Zërat
Enver Robelli
Enver
Robelli

Mbi burrat e zakonshëm me barqe të zakonshme birre, të cilët 1425 ditë me radhë vranë 11 mijë njerëz në Sarajevë

Zërat November 04, 2019 - 08:14
Detajet

Lukas Bärfuss, autor i katër romaneve, dy vëllimeve me ese, i 19 pjesëve teatrale dhe bartës i 21 çmimeve është nderuar me çmimin kryesor të letërsisë gjermane – atë të Georg Büchnerit, i cili po ashtu ishte një rebel si Bärfuss. Drama «Neurozat seksuale të prindërve tanë» e Lukas Bärfuss është shfaqur më 2015 në Teatrin Kombëtar në Tiranë. Lajmi se autori zviceran Bärfuss do të marrë Çmimin Georg Büchner u bë i ditur në korrik. Të dielën, më 3 nëntor, u mbajt ceremonia e dorëzimit të mirënjohjes. Vlera e çmimit është 50 mijë euro. Por vlerë edhe më të madhe kishte fjalimi që mbajti Lukas Bärfuss.

Ai fillimisht foli për hallin e tij personal: si t’ju tregojë fëmijëve të tij se përse në gjithë veprën e tij merret me fenomenin e dhunës. Më herët Bärfuss kështu e kishte përshkruar fëmijërinë e tij në qytetin e Thunit, afër Bernës. «Ne ishim gjysmë çmimi, prindërit tanë kanë qenë ose pijanecë ose mendërisht të varfër, nganjëherë të dyja bashkë. Ne ishim të rinj, ne kishim puçrra, dhe ne turpëroheshim për gjithçka çfarë ishim dhe çfarë pritej të bëheshim.

Çfarë mund të arrinim ishte një punë e mjerë me një rrogë të mjerë në një qytezë të myktë. Përse t’i jepnim zor? S’do të mund të shkëputeshim nga këtu». Në Darmstadt Bärfuss të dielën shtoi: «Viteve të fundit kam ndërtuar një ekzistencë me, përmes dhe mbi vuajtjen, vrasjen dhe vrasjen në gjaknxehtësi, torturën dhe përdhunimin. Vitet e mia më të mira i kam kaluar duke studiuar dhunën», tha Bärfuss, duke iu referuar romaneve të tij («Njëqind ditë» – mbi Ruandën, «Dora – Neurozat seksuale të prindërve tanë», «Koala»). Në romanin «Koala» Bärfuss shkruan për vetëvrasjen e vëllait të tij. Bärfuss nuk është autor i temave të lehta. Në veprat e tij ai nuk e kursen askënd, më së paku veten, ai shkruan hapur dhe pamëshirshëm mbi përvojat e tij jetësore dhe familjare.

Në vijim të fjalimit Bärfuss ndërmori një shëtitje dërrmuese nëpër tmerret e shekullit ’20 – nga sundimi nazist deri te krimet në Bosnjë. Së pari përshkroi atmosferën çliruese pas rrëzimit të Murit të Berlinit.

Kjo atmosferë nuk zgjati shumë, fatkeqësisht. Bärfuss tha: «Por pranvera pas dimrit të gjatë zgjati pak, sepse në prillin pasvijues, kur unë tashmë isha i rritur, mund të shihje burra krejt të zakonshëm me barqe të zakonshme birre duke u ngjitur në kodrat përreth Sarajevës dhe duke vrarë pa dallim njerëz krejt të zakonshëm, gra fëmijë, pleq. Mund të shihje në mëngjes, në mesditë, në mbrëmje, njëmijë e katërqind e njëzet e pesë ditë, njëmbëdhjetëmijë jetë mbetën të shtrira në një qytet të vetëm, Bosnja një kasaphanë e vërtetë, njëqind mijë të vdekur, dhe kjo Europa ime, pak më parë e çliruar, ende duke ecur marramenthi nga gëzimi, nuk qe në gjendje të ndërmarrë diçka kundër vrasjeve masive dhe dëbimit. Në kryeqytetet e botës së lirë vrasësve u shtrihej qilimi i kuq, dhe si çdo vrasës burracak para tyre edhe ata arsyetoheshin se kanë vepruar në vetëmbrojtje».

Bärfuss pastaj ushtroi kritikë të rreptë edhe ndaj Gjermanisë. Përkundër trajtimit të së kaluarës, nazistët dhe mendësia e tyre nuk janë zhdukur kurrë, nënvizoi ai. Kjo mund të tingëllojë e tepërt, e pavërtetë, por kur të merret parasysh se viteve të fundit afërsisht çdo i pesti gjerman voton një parti raciste, toni alarmist i Bärfuss duket i logjikshëm.

Më 1945, shtoi ai, partia naziste NSDAP kishte ende 7,5 milionë anëtarë. Deri në vitin 2006 gjykatat gjermane shpallën 6500 aktgjykime kundër nazistëve. Nga 1000 anëtarë të partisë naziste 999 shpëtuan pa therë në këmbë. Ata vazhduan të punojnë në ushtri, në edukim, në art, në politikë.

Toni i fjalimit të Lukas Bärfuss i ngjante dje veprës «Mesagjeri i landit i Hesenit» të Georg Büchner. Aty Büchner shkruan: «Çojini sytë dhe numëroni grumbullin e shtypësve tuaj, që janë të fortë vetëm nëpërmjet gjakut që ju kanë pirë juve, nëpërmjet njerëzve që ju jua keni dhënë pa dëshirë. (…) Ata pa dyshim ju kërcënojnë me armatimet dhe purtekat e mbretërve, por unë po ju them: kush ngre shpatën kundër popullit ai do të japë shpirt nën shpatën e popullit. (…) Keni përkulur kurrizin për shumë e shumë vite në arat me gjembaçë të skllavërisë, pas kësaj do të djersiteni një verë në vreshtin e lirisë dhe do të jeni të lirë deri në gjymtyrën e fundit».

Duke iu referuar «Vdekjes së Dantonit» të Büchnerit, ku shtrohet pyetja se çka «rren, vjedh e vret brenda nesh», Bärfuss arriti në përfundimin se e keqja nuk ekziston brenda njeriut, por mes njerëzve. Autori zviceran tha se ndihet i afërt me autorë si Büchneri, i cili cinizmin dhe rezignimin e shihte vetëm si fjalë të tjera për burracakëri.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK