Zërat
Agim Sopi
Agim
Sopi

Teatri i vitit 2020

Zërat December 31, 2019 - 08:58
“E gjithë bota është teatër” W. Shakespeare.

Teatri, si substrakt i identitetit shpirtëror, konsiderohet pasqyrë elitare e një shoqërie karshi botës. Gjatë rrjedhës së historisë së civilizimit, teatri gjithmonë ka qenë parashenjë identifikimi në zhvillimet kulturoro-politike të popujve dhe të shteteve. Teatri madje ka qenë legjitimacion i fuqisë dhe i identitetit. Edhe pse ka lindur si lojë, teatri shumë shpejt është shndërruar në artin e privilegjuar elitar qysh nga antikiteti e deri në ditët e sotme.

Lexo edhe: Vizioni im për Kosovën: Shtëpi e evropianëve të rinj

“E gjithë bota është teatër” /W. Shakespeare/. Kurse vendi ynë është sui generis. Me një flluskë bore mbi emrin Kosovo* të cilën ia vunë për mësysh politikanët barinj duke na bindur se flluska do të shkrihet nga rrezet e para të pranverës, por me gjithë verat përvëluese që pasuan, flluska nuk u shkri se nuk u shkri. Përkundrazi, mbeti stigmë e vendit tim, vend ky i cili u shndërrua në një teatër brutal prej diletantësh e kalamajsh sui generis! Eh, sikur të ishte vërtet Teatër. Do të ishte një vend për lakmi. Një vend ku nuk zihen e dh... kalamajtë e barinjtë, por ku mbretëron urtësia, dija e arsyeja. Një vend që identifikohet vërtet me teatër në moshën e shtyrë. Sepse “pleqëria civilizuese” ose teatri, si substrakt i identitetit shpirtëror, konsiderohet pasqyrë elitare e një shoqërie karshi botës. Gjatë rrjedhës së historisë së civilizimit teatri gjithmonë ka qenë parashenjë identifikimi në zhvillimet kulturoro-politike të popujve dhe të shteteve. Teatri madje ka qenë legjitimacion i fuqisë dhe i identitetit. Edhe pse ka lindur si lojë, teatri shumë shpejt është shndërruar në artin e privilegjuar elitar qysh nga antikiteti e deri në ditët e sotme. Është shndërruar në mimezis që me fuqinë e shpirtit dhe me frymën e fundit flet për atë që nuk guxon të flitet dhe shfaq atë që nuk guxon të shihet. Teatri, flet për gjërat që ke frikë t’ia thuash edhe vetes tënde. Sot dhe këtu. Edhe kur ngjarjet i sjell nga e kaluara ose i projekton në të ardhmen, teatri flet dhe jeton me të sotmen. Pra, është parashenjë identifikuese e fuqisë shpirtërore, intelektuale, politike. Është testament në mbamendjen gjenetike për kohët që do të vijnë. Komandanti i famshëm i Heladës, Agamemnoni, kishte kaluar gjashtë muaj ankthi në pritje që të mëshirohen perënditë, për t’i ngritur erërat dhe për t’i hapur udhë ekspeditës për Luftën e Trojës. Dhe pikërisht atëherë kur erërat kishin filluar të fryjnë dhe ushtria kishte filluar të përgatitej për nisje, komandanti kishte shtyrë ekspeditën për shkak të një premiere teatrore në Epidaurus. Kur oficerët e dëshpëruar e kishin pyetur, pse e kishte bërë një gjë të tillë, ai ishte përgjigjur: po të mos ishte teatri, luftërat e mia s’do të kishin asnjë kuptim! Mbretëresha më e përfolur dhe më e njohur në gjithë historinë, Mbretëresha Elizabeth I, do të mbahet në mend si figura më e shndritshme në historinë politike të Anglisë, pikërisht për shkak se kishte ftuar në oborr Ben Jonsonin e William Shakespearein dhe kishte krijuar “Teatrin Elizabethian”. Për princërit Petar Ursov dhe Mihail Madoks vështirë se do të dinte kush se kanë ekzistuar ndonjëherë po të mos ishte Carski Baljshoj Teatar. Mbreti Fridrik August do të mbetej vetëm një emër nën pluhurin e historisë po të mos e krijonte Teatrin Slowackiego. Thënë shkurt, teatri si fenomen dhe si tempull identiteti shpirtëror e politik është rritur e zhvilluar pikërisht si projeksion superior i elitave politike.

A thua kemi ne elita të tilla politike që kanë prioritet identitetin shpirtëror dhe kulturor, sepse identiteti shpirtëror e kulturor kushtëzon atë civilizues, identiteti civilizues kushtëzon atë politik, ai politik atë shtetëror e kështu me radhë?! Është krejtësisht e paakceptueshme të paramendohet ngritja e një tempulli nga kulmi e në themel. Qoftë ai edhe teatër i shqiptarëve. Sui generis! Pra, në mungesë të Agamemnonit, Elizabetës e Princ Ursovit të ditëve tona, kam shpresuar se duhet të jemi ne, klasa e artistëve, ajo që do të kontribuoj e t’i bashkëndajë me përvojat, dijet dhe invencën në krijimin e identitetit shpirtëror të atdheut. Dhe kështu fillon historia jonë e re! Me shpresë!

Duke qenë dikur pjesë e krijimit të një periudhe të vlefshme gjatë zhvillimit historik të Teatrit të Kosovës, por duke qenë edhe dëshmitar i degradimit permanent, i zhveshjes nga përmbajtja e profesionalizmi, i zhbërjes ironike të ëndrrës sonë të dikurshme, në vitin 2016, unë vendosa ta sfidoj realitetin e egër politik dhe të konkurroj për ta udhëhequr Teatrin. Ofrova përvojën time dhe profesionalizmin në përpjekje të ribërjes së Teatrit Kombëtar. Fatkeqësisht, ndodhën katër vjet lufte me “mullinjtë e erës”, katër vjet pamundësie dhe dëshpërimi. Katër vjet gjatë të cilave shteti im i dashur vazhdoi të më ndalojë si artist dhe të më bojkotojë si menaxher. Vonë e kuptova se zëri i artistit nuk dëgjohet në shkretëtirë e as mes zhurmës së kopesë, që drejtohet mes lehjeve kërcënuese të qenve e britmave të barinjve. Edhe pse me shumë vështirësi ringritëm nga margjinat dramën e vlefshme shqiptare mbi të cilën krijuam shfaqjet që do të lënë gjurmë në historinë e Teatrit të Kosovës /shfaqjet si: “Eshtrat që vijnë vonë” me autor Teki Dervishin, “I ligu për mend” me autor Gjergj Fishtën, “Grafitet” me autor Mehmet Krajën, “Pasardhësi” me autor Ismail Kadarenë, “Bordel Ballkan” me autor Jeton Nezirajn, “Njeriu që mungonte” me autor Zymber Kelmendin, “Desturr” me autor Musa Ramadanin, “Sfinga e gjallë” me autor Rexhep Qosjen, “Shfaqja e fundit e Marie Gjonit” me autor Veton Surroin e ndonjë tjetër, megjithatë nuk arritëm ta ribënim edhe një herë Teatrin e Kosovës, parashenjën e identitetit, sepse nuk patëm mbështetje institucionale, politike a as financiare. Madje pikërisht kur Teatri Kombëtar po ngrihej në këmbët e veta, kur po krijonte mëvetësinë estetike dhe kur mblodhi publikun e ëndrrave, kur shfaqjet tona filluan të vlerësohen si më të mirat ne evenimentet e rëndësishme të Evropës, Partia-Shtet ndërseu partizanët mbi Teatrin Kombëtar për ta rrënuar e për ta rikthyer në vitin zero. Mua më shkarkuan nga detyra për të vetmen arsye banale: sepse mora guximin që pushtetit me parashenja diktature t’i hiqja nga duart një levë instrumenti për klanet dhe shërbëtorët çanaklëpirës. Sepse, ishte e frikshme ideja që Kosova përfundimisht të identifikohet me fytyrën e bukur, e cila kaherë ishte përbaltur e ishte 0mbuluar me krim, hajni, dhunë e korrupsion. Nuk ishte klasa e paditur politike ajo që po krijonte këtë realitet të papranueshëm, por ishte “kolona e pestë” që në çdo segment tashmë po kontrollonte klasën politike dhe me vetëdije po shkatërronte “ëndrrën e madhe të kosovarëve” – Shtetin e pavarur e të lirë.

Tani që gjendemi në prag të Vitit të Ri 2020, vitit të shpresës për ndryshime / nëse duhet t’u besojmë shenjave, atëherë vetë harmonia numerike e vitit 20+20, mosha njëzet vjeçe e rinisë dhe mosha dyzet vjeçe e pjekurisë na jep një fije shpre e/, duhet të besojmë se gjendemi para një epoke të re. Kur nga viti i mbrapsht zero, do të fillojmë ta bëjmë shtetin e ëndrrave. Shtetin me identitet kulturor e politik, shtetin e arsimuar e të shëndoshë, shtetin e pavarur demokratik, shtetin ku do të sundojë ligji dhe e drejta, shtetin e zhvilluar ekonomikisht, shtetin i cili do të ofrojë jetë të dinjitetshme për çdo qytetar të vet.

Por nëse edhe kësaj radhe do të dështojmë për një milion arsye, të njohura e të panjohura, atëherë realiteti do të na nxjerrë plotësisht lakuriq! Ne nuk paskemi pasur, nuk kemi dhe nuk duam të kemi identitet. Ne do të ikim me hapa hajni nga vetvetja të varfëruar e turpëruar. Identiteti ynë shpirtëror e kulturor paska qenë veç “ëndërr mashtruese”, sepse realiteti ynë do të na dëshmojë si kope e mjerë, e dehur nga zallahia e tingujve të surles e daulles, e shurdhuar nga ulërimat e estradës politike, nga krisma armësh e klithma bretkosash në moçalin e vetëkënaqësisë, sepse liria për neve, fatkeqësisht s’ndodhi të jetë më shumë se një përrallë e rrëfyer nga një idiot, përplot zhurmë e tërbim’! /…A Tale Told by an Idiot, Full of Sound and Fury,/. Ja perse në Kosovë, përkundër shansit real për ndryshime, ndodh të mos ndodhi rilindja shpirtërore e politike e kombit. Sepse, fatkeqësisht për shekuj me radhë kemi kultivuar thellë në mbamendje logjikën e robit. E robi, në çdo kohë ka nevojë t’i ngopë brinjët me pasul, të ngopet gjumë, të ngopet me paratë e vjedhura, me pikat e fundit të gjakut të të afërmit të sfilitur, duke rrahur gjoks e duke u stolisur me virtytet e shpëtimtarit! Ky do të jetë përfundimisht heroi i ditëve tona! Ky farë soji hibridi, që me hapa të sigurt do ta çojë atdheun drejt humnerës! Nëse edhe kësaj radhe do të dështojmë, fatkeqësisht kjo do të jetë pamja apokaliptike e atdheut. E ne, sërish do të vazhdojmë të bëjmë sehir sikurse në të kaluarën, ashtu edhe në të ardhmen që kot e shpresuam si kohën tonë. Do të vajtojmë përsëri për ëndrrën që nuk u bë realitet, sepse na iku nga duart padiktueshëm, sepse nuk na doli gjumi ose nuk arritëm të zgjohemi nga koma e përjetshme! //ZERI

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK