Zërat
Leonora Aliu
Leonora
Aliu

Nëna ime depresive (II)

Zërat June 27, 2020 - 12:47

“Nënë, a po ngrihesh? Nënë, më bëj bukë!”

Teksa shkruaj këto rreshta përpara më del figura e vëllait 9 vjeçar i cili i ulur përbri shtratit të nënës ia drejton këto kërkesa.

Jemi ende në vitin 2016. Nëna tash e sa kohë dergjet e shtrirë në shtratin e saj.

Si mund ta kuptojë gjendjen e saj vëllai kur nuk mund ta kuptonte askush?

Duke ia drejtuar kërkesat e lartpërmendura, vëllai ia tërheqë mbulesën e shtratit duke i kërkuar t’i përgatis ushqim.

Më shumë se sa për bukë ai kishte nevojë për vëmendjen e saj. Ashtu sikurse të gjithë ne.

Në tentativë për ta normalizuar këtë situatë relativizoja gjithçka. Edhe atë ditë fundjave relativizova duke thënë se është fundjavë e njerëzit ritualisht duhet të pushojnë.

I përgatita vëllait ushqim.

Ora gati shënonte 12:00, por për nënën ishte thjesht edhe një minutë tjetër i jetës së saj të kotë.

“Nënë, a po ngrihesh?” - insistonte vëllai, pasi që kërkesa për ushqim o kishte përfunduar pak më parë.

As kjo kërkesë sikurse ajo e para nuk i bënte përshtypje. Madje as nuk e tërhiqte që të përgjigjej e lëre më të ngrinte kokën që e kishte futur nën mbulesë të shtratit.

Ka shumë situata të këtilla nga fëmijëria që më bien ndërmend. Por jo sa ato të viteve të fundit.

Asokohe nuk dinte askush të më shpjegonte se çfarë sëmundje ka nëna. Deri kur mbusha të njëzetat, atëherë kuptova pak që për mua ishte e mjaftueshme.

Dhe prapë habitem se si, përkundër luftës me gjendjen e saj, ajo arrinte çdoherë të mendonte për të tjerët. Sforcohej ta bënte këtë deri kur erdhi në pikën që nuk mundte më.

“Me strukturë depresive”.

Ky ishte term krejtësisht i ri të cilin e kisha dëgjuar pas shtrirjes së parë në spital të nënës në vitin 2018.

Në literaturën e psikologjisë gjendet edhe termi ndryshe për depresionin që njihet si “common cold of emotions” (ftohja e zakonshme e emocioneve).

Kjo metaforë nuk ka të bëj asgjë me të ftohtin apo mungesën e emocioneve. Ka të bëj me një çekuilibrim kimik në tru që mund të shkaktohet nga shumë faktorë, përfshirë këtu edhe dobësitë gjenetike, ngjarjet stresuese të jetës, efektet anësore si pasojë e përdorimit medikamenteve e të tjera.

Siç e kam theksuar më herët, nëna kishte pak nga të gjitha.

Në Kosovë, nga të dhënat e nxjerra prej intervistave të realizuar nëpër Qendrat e Shëndetit Mendor në 7 rajonet e Kosovës, papunësia identifikohet si një ndër shkaqet më të shpeshta që personat me depresion e përmendin si faktor të palumturisë së tyre.

Papunësia theksohet se ka impakt direkt në pabarazinë, lirinë dhe realizimin e ëndrrave të tyre. Ndër tjera, tek të rinjtë si mburojë vërehet edhe përdorimi i narkotikëve, ndonëse ky fakt ende nuk e ka gjetur hapësirën e mjaftueshme të trajtimit në vendin tonë.

Por, të kthehemi tek faktori i parë.

Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), dy të tretat e popullsisë në Kosovë janë në moshë pune. Shkalla e punësimit sipas këtyre të dhënave është 30.1%, ndërsa punësimi më i lartë është te meshkujt 46.2%, ndërsa te gratë dhe vajzat është dukshëm më i ulët 13.9%.

Pabarazia ekonomike, mungesa e mirëqenies dhe gjetja e një vendi pune mbetet njëra prej sfidave më të mëdha në vend dhe vlerësohet se janë një prej shkaktarëve kryesor të dhunës në familje.

Vetëm përgjatë 4 muajve të parë të vitit 2020 janë raportuar rreth 650 raste të dhunës në familje. Shumicën prej këtyre viktimave e përbëjnë gratë.

Ndikimi i depresionit të nënës në marrëdhëniet familjare përbën shqetësimin kryesor të shëndetit publik në nivel global, ndërsa studimet tregojnë se një numër i madh i fëmijëve, por edhe i partnerëve janë direkt të ekspozuar ndaj depresionit të nënës.

Një studim i Lisa Burke i botuar në vitin 2003 në Britani të Madhe, vë në pah disa nga ndikimet e depresionit të Nënës në marrëdhëniet familjare. Në studimin e saj, Burke thekson faktin se depresioni shfaqet më së shumti tek personat më arsimim më të ulët, pa përjashtuar edhe ata me arsimim të lartë por në përqindje dukshëm më të vogël.

“Gratë shfaqin përhapje më të madhe të çrregullimeve depresive se sa burrat, sidomos përgjatë viteve të lindjës së fëmijëve. Studimi i NCS [National Comorbidity Survey/Anketa Kombëtare e Komobirditetit] thotë se depresioni i përjetshëm është më i shpeshtë te gratë në diku 21.3% ndërsa 12.7 për qind te burrat. Studime tjera tregojnë se gratë vuajnë dyfish më tepër nga depresioni se sa burrat”, thuhet në studimin e Brukes.

Sipas të njëjtit studim, simptomat depresive tek gratë janë të lidhura ngushtë me shëndetin e tyre riprodhues, përgjatë periudhave paramenstruale, përgjatë shtatzënisë, pas lindjes. Mirëpo gratë më të cenueshme ndaj sëmundjes janë ato që vijnë nga klasa punëtore, dhe kryesisht nënat e papuna me fëmijë të vegjël.

“Këto gra arrijnë deri në 40% të numrit të të prekurve”, shkruan Burke në studimin e saj.

Një tjetër shqetësim për shëndetin publik që ajo thekson është fakti se gratë globalisht janë kujdestaret kyçe apo perosnat kyç që merren me rritjen dhe kujdesin e fëmijëve dhe për këtë arsye ajo përmend efetket anësore të depresionit të nënave si “çështje madhore për shëndetin e fëmijëve”.

Dhe nënat janë të vetëdijshme për këtë.

“Unë nuk jam e sëmurë”

Trajtimi i depresionit në të shumtën e rasteve realizohet përmes dy metodave, asaj me medikamente si dhe përmes trajtimit të sjelljeve kognitive.

Në të shumtën e rasteve duhet të kombinohen të dyja për të arritur fillimisht disiplinimin e personit në nevojë. Kjo është një sfidë në vete.

Frika nga ndryshimi për shkak të çrregullimit, në njërën anë, dhe stigma në tjetrën, jo vetëm tek ne por edhe në mbarë botën përbëjnë dy prej faktorëve kryesorë që ndikojnë te njerëzit për të mos kërkuar ndihmë për shkak të depresionit.

Nana nuk ishte përjashtimi.

Kur ky procesi fillon, hapi i parë që bëhet është edukimi i personit nevojë ashtu edhe familjarëve për sëmundjen (në mënyrë që të kuptohet më mirë) e pastaj edhe për efektet e ilaçeve dhe mënyrës së trajtimit.

I gjithë ky proces, varësisht se sa pranohet, mund të zgjasë së paku deri në gjashtë muaj. Shumica e antidepresantëve nuk e shfaqin ndikimin e tyre para gjashtë javëve. Kjo vlerësohet se kohë shumë e gjatë për dikë që vuan nga depresioni dhe jeton me mendjen në errësirë.

“Nuk i dua ilaçet sepse nuk po më ndihmojnë!” - Është zhargon i zakonshëm që thuhet e dëgjohet në fillim.

Për shkak se jo çdoherë ishim në shtëpi me nënën kur ajo e kishte kohën për të marrë ilaçet, shpesh edhe e shihnim teksa hidhte tabletat në shportë dhe nuk i merrte fare.

Është dashur shumë e shumë kohë për ta bindur që një ditë do ta shihte edhe ajo, por edhe ne ndryshimin falë tyre.

Mospërfillja e dietës së përshkruar nga mjekët dhe ilaçeve e çrregullon edhe më shumë gjendjen, ndërsa dozat shkojnë e bëhen më të ndryshme.

Pas gati një viti e gjysmë mund e shumë kokëçarje, nëna u bind që të marrë hapat sipas udhëzimeve.

Deri një ditë! Deri në verën e vitit 2017!

Disa mysafirë e ndër ta një familjarë që jeton jashtë shtetit kishin ardhur në vizitë tek prindërit e mi. Ata ishin njerëzit më të edukuar e njëkohësisht më të butë që njoh që kur kam ardhur në këtë botë plot probleme.

Njëra prej mysafirëve, për arsye që as sot nuk i kuptoj mirë, papritmas ia kërkon nënës që të ia shoh ilaçet, me e arsyetimin se di gjuhë të huaja dhe mund të zbërthejë më mirë përshkrimet.

Çuditërisht, këto fjalë dolën nga goja e saj: “Këto hapa janë për të parandaluar të sulmosh vetën e të tjerët sepse mund të iu bësh dëm edhe fëmijëve”.

Për afro dy muaj e gjysmë nëna mbeti e shtrirë. Nuk flinte tërë natën.

“Po frikësohem se po zgjohem e e sulmoj djalin”. Arsyeshëm e kishte hallin të vëllai i vogël.

Bashkë me të edhe ne kaluam shumë net të zgjuar duke provuar ta bindim se nuk do dëmtonte askënd dhe se bëhej fjalë vetëm për ilaçe që ndihmojnë në qetësimin e mendjes.

Në vendin tonë ende nuk është kulluar sensi i përjetimit të dhimbjes së viktimës. Ekziston njëfarë refuzimi e mungese e theksuar e edukimit se si të trajtohet një viktimë e shëndetit mendor.

Shume qasje kundruall këtyre viktimave kryesisht janë të gabuara dhe përbëjnë shkelje enorme të të drejtave të viktimave.

Sidoqoftë, stigma është mjaft evidente në shoqërinë tonë. Ajo kishte ndikuar që nëna të shpërfillte udhëzimet e mjekëve.

“Do të thonë se jam e sëmurë në kry! Unë nuk jam e sëmurë!” - Përsëriste shpesh nëna.

Detyroheshim të frekuentonim fshatra larg shtëpisë përgjatë fundjavave që ta bindnim të lëvizte disa hapa. Këto udhëtime i kishin kostot e veta. Ndikimet e depresionit në marrëdhëniet familjare janë shumë dimensionale.

Dhe po, viktimat shpesh herë nuk hasin në mirëkuptimin e anëtarëve të familjes, ose jo të të gjithëve. Mirëkuptim shpesh nuk gjetëm as ne që përballeshim me këtë gjendje, madje ka pasur raste kur të tjerët mundoheshin të na tregonin se si duhet ta trajtojmë nënën, duke marrë një rol psikologu, ndonëse pa asnjë kualifikim e qe besa as të drejtë morale për këtë.

Bruke në studimin e saj trajton edhe aspektin e ndikimit në jetën familjare dhe sociale të viktimës.

Në të kaluarën, ajo thotë se depresioni është parë më tepër si diçka që ndikon vetëm tek individi i çrregulluar. Mirëpo studimet me njerëzit që jetojnë me persona me depresion kanë treguar të kundërtën.

Çrregullimi me depresion është entitet heterogjen dhe nuk mundet assesi të mos trajtohet edhe brenda kontekstit shoqëror.

“Të qenit pjesë e klasës punëtorë, të kesh fëmijë të vegjël, humbja e nënës në fëmijëri, ose marrëdhëniet e dobëta me bashkëshortin janë faktorë që provokojnë depresionin”, shkruan Bruke.

Ndërkohë që marrëdhëniet e shëndosha me anëtarët e familjes dhe bashkëshortin e ndihmojnë kapërcimin e gjendjes. Megjithatë njerëzit që vuajnë nga depresioni janë më të prirtë të nxisin më shumë veprime sociale negative sesa pozitive.

Prandaj, ka shumë rëndësi se me kë rrethohen apo se si trajtohen nga anëtaret e familjes, miqtë, njerëzit që i duan, kolegët e punës, e të tjera.

James Coyne, psikolog amerikan që doktoraturën e ka të bazuar mbi trajtimin klinik që ndërlidhet me depresionin, në studimet e tij përmend “depresionin intrapersonal” ku thekson se personat e prekur nga ky çrregullim nuk janë aspak të prirur për veprime pozitive.

Ai shton se ata duhet të stimulohen dhe prandaj ka rëndësi jashtëzakonisht të madhe që të mos refuzohen nga ata që kanë rëndësi në jetën e tyre, sidomos jo për shkak të çrregullimit.

A është e lehtë të luftosh me këtë sëmundje?

Si një fëmijë i lindur e rritur nga një nënë depresive mund të them – Jo. Nuk është e lehtë. Sidomos kur jeton në një ambient kaq të pasigurt social si Kosova.

Në familjen time 6 anëtarëshe deri para dy viteve isha e vetmja me kontratë pune. Dy prindërit e mi kishin probleme shëndetësore.

Gjersa nëna po luftonte me depresionin, babai kishte pësuar një sulm kardiak dhe angazhimi i tij në punë (ndërtimtari) ishte kufizuar me përshkrim.

Depresioni nuk është çrregullim që trajtohet me pak para. Kërkon ditë specifike të ushqimit, ilaçe të cilat duhet me doemos të merren në kohë dhe me rregull e që nuk janë lirë të kushtueshme.

Një antidepresant më i liri kushton deri në 16 euro. Po flas për të lirin. Po ashtu, kërkohen shumë aktivitete rekretative që shumë familje kosovare nuk mund t’i përballojnë.

Kërkohet kujdes i shtuar e monitorim i rregullt. Angazhimi i ndonjë infermiereje/i në shtëpi do të ishte luks për shumicën në Kosovë. Në anën tjetër, Qendrat e Shëndetit Mendor, për të cilat vonë e kam kuptuar se ekzistojnë, operojnë me numër të vogël të stafit saqë është i vështirë kujdesi cilësor.

Në fakt, është goxha cinike të kërkohet nga një infermier/e të kujdeset ta zëmë për 10 persona me diagnoza të ndryshme të çrregullimeve mendore, siç rëndom ndodh në Kosovë.

Ndër të tjera, Qendrat e Shëndetit Mendor në Kosovë edhe ashtu në qëndrimet e tyre ditore më tepër mbajnë burra sesa gra.

“Gratë e kanë më të vështirë të vijnë këtu sepse e kanë mbi supe barrën e shtëpisë dhe stigmën”, më kishte thënë një herë drejtori i një Qendre të Shëndetit Mendor në Kosovë.

Përgjigje pothuajse të njëjtë japin të gjitha qendrat.

Në anën tjetër, terapitë grupore me anëtarët e familjes janë parë si metoda të mira dhe efektive sidomos për edukimin e familjes mbi trajtimin e depresionit dhe aspektet e menaxhimit të tij.

Personalisht nuk më ka rastisur të marrë pjesë në ndonjë të tillë në 6 vitet e fundit dhe as nuk kam qenë e informuar gjersa kam nisur “Ditarët e Depresionit”. Aq më për rëndësinë dhe efektshmërinë e tyre.

Pas shtrimit të nënës në spital, një psikologe e kujdesshme kishte mbajtur disa takime me mua dhe babanë kryesisht për të na informuar më shumë rreth asaj se si duhej të qaseshim.

Kjo kishte jashtëzakonisht shumë rëndësi!

Lisa Bruke në studimin e saj përmend edhe disa probleme psikologjike që mund të ndodhin në familje si pasojë e depresionit, sidomos në rast se viktima është nëna.

Ajo thekson abuzimet brenda familjes, të fëmijëve, që mund të shkojë deri në infanticide (mbytja e foshnjës në vitin e parë të jetës) apo edhe abuzimet fizike me partnerin.

Këto janë vetëm disa probleme të cilat mund të shmangen me kujdesin e duhur.

Pakujdesia mund të ketë çmim shumë më të lartë se vetë çrregullimi.

Pakujdesia gati na e mori nënën, në një natë maji të vitit 2018…

Pjesa e fundit e këtij shkrimi publikohet nesër.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e Leonora Aliut dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian ose BIRN-it dhe AGK-së.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK