Zërat
Mehmet Gjata
Mehmet
Gjata

Kosova, eldoradoja e kamatarëve

Zërat December 10, 2019 - 08:56
Muhamet Gjata

Kosova, edhe pse ka ulur relativisht shumë kamatat bankare, vazhdon t’i ketë ato më të shtrenjtat në Evropë, sikundërqë vazhdon t’i mbajë në kuotë frikshëm të lartë çmimet e shërbimeve dhe të produkteve të tjera bankare. Të gjitha këto, sërish dhe gjithnjë vazhdojnë të bëhen me aminimin e BQK-së, shkruan sot gazeta Zeri

Me vite, thuaja që nga paslufta, Kosova është vlerësuar si një parajsë për bankierët vendorë e ndërkombëtarë si eldorado e kamatarëve të brendshëm e të jashtëm. Është fakt se në këto dy dekada Kosova ishte dhe vazhdon të jetë parajsë bankiere, për shkak të dhjetëra e mbase qindra arsyeve. Po i numërojmë vetëm disa fakte të thjeshta dhe fare të kuptueshme edhe për profesionistët, edhe për njohësit e rrethanave bankare, edhe për laikët - publikun e gjerë. Në Kosovë, në vitet e para të pasluftës, bankat komerciale (atëbotë akoma institucionet mikrofinanciare nuk ishin edhe aq të njohura te ne), që brenda një kohe të shkurtër u bënë 7-8 sosh, kryesisht të huaja, aplikuan kamatat enorme, të papara dhe të padëgjuara në vendet e Evropës, mbi 20 e kusur për qind.

Po aq të shtrenjta këto banka kishin edhe çmimet e shërbimeve edhe të të gjitha produkteve bankare të nevojshme dhe të domosdoshme për një shtet. Edhe këto çmime i kishin më të shtrenjtat në botë. Natyrisht, për këtë zhvatje të vullnetshme këto banka nuk ishin mëkataret e vetme. Ato e kishin vetëm një pjesë të këtij mëkati. Pjesën më të madhe, atë dërrmuesen, e kishte Banka Qendrore e Kosovës (BQK), e cila lehtësisht pranonte kërkesat e bankave zhvatëse dhe aminonte pa humbur kohë kërkesat e kamatarëve të huaj dhe vendorë, gjithnjë duke qenë shumë e mbyllur me publikun dhe gjithnjë jotransparente për pranimin e kërkesave të bankave komerciale. Arsyetimi i vetëm nga bankat dhe nga BQK-ja për kamatat, që ngjasonin me ato të fajdexhinjve, ose ishin fare të përafërta me to, ishte gjoja risku i lartë në këto vite në Kosovën e pasluftës, paçka se edhe në ato vite në Kosovë thuaja nuk ndodhi asnjë vjedhje e as thyerje e ndonjë institucioni bankar. Ndërkohë, po në atë periudhë anembanë në shtetet e rajonit dhe gjithandej kishte x raste të vjedhjeve të bankave.

Për këto shkaqe Kosova u bë dhe vazhdon të mbetet eldoradoja e bankarëve. Dhe për të qenë edhe më i saktë dhe më konkret: për shkak të kamatave enorme dhe shërbimeve frikshëm të shtrenjta, bankat komerciale në vendin tonë, këto që janë, arkëtojnë në çdo fundvit mbi 80 milionë euro fitim të pastër. Është tjetër temë pastaj, që të tërë këtë fitim e dërgojnë në shtetet prej nga e kanë origjinën. Këto banka po ta përmbyllnin vitin afarist me gjysmën e këtij fitimi, edhe më pak fitim, kudo në ndonjë vend tjetër të Evropës, do të bëhej temë medialo-shoqërore.

Gjendja pothuajse nuk ka ndryshuar shumë edhe tani kur kanë kaluar 20 vjet nga paslufta. Kosova, edhe pse ka ulur relativisht shumë kamatat bankare, vazhdon t’i ketë ato më të shtrenjtat në Evropë, sikundërqë vazhdon t’i mbajë në kuotë frikshëm të lartë çmimet e shërbimeve dhe të produkteve të tjera bankare. Të gjitha këto, sërish dhe gjithnjë vazhdojnë të bëhen me aminimin e BQK-së.

Me “Po”-në e BQK-së erdhën, morën licencat dhe u instaluan në Kosovë edhe të gjitha institucionet mikrofinanciare (që në fakt po ashtu në Kosovë janë banka dhe kryejnë funksione bankash), 23 sosh, prej të cilave disa diskutabile, madje dy sosh dolën të jenë edhe të dyshimta, si “Monego” dhe “Iute Credit”, të cilat u mbyllën nga BQK-ja që ua kishte dhënë lejen me gjasë pa asnjë verifikim paraprak. Por duhet thënë se nuk janë vetëm “Monego”-ja dhe “Iute Credit”-i për të cilat është thënë se kanë aplikuar kamata deri në 1000 për qind për konsumatorët, që kanë punuar praktikisht si fajdexhinj tipikë. Ka edhe institucione të tjera mikrofinanciare me kamatë mbi 20-25 për qind. Këtë blasfemi bankare e ka të ditur fare qartë BQK-ja.

Nuk ka indikator më bindës për BQK-në dhe për të gjithë ata që merren gjoja më rregullimin e sistemit bankar se fitimi i pastër dhjetëmujor i institucioneve mikrofinanciare në Kosovë. Sipas të dhënave që gjenden në sirtarët e BQK-së, 10 milionë euro fitim të pastër për vetëm dhjetë muajt e këtij viti kanë arritur institucionet mikrofinanciare (IMF) në Kosovë falë kamatave astronomike, që po i aplikojnë ndaj klientëve.

Sipas BQK-së, 23 institucione mikrofinanciare kanë aprovuar 217 milionë euro kredi, përmes të cilave kanë arritur të hyra prej rreth 49 milionë eurosh dhe nga këto shifra fitimet e pastra të tyre kanë shkuar në 9.9 milionë euro. Por këto fitime janë arritur vetëm e vetëm nga kamatat super të larta, mbase edhe më të larta se fajdetë klasike. BQK-ja duhet t’ia sqarojë publikut se a ka pasur dorë edhe ndonjë veprimtari tjetër e këtyre bankave në tërë këtë fitim enorm.

Këto janë faktet. Të gjitha të tjerat, edhe deklaratat e përfaqësuesve, edhe të drejtorëve të BQK-së, të cilët me leksik ekonomistësh dhe bankarësh po tentojnë ta kamuflojnë problemin real e aktual, janë fjalë pa përmbajtje, boshe dhe flluska.

Kosova vazhdon t’i ketë kamatat dhe çmimet e produkteve më të lartat në rajon. Po se po në Evropë dhe më gjerë. Dhe prapë me miratimin e BQK-së./ ZERI

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK