Zërat
Afrim Krasniqi
Afrim
Krasniqi

Shqipëria dhe viti eksperimental 2019

Zërat January 07, 2020 - 14:23

Gjatë vitit 2019 shoqëritë dhe shtetet shqiptare në rajon kaluan në procese të rëndësishme politike, shumica e të cilave eksperimentale dhe unike në llojin e vet, por në fund të vitit pozita, roli dhe forca e tyre mbeten më të dobëta sesa një vit më parë.

Shqipëria eksperimentoi me vendimin e gabuar të opozitës për dorëzimin e përfaqësimit parlamentar dhe lokal, duke ia besuar 100% të pushtetit vendor e qendror vetëm një partie politike dhe për vetë natyrën vertikale të saj, vetëm një individi, kryetarit të PS-së, njëherësh kryeministër. Koncepti i legjitimitetit në demokraci u kthye në nocion formal dhe se disa nga 40 prurjet e reja në parlament krijuan headline sa me paaftësinë e tyre për të folur e për të shkruar siç duhet gjuhën shqipe, aq edhe me paaftësinë e tyre për të menduar e për të vepruar politikisht. Asnjëherë më parë nuk ka pasur rënie kaq të madhe të besimit publik te parlamenti, por edhe asnjëherë më parë nuk ka ndodhur që rënia e kuotave mbështetëse ndaj mazhorancës të mos shoqërohet me rritjen e kuotave politike ndaj opozitës. Ajo që ende quhet opozitë në Shqipëri, më shumë se një alternativë vijon të jetë një përpjekje eksperimentale për të imunizuar dhe për të ricikluar disa familje politike dhe individë, të cilët morën mbi 70% të votave të zgjedhësve kundër në zgjedhjet e vitit 2015 dhe 2017.

Shqipëria eksperimentoi me reformën në drejtësi dhe gjatë gjithë vitit nuk arriti të sigurojë minimumin e pesë anëtarëve për të pasur gjykatë kushtetuese, minimumin e tre anëtarëve për të pasur gjykatë të lartë, si dhe minimumin e standardeve të dhënies së drejtësisë për të pasur qoftë edhe një VIP politik parapara trupës gjykuese për korrupsion ose abuzim me pushtetin. Reforma në drejtësi prodhoi një prokuror të përgjithshëm dhe SPAK-un, megjithatë rezultatet e saj mbeten modeste, jashtë afateve kushtetuese dhe shumë larg nevojave dhe pritshmërive që ka vendi. Natyra eksperimentale e procesit të vettingut vijoi të aplikohej me standarde të ndryshme në dy nivelet e vlerësimit, ndërkohë që politikanët refuzuan çdo formë vettingu për veten. Tre zyrtarë të lartë, duke përfshirë ish-kryetrarin e Bashkisë Durrës, u vendosën në listën e zezë amerikane për shkak të akuzave për korrupsion, por asnjëri prej tyre nuk është përballur ende me drejtësinë në Shqipëri dhe secili prej tyre gëzon mbështetje të fortë politike, dy nga qeveria dhe një nga opozita.

Natyrë eksperimentale patën zgjedhjet lokale të qershorit 2019, gjatë të cilave PS-ja konkurroi e vetme në 61 bashkia e megjithatë ia doli të fitonte në vetëm 60 prej tyre. Së paku dy kryetarë bashkish rezultuan se kishin të shkuar kriminale, një kryetar bashkie dha dorëheqje pa bërë betimin, dy të tjerë dhanë dorëheqje vetëm disa muaj më vonë, duke treguar se sistemi i përfaqësimit dhe i karrierës është përgjithësisht klientelist, pa merita, pa standarde dhe i bazuar në konceptin e “ndereve” midis atyre që marrin vendime politike dhe atyre që sponsorizojnë fushatat e tyre dhe sigurojnë vota në emër të legjitimitetit.

Natyrë eksperimentale pati retorika e ashpër e presidentit të Republikës Ilir Meta në emër të sovranitetit kundër ambasadorëve dhe përfaqësive ndërkombëtare në Tiranë, retorikë që buron kryesisht nga frika që politikanët kryesorë, duke përfshirë presidentin, kanë ndaj procesit të ri të hetimit ndaj politikanëve të mundësuar me krijimin në dhjetor 2019 të strukturës speciale, SPAK, prokuroria e posaçme antikorrupsion. Bashkë me të, nismë eksperimentale ishte e mbetet edhe përgjigjja e mazhorancës, krijimi i një komisioni hetimor në konflikt interesi, për të shkarkuar presidentin e Republikës, - nisma e parë e tillë në më shumë se një shekull shtet në Shqipëri. Natyrës eksperimentale të politikës ndaj diplomatëve perëndimorë iu bashkua edhe sjellja e anasjelltë, aktet e deklarimet eksperimentale të një numri të madh diplomatësh e politikanësh perëndimorë ndaj zhvillimeve në Shqipëri. Të fokusuar te nevoja për stabilitet ata nuk i dhanë rëndësi nevojës jetike për më shumë demokraci dhe ndaj sistemi autoritar i kryeministrit Rama mori më shumë legjitimitet nga mbështetja ndërkombëtare në emër të stabilitetit sesa mbështetja elektorale në emër të demokracisë.

Element eksperimental ishte edhe përpjekja e qeverisë shqiptare për të emëruar dy ministra “nga Kosova” në kabinetin qeveritar në Shqipëri. Për herë të parë në 107 vjet shtet Shqipëria pati një ministër të jashtëm të emëruar të panjohur në publik dhe vijon të jetë prej një viti pa një ministër të Jashtëm funksional në detyrë. Kështu, viti 2019 nisi me përpjekjet për më shumë “Kosovë” dhe u mbyll me konfliktin më të ashpër politik midis kastës drejtuese politike në Tiranë dhe asaj në Prishtinë. Kryeministri Rama u investua shumë personalisht e publikisht për të denigruar elitën politike të Kosovës dhe defaktorizuar rolin e tyre, duke preferuar të bëjë atë që çdo shtetas shqiptar ka bërë në momente të krizave personale dhe frikës së rënies nga pushteti, - forcimit të raporteve me Beogradin si investim për imazh strategjik personal. Nga ana tjetër, për herë të parë Shqipëria merr drejtimin e OSBE-së, por duke qenë vendi i vetëm në krizë politike që merr mandat t’i menaxhojë krizat politike të të tjerëve.

Natyrë eksperimentale pati edhe bilanci i administrimit të vendit e shoqërisë. Shqipëria mbetet shembull unik i vendit ku kryeministri ka stacionin e tij joformal televiziv i cili luan rolin e burimit të vetëm shtetëror referues; vendi i vetëm ku ish-kryeministri mbi 75-vjeçar kalon më shumë kohë në “Facebook” sesa të rinjtë 15-25-vjeçar duke shpërndarë komente e lajme gjysma e të cilave face-news; vendi unik ku qytetarët nuk ftohen të respektojnë zyrat, ligjet e institucionet, por të klikojnë direkt te portali personal i partisë dhe shefit të vendit; vendi unik ku kryetari i opozitës nuk bën opozitë por luan rolin e drejtorit të emergjencave civile dhe ku kryetari i qeverisë nuk qeveris, por tenton të luajë rolin e hoxhës dhe të priftit; vendi unik ku 4-5 familje përmes VKM të posaçme dhe privilegjeve politike kontrollojnë politikën, ekonominë, medien, minierat, sektorët energjetikë e teknologjikë, universitetet dhe jetën publike; vendi unik ku gjuha e politikanëve është burim konflikti social dhe urrejtjeje në shoqëri; vendi unik ku të gjithë politikanët shohin vetëm suksese për vete, por 75% e popullsisë duan të largohen përgjithmonë nga vendi.

Eksperimentale ishte dhe mbeti edhe përpjekja unike e një vendi në krizë të thellë politike dhe ekonomike për t’i nisur bisedimet për anëtarësim në BE, retorika fajësuese ndaj Perëndimit për dështimet tona e brenda nesh, deri edhe përpjekja amatore për ta zëvendësuar projektin evropian të integrimit me projektin rajonal të integrimit.

Po Kosova? Eksperimenti me Gjykatën Speciale, me debatin mbi ndryshimin e kufijve, me zgjedhjet që në vend të revolucionit sollën evolucion minimal, me përpjekjet disamujore për të krijuar qeveri, me kryeministër që dorëhiqet por mbetet në detyrë më gjatë sesa mandati, me mbetjen në shtetin më të izoluar në kontinent në regjimin e vizave ose me pafuqinë e saj për të ndarë demokracinë nga oligarkia, - janë tregues të pikave të takimit me bilancin eksperimental të Tiranës, por edhe të krizës në përfaqësim, në politikë, në vendimmarrje, në llogaridhënie dhe në aftësinë për të ndryshuar.

Momentet e pakta të vitit 2019, - nga solidariteti human përballë tragjedisë së tërmetit deri te suksesi i Kosovës në futboll, janë të pamjaftueshme për të devijuar bilancin eksperimental dhe nevojën jetike që kanë shoqëritë shqiptare për një ndryshim të madh, për çlirim nga kastat e tranzicionit dhe frymëmarrje demokratike, për më shumë qytetari në mendim e sjellje vizionare, për më shumë dialog mes vete dhe reflektim nga gabimet e të kaluarës, për më shumë libra e më pak dekorata, më shumë biblioteka e më pak buste e heronj. Teza se kjo është koha më e mirë që kemi kaluar në historinë shtetërore ose se ky është niveli më maksimal i demokracisë që mund të prodhojmë, përbën një alibi dhe justifikim për status quon. Shoqëritë më të reja në moshë në kontinent meritojnë vizione e mendësi të reja, meritojnë të planifikojnë e të kenë të ardhme. Bota shqiptare nuk ka vuajtur kurrë për individë që kanë qeverisur me dorë të fortë dhe as burra arrogantë pushteti, për shtetarë të korruptuar dhe as për elita politike që nuk mendojnë jashtë gardhit të tyre. Bota shqiptare ka pasur e ka nevojë për atë që nuk e ka përjetuar ende, - një shoqëri të lirë, demokratike, legjitime, të drejtë dhe të moralshme, refraktare dhe me sens përgjegjësie, humane dhe llogarikërkuese. A mundemi? Shumë të tjerë ia kanë dalë. Ne, përse jo?

(Autori është drejtor i Institutit për Studime Politike (ISP) në Shqipëri)

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK