet personal dhe shoqëror. Ta shpjegojmë pak me Hans-Magnus Enzensbergerin, shkrimtarin e madh gjerman, i cili vite më parë ka shkruar një ese të mrekullueshëm mbi «përbindëshin e butë» të quajtur Europë: «Njerëzve që janë nën moshën 60-vjeçare nuk u kujtohet sa vështirë ka qenë pas Luftës së Dytë Botërore të shkosh në një vend fqinj. Një udhëtim në botën e jashtme nuk mund të merrej me mend pa një luftë të gjatë burokratike. Kush dëshironte të kalonte një kufi, duhej të prezantonte ftesën me shkrim të vulosur nga noteri, të plotësojë tre ekzemplarë me kërkesën për vizë për të marrë lejen e qëndrimit, të kapërcejë dispozitat e ndërlikuara të devizave dhe një duzinë barrierash të tjera. Nëse dëshiroje të merrje një libër nga bota e jashtme, duhej një procedurë e mërzitshme në drejtorinë e doganave. Kur prisje një transferim parash nga Franca apo kur duhej të paguaje një faturë në Spanjë, kjo i ngjante një akti të nivelit të lartë shtetëror, i cili nuk mund të zbatohej pa një grumbull vulash zyrtare. Sot kujtimet për atë kohë janë zbehur». Është bërë e mundshme që çdo shtetas i BE-së të jetojë ku të ketë qejf në vendet anëtare, të paguajë në gati gjithë Europën me të njëjtën valutë. Një aparat elektrik mund ta kyçësh gati kudo, sepse falë BE-së janë unifikuar prizat. Dhe janë hequr tarifat e telefonave mobilë. BE është mbrojtëse e qytetarëve nga kartelet, oligopolet, mashtrimet proteksioniste. BE mbron edhe ata që nuk pinë duhan. Mund të qeshin njerëzit edhe me dispozitën numër 1677/88 të BE-së, e cila thekson se klasa «ekstra» e kastravecëve guxon të nxirret në treg vetëm nëse harku nuk i kalon dhjetë milimetra në dhjetë centimetra gjatësi. Ndërkohë kjo dispozitë është hequr, por kanë mbetur qindra të tjera dhe të gjitha tregojnë se BE është një laborator i madh, një që jep para edhe për një rrjet që paguan shkrimtarë e përkthyes në Ballkan për shkëmbime letrare mes popujve. Është detyrë gjeneratash që vendet si Kosova dhe Shqipëria të integrohen në BE. Para se të mendohet në anëtarësim (i cili s’duket askund në horizont), duhet të mendohet në sundimin e ligjit. Jo për shkak të Brukselit. Për t’i bërë Kosovën e Shqipërinë vende ku sundon ligji duhet të kemi politikan që nuk kanë arsye t’i frikësohen sundimit të ligjit. 

Ata që kanë arsye – ata i frikësojnë dhe kontrollojnë prokurorët dhe gjykatësit. Dhe kështu ka qenë në Shqipëri qe gati 30 vjet dhe në Kosovë qe 20 vjet. Të dëshpërohemi me Europën apo me sundimtarët e Kosovës dhe Shqipërisë? Pastrimi fillon nga shtëpia. Gjithmonë.