Zërat
Remzi Ejupi
Remzi
Ejupi

Solidariteti euforik

Zërat November 30, 2019 - 11:52
Detajet

Shqipëria ka nevojë për para tani dhe të gjithë ata që duan ta ndihmojnë atë është shumë më mirë dhe është ndihmë shumë më e madhe një shifër, qoftë modeste parash, sesa të dërgosh atje kamionë të mbushur me thasë najloni. Këtë tani duhet ta kenë të qartë kosovarët dhe përfaqësuesit e shtetit të Kosovës

Ra ky mort e u pamë. Po. Ndodhi në mëngjesin e 26 nëntorit tërmeti katastrofal në Shqipëri, me pasoja të frikshme - humbje në njerëz dhe me shkatërrime të përmasave katastrofale. Pasojat, gjithsesi, do të ishin më të vogla gjatë intervenimit po të ishte shteti shqiptar më i organizuar, më i përgatitur për intervenime në raste emergjente, po të ishin më të pajisura ekipet e kërkim-shpëtimit me mjete dhe me njerëz të përgatitur dhe të aftësuar për këso rastesh. Ekipet e shpëtim-kërkimit nga Kosova, nga Greqia, nga Italia e dëshmuan se sa efektive do të mundë të ishin edhe ekipet shqiptare po të ishin të përgatitura sikurse duhet të ishin dhe sikundër janë të përgatitura këto ekipe kudo në shtetet normale. Duhet thënë troç: shteti shqiptar u dëshmua i dështuar në intervenimin për të ndihmuar dhe për t’i zbutur pasojat e tërmetit të 26 nëntorit.

Por, përveç profesionalizmit të ekipeve të FSK-së, të dhembjes së sinqertë dhe të solidarizimit të përgjithshëm vëllazëror të kosovarëve, edhe këtu te ne pati jo pak devijime në shpërfaqjen reale të këtij solidariteti. Kosovarët, shumë syresh, u treguan euforikë, nisën aksionet e grumbullimit të ndihmave fare të paorganizuar. Kokë në vete, në shumë raste. Shumë herë duke futur në thasë të bërllokut edhe veshmbathje të konsumuar, edhe shtrojë e mbulojë të panevojshme, edhe ushqime gjithfarësh. Këto aksione, ç’është më keq, po vazhdojnë edhe këto ditë e këto çaste, shumë kohë pas tërmetit. Po ngarendin kosovarët për të nisur kamionë me thasë najloni të mbushur me ndihma, sikundërqë po ngarendin për t’i njoftuar mediet për këto ndihma dhe për të dhënat se kush, çfarë po dërgon në Shqipëri. Thjesht, për t’u promovuar nëpërmjet medieve personalisht. Për ta promovuar personin vetanak “humanist” dhe “zemërdhembshur”.

Aksionet për ndihma të kosovarëve po vazhdojnë edhe pas thirrjeve me ngulm të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për ta ndërprerë dërgimin e ndihmave në veshmbathje dhe me ushqime. Rama me nerva të ngritura po apelon tani disa ditë e po përgjëron kosovarët për t’i stopuar këto ndihma, duke ritheksuar se tani ka rezerva aq shumë, saqë nuk ka hapësira ku do të deponoheshin ato.

vetëm Edi Rama, por edhe zyrtarë të tjerë shqiptarë e njohës të mirë të rrethanave shqiptare po ashtu po ngulmojnë se shqiptarët e dëmtuar dhe të mbetur pa shtëpi nuk kanë nevojë të shpërngulen në vende të tjera. Nuk duhet të shkojnë gjetiu për arsyen më të thjeshtë: në Shqipëri anembanë bregdetit të paprekur dhe gjithandej nëpër qytete ka hapësira të mjaftueshme për t’u vendosur të gjithë shqiptarët që mbetën pa shtëpi. Janë gjithë ato hotele të vëna në dispozicion dhe gjithë ato shtëpi banimi, që do të mjaftonin edhe për shumë më shumë njerëz. Të ikurit nga vendi duhet pasur parasysh çka do të bëhet me shkollimin e fëmijëve në vend të huaj, me punën e tyre.

Shqipëria ka nevojë për para tani dhe të gjithë ata që duan ta ndihmojnë atë është shumë më mirë dhe është ndihmë shumë më e madhe një shifër, qoftë modeste parash, sesa të dërgosh atje kamionë të mbushur me thasë najloni. Këtë tani duhet ta kenë të qartë kosovarët dhe përfaqësuesit e shtetit të Kosovës.

Gjithsesi, pati shembuj të mirë të dëshmimit të humanizmit dhe të ndihmës së sinqertë në këtë rast. Nisma vullnetmirë e ministrit të Jashtëm dhe e biznesmenit kosovar, Behgjet Pacolli, i cili në emër të tij dhe të mbarë familjes dhuroi një milion euro për zbutjen e pasojave të tërmetit ishte një gjest që jo shpesh haset ndër këto troje. Të nxitur nga gjesti i Pacollit pasuan pastaj dhurimet po ashtu në shuma të mëdha të biznesmenëve nga Shqipëria, si të: Shefqet Kastratit, Saimir Manes, Pëllumb Salillarit dhe të disa të tjerëve. U imponuan me ndihma në para në shuma jo të vogla edhe artistë, edhe këngëtarë të estradës kosovare, të cilët shumë shpejt u janë përgjigjur thirrjeve për të ndihmuar.

Dëmet, po shihet, ende pa u vlerësuar ato, janë në përmasat të frikshme, janë katastrofale. Përpos rreth 50 viktimave, janë mbi 800 ndërtesa e shtëpi banimi të dëmtuara tmerrësisht. Është dëmtuar industria shqiptare, ekonomia në tërësi dhe në veçanti turizmi si dega më fitimprurëse e këtij vendi viteve të fundit. Dhe këto dëme duan kohë, mund dhe mjete financiare për t’u sanuar. Shqiptarët, vendimmarrësit në Shqipëri ndoshta tani kanë mbledhur mend. Për të ndërtuar shtëpi dhe ndërtesa ekzistojnë rregulla, e sidomos në zonat tektonike, pra në zonat potencialisht me mundësi për të rënë tërmete, ekzistojnë standarde të veçanta ndërtimore, duke filluar nga themelet deri te kulmet. Tani, pas vlerësimit të dëmeve dhe nisjes së ndërtimit të shtëpive këto rregullat duhet më në fund të zbatohen përpiktë, në mënyrë absolute sipas udhëzimeve të ekspertëve dhe të standardeve. Nuk ka më lojë me ndërtime. Nuk duhet në asnjë rast dhe asnjëherë më të lejohen farsat, maskat dhe shtirjet në ndërtesa e në shtëpi.

Duhet angazhuar vetëm projektues të dëshmuar, arkitektë seriozë dhe të treguar në raste të shumta, ndërtues profesionistë dhe mbikëqyrës të ndershëm dhe të dijshëm. Ndryshe do të pësojmë prapë.

Ra ky tërmet e u pamë. E treguan fytyrën edhe të ndershmit, edhe të pandershmit. Edhe ata që duan ta ndihmojnë me zemër Shqipërinë. Edhe ata që duan promovime personale politike dhe biznesore. Prandaj çdo tentativë për t’u fshehur, për t’u maskuar në këtë tragjedi, që tronditi shqiptarinë, është e dukshme, e tejpashme dhe herëdokurë e diskutueshme.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK