Zërat
Genc Xërxa
Genc
Xërxa

Kuvendi i lypsarit

Zërat April 02, 2020 - 18:30

Kur flasim për lypsarin nuk flasim për atë të Migjenit gjatë kohës së tij kur një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë jetonin në varfëri të skajshme. “Pak bukë zotëri” ishte fjalë e përditëshme që shponte veshët e ndërgjegjës së shurdhër të një pjese që bukur mirë jetonin pa vetëdije shoqërore dhe simpati ndaj tjerëve. Nuk është koha e Migjenit sot, por nuk është as edhe e “Lypsarit të Operasë” apo “Operës Për Tri Groshë”, edhe pse kontekstet socio-politike e ekonomike nuk mund të dallojnë edhe aq nga Anglia e shekullit të XVIII apo Shqipërisë së Migjenit, këtu ndoshta nga ana politike dhe vetëdija e elitave pushtetare përputhen mjaftë shumë. Sot kemi të bëjmë me një lloj lypsari pak më ndryshe, pak më të sofistikuar, pak me origjinal dhe autokton. Koncepti i tij në këto kohëra moderne të teknologjisë diametralisht është më ndryshe. Tani lypsari nuk është ai sikurse i Operas apo i Migjenit që ka nevojë për gjërat themelore njerëzore për ekzistencën humane të tij, tani lypsari ka ndërruar formë trajtë dhe është shëndruar në personifikim të së sotmës pakurrizore, ku ëndja për të pasur më shumë dhe për të gllabëritur, tejkalon kërkesat normale dhe i bënë që të shndërohen në një lypsar të vazhdueshëm, konsistent gjithnjë në kërkim për më shumë duke u bërë tërë kohën batakçi. Ndërsa ai/ajo që nuk posedon gjërat themelore ekzistenciale për jetesë, nuk është më lypsar, tani ai/ajo është shndëruar në dhurues të jetës, kohës, të ardhmes, atyre që tërë kohën vetëm marrin dhe harrojnë se ekziston edhe ana tjetër e medaljës që duhet të dhurojnë ndonjëherë apo paguajnë çmimë për atë që vazhdimisht po e marrin.

Po kështu e kemi këtë kuvend të sotit në Kosovën e vitit 2020. Kuvend që kanë kërkuar votën me çdo kusht, si nevojë e tyre e “patjetërsueshme” për të pasur më shumë për vete, rrethin e tyre të ngushtë dhe jo për të shërbyer. Harrojnë se lypja e votës pason me përfaqësimin e atyre që ta dhanë votën, atyre që vazhdimisht u kërkuan që tu japin. Por lypsarët asgjë nuk dëshirojnë për të dhënë në shkëmbim ndaj asaj që e fituan, përkundrazi tani “lypsari plaçkit”. Harruan se pse janë aty dhe si erdhën. Nga rrethi i tyre i ngushtë apo? Jo se jo? Edhe po t’i radhisnin klani nëpër lista ashtu si do donin nëse nuk votohen kot e kanë, kot edhe klani e ka. Votuesi është shefi, patroni juaj. Jo partia, asnjëherë. Prap ju do ktheheni dhe do lypni sërish, sërish, sërish se do jeni gjithnjë kuvendi i lypsarit, por sa jeni ju në gjendje të jepni pak besë, marrëveshje për atë votë që po merrni. O ju të pabesë! Pse? E dim ne pse!!! Jeni të varur nga klani, nga matrapazët e votave!!!

Lypsari sot nuk është i zhelosur, i katandisur apo gjebrosur. Sot në këto kohëra moderne ai është shumë bukur i veshur, disponon me pasuri, patundshmëri, vetura apo mjete tjera teknologjike. Por, vetëm pasi heq rrobat, teknologjinë, pasurinë, pas tyre fshehet lypsari, i gjebrosuri, zhelani me vetëdijen e tij injoruese dhe me sy kthetërash të forta gllabëritëse. Ja pra, pse sot janë ndërruar rolet dhe tani të pasurit (të diturit) janë lënë mëtanë. Ata nuk kanë maska, perde si lypsarët. Pasi lypsarët gjithnjë duke u kërkuar “lëmoshë për vazhdimin e jetës së pasur të tyre, morrën më shumë seç u takon, më tepër seç mendojmë unë e ti. Të diturit u bënë të “varfër” se nuk kishin kujt çfarë t’i japin më, ndërsa lypsarët u pasuruan se morrën atë që më së miri dijnë të marrin. U morrën dinjitetin dhe me paditurinë që kishin i shndërruan në të pamposhtur nëpërmes forcës së pushtetit që aksidentalisht e asnjëherë përmbajtësisht shumica u gjenden aty.

Pra kuvendi u përzgjodh nëpërmes mundësive të cilat i ofruan, kinse sikur një rezultat i të zgjedhurit, por jo, asnjëherë të të përzgjedhurit, ata që kishin mundur denjësisht të përfaqësojnë, ata që e din se kë duhet votuar. Morrën votën sikurse një arie e një opere, një melodramë të vyshkur mbi esktravagancën apo glamurin dekadencor, që pastaj të vazhdojnë jetën e tyre të një “lypsari të pasur”. “Një votë më jepni aman një copë pushtet tu dërgoj atyre që prapa perdeve më presin. Ata gjithëçka janë, përpos sufler të dinjitetshëm. Perdja nuk bie për ta, as syve, vetëm kërkojnë që cikli të përsëritet në pafundësi, përjetë. Por gjithë e dim se nuk ka përjetësi. Për ta do ketë vetëm skenarist që u caktojnë çka duhet teatruar, e rolet të përcaktuara nga regjisorët që qëndrojnë pas shesh-xhirimeve që gjithnjë në kërkim për djemë e vajza të reja dhe të bukura, kur me kohe i zavendësojnë, nga ata që prodhojn (produksiojn) pushtet për ri-lypsarët e ardhshëm.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK