Zërat
Luljeta Çejku- Sokoli
Luljeta
Çejku-
Sokoli

Reçaku, refleksione ndër vite

Zërat January 15, 2020 - 08:28

Më në fund historia e abuzuar e popullit shqiptar të vuajtur ndër shekuj do të shpërthente në horizontin e binarëve të drejtësisë. Qëndrimi më i jashtëzakonshëm, madhor dhe historik do t’i referohej ekselencës së tij ambasadorit William Walker në momentin e duhur me deklaratën dhe me shpalljen e masakrës së Reçakut - Krim ndaj njerëzimit dhe civilëve të pambrojtur. Ky refleksion do të hapte shtegun drejt lirisë, pavarësisht se ishim të vetëdijshëm që do të vuajmë akoma pasojat nga armiku deri te përfundimi i luftës

ëejku-Sokoli, ark.

na zgjojnë kujtimet dhe na gjallërojnë emocionet, secili nga ne mbajmë akoma të freskëta kujtimet e periudhës së paraluftës dhe të luftës së fundit në Kosovë. Periudhën me sfida guximi, sakrifica, dhimbje, plagë dhe shpresa për një ideal të çlirimit dhe të pavarësisë. Më kujtohet që krahas shumë figurave eminente të kohës që kontribuonin për çështjen e Kosovës më kishte rastisur që disa herë në mëngjes të shoh nga distanca ambasadorin e nderuar William Walker duke u nisur në punë nga ndërtesa ku banonte në Prishtinë, përderisa unë arrija në vendin tim të punës që ndodhej në afërsi të kësaj ndërtese. Të gjithë ishim të shqetësuar me situatën politike, torturat nga armiku dhe fillimi i luftës nëpër zonat rurale që e rëndonin gjendjen, por njëherësh kishin dhënë kahe dhe dimension rezistencës në Kosovë.

Ndërkohë agresori serbosllav hakmerrej me dhunë dhe masakra ndaj civilëve të pambrojtur vetëm pse ishim shqiptarë. Do të ishte ditë e acartë e janarit më të ftohtë se kur më parë që do ta trondiste botën. Sy dhe shpirtra të panumërta do të ngrinin nga tmerri i parë, mijëra familjarë të plagosur përjetë me trishtimin e pashuar, qenie njerëzore të katandisura, të drobitura, tokë e përgjakur, vaje, gjëmë, dhimbje e paparë, veprimi më makabërr i monstrave të djallit do të shpalosej nëpër botë.

Më në fund historia e abuzuar e popullit shqiptar të vuajtur ndër shekuj do të shpërthente në horizontin e binarëve të drejtësisë. Qëndrimi më i jashtëzakonshëm, madhor dhe historik do t’i referohej ekselencës së tij ambasadorit William Walker në momentin e duhur me deklaratën dhe me shpalljen e masakrës së Reçakut - Krim ndaj njerëzimit dhe civilëve të pambrojtur. Ky refleksion do të hapte shtegun drejt lirisë, pavarësisht se ishim të vetëdijshëm që do të vuajmë akoma pasojat nga armiku deri te përfundimi i luftës. Popullata do të kalojë nëpër tmerre të ndryshme varësisht nga fati dhe stuhitë e luftës që do t’i përplasnin. Të gjitha format e rezistencës dhe të gjitha format e dhunës ushtroheshin në arenën e Kosovës. Natyrisht lufta nuk njihte limite dhe ky do të ishte çmimi i shumëpritur i lirisë.

Domosdo në mesin e të dëbuarve do të isha edhe unë një viktimë e radhës dhe një zero e madhe e qenies njerëzore që hidhesha jashtë Kosovës sime, e brengosur për epilogun, por edhe besimin këmbëngulës që do t’u kthehemi trojeve tona denbabaden. Falë mbështetjes së faktorit ndërkombëtar, luftëtarëve dhe kontribuuesve të lirisë nuk vonoi liria dhe na mblodhi nën kurorën e saj të brishtë, por ama brilante. Shkëlqimi i saj thua se i zbuste plagët e rrënjosura të popullatës pas katrahurës dhe i lumturonte me shpresa të reja për ndërtimin e shtetit më të ri në botë. Ishte arritje hyjnore historike dhe çdo kapitull i saj që do të shënohej do të ishte frymëzim i ri për jetë. E rikthyer në Kosovë me entuziazëm vazhdova punën në Entin e Kosovës për Urbanizëm dhe Projektime në Prishtinë. Me shumë vullnet punuam planin dhe programin urbanistik për “Kompleksin Përkujtimor Adem Jashari në Prekaz”, pas përfundimit do të vazhdonim me Reçakun.

Isha e përzgjedhur për autore të projektit, afati ishte shumë i shkurtër dhe duhej të gjendej kategoria e duhur e projektit që do ta përshpejtonte realizimin e tij. Propozova që të punohej Projekti ideor Urbanistiko-Arkitektonik për “Kompleksin Përkujtimor në Reçak” , që u miratua nga udhëheqësia e zellshme e Komunës së Shtimes dhe e Reçakut. Vizita ime e parë në terren bashkë me grupin e kolegëve ishte drithërues, më dukej se e përjetoja atë trishtim që akoma ishte i dukshëm në Reçak dhe i rrënjosur në shpirtrat e familjarëve të mbijetuar nga masakra. Banorët me shpirtra të plagosur me të drejtë ishin të rezervuar ndaj të huajve, derisa nuk e kuptonin arsyen e prezencës tonë në Reçak.

Image

Gjatë matjeve nëpër objekte fëmijët na ndiqnin nga pas me kureshtje, pastaj i këtheheshin lojës së tyre, unë i përcillja nga larg dhe më bënte përshtypje buzëqeshja e tyre e ngurtë, shikimet fëmijërore aq të zymta që i kishte tronditur dhe i kishte çoroditur djalli. Në vështrimet e syve engjëllor lexohej thellë trishtimi nga dhembja e hidhur që kishin përjetuar. Ishin këta sy që edhe gjatë buzëqeshjes dukeshin të plagosur dhe të linin përshtypjen se këta fëmijë ishin plakur brenda nate. Më kujtohet kur shpesh kthehesha në drejtim të tyre t’i fotografoja në pozitë loje, atëherë ndaleshin, sikur donin të tregonin se megjithatë kishin mbijetuar. Ajo që kishte ndodhur tanimë ishte një fat i keq mizor që vështirë harrohej, kurse këta fëmijë do t’ua bartin këtë ëndërr të trishtuar shumë gjeneratave të ardhme.

faktorë u gërshetuan u thurën dhe u transformuan në veprën arkitektonike të Kompleksit Përkujtimor në Reçak. Gjatë punës e kisha të qartë që Reçaku do t’i bashkonte shumë persona rreth vazhdimit të misionit të shenjtë të nderimit dhe të kultivimit të motivit historik të flijimit, të ndërgjegjes, të moralit të lartë dhe të dimensionit më të çiltër njerëzor në kërkim të lirisë. Shpalosja e projektit para banorëve të Reçakut shënoi emocione të veçanta. Ishte i pakursyer vullneti dhe angazhimi ynë rreth inicimit të jetësimit të Kompleksit, ndonëse në rrethana të rënduara buxhetore. Sot e pranoj se nuk kisha pandehur që Reçaku do të tërhiqte sërish ambasadorin që e kisha parë rastësisht para lufte në Prishtinë, personin që ishte bërë zëri më i fuqishëm i realitetit kosovar, që edhe pas lufte të kontribuojë bashkë me ne në jetësimin e Kompleksit.

e gur themelit të kompleksit tuboi shumë pjesëmarrës të të gjitha strukturave, por në mesin e tyre edhe dy arkitektë, ambasadorin William Walker, me profesion arkitekt e projektues i paqes dhe mua arkitekten projektuesen e Kompleksit. Pa dyshim profesioni i arkitektit është mision dhe universi nuk ka rastësi, por ka magji do të thosha sikundër edhe jehona e fuqishme e Reçakut. Jehonë që akoma e përjetoj bashkë me çdo lëvizje dhe frymë në Reçak. Ngjarja historike e Reçakut do të jetojë me ne dhe do të identifikohet edhe me simbolin e paqes - ambasadorin William Walker . Ndaj pavarësisht dukurive subjektive dhe projektit të papërfunduar të kompleksit, mjafton fakti i prezencës së madhe të vizitorëve në çdo përvjetor që më nxit me shumë emocione të deklaroj se Reçaku triumfoi. Reçaku arriti të zgjojë ndjenjën e nderimit, të respektit ndaj ngjarjes historike dhe krenarinë kombëtare.

Me këtë rast me shumë respekt përulem ndaj sakrificës së viktimave të masakrës së Reçakut dhe gjithë atyre që u sakrifikuan dhe kontribuuan për çlirimin e për pavarësimin e Kosovës. Uroj që përvjetorët e radhës të na përcjellin me të arritura të suksesshme në sfida të reja të shtetit të Kosovës.

(Tekstshkruesja është autore e projektit të Kompleksit Përkujtimor në Reçak)

Image

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK