Zërat
Nuhi Bytyçi
Nuhi
Bytyçi

Kujtime të gazetarit Nuhi Bytyçi nga festimi i Vitit të Ri 1999 në zonat e luftës

Zërat December 31, 2020 - 12:11

Besonim se viti i ri 1999 do të jetë vit i çlirimit të Kosovës 

- Si vendosa që Vitin e ri 1999 mos ta pres në Prishtinë, por në mesin e luftëtarëve të lirisë, në pozicionet e tyre dhe në mesin e familjarëve të dëshmorëve të lirisë?
- Bashkë me luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishim optimist dhe të bindur se viti 1999 do të jetë vit i kthesës historike, vit i çlirimit dhe i largimit përfundimtar të regjimit okupues serb nga Kosova

Më 28 dhjetor të vitit 1998, i cili ishte vit i fillimit të luftës frontale midis Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe regjimit okupues serb në krye me Millosheviqin, isha kthyer në Prishtinë nga Zona Operative e Llapit. Në vitin e shpresës së madhe për Kosovën, vitin e lirisë dhe dhënies fund robërisë shumëshekullore të shqiptarëve të Kosovës, mendova: “Mjaft kam pritur e përcjellë ndërrime të moteve në familjen time në Shkozë dhe në Prishtinë. Më mirë ta pres vitin e ri 1999 në mesin e trimave të lirisë. Ky ishte një rast i rrallë për mua”. Prandaj, vendosa që natën e fundit të vitit 1998 dhe fillimin e vitit të kthesës 1999 ta pres në mesin e atyre djemve dhe vashave që rrokën armët dhe iu përgjigjën kushtrimit të luftës për liri dhe pavarësi. Vendosa ta pres me luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në trevën e Llapushës, ku vepronte Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së dhe Shtabi i Zonës Operative të Pashtrikut, si dhe ai i Brigadës 121 të UÇK-së Ismet Jashari-“Kumanova”.
Më vinte keq prej bashkëshortes dhe djalit, Arianitit, i cili ishte maturant, që t’i lija vetë në Prishtinë e të shkoja në vargmalet e Berishës dhe të Kleçkës për ta pritur vitin e ri nën dritën e llampave të vajgurit dhe të gjeneratorëve. Kur Arianiti mori vesh se do të shkoj në zonat e luftës për ta pritur vitin e ri, më tha: “Babi, edhe unë du me ardhë me ty, sepse më ke premtu se do të më marrësh me vete për t’i parë luftëtarët dhe komandantët e UÇK-së”. Meqë ishte situatë e rëndë lufte dhe nuk kisha as vetë siguri se do të mbërrija shëndosh në vargmalet e Berishës, kisha rezervat e mia për t’ia plotësuar dëshirën që të vinte me mua. Bashkëshortja, si nënë e djalit të vetëm, reagoi ndaj qëndrimit tim jorefuzues ndaj vullnetit të madh të Arianitit dhe insistimit të tij për të ardhur bashkë me mua në zonat e luftës. Ajo kundërshtonte që ai të më shoqëronte në zonat e luftës. Por, insistimi i Arianitit ishte i madh: “Të lutem merrem edhe mua. Tani është çasti i duhur që të më plotësohet dëshira. Nëse s’më merr ti, do ta gjej rrugën për të shkuar në zonën ku veprojnë luftëtarët e lirisë!” Isha midis dy zjarreve: në njërën anë konsideroja se kërkesa e Arianitit, si i ri, që mbështeste në mënyrë të hapur luftëtarët e lirisë dhe kërkonte të vinte me mua për t’i takuar drejtpërdejtë ata, ishte e madhe, ndërsa në anën tjetër kisha po atë frikë që kishte nëna e tij, bashkëshortja ime, për rrezikimin e jetës së djalit. Zgjodha ta respektoj vullnetin e Arianitit. E mora me vete. Ndërkohë, i tregova Abaz Zekës se kam vendosur të shkoj në vargmalet e Berishës që ta pres ndërrimin e moteve mes luftëtarëve. I thashë “nëse mundesh me ardhë, do të ishte mirë”. Ai më tha se “edhe unë kisha me ardhë me ty, por më duhet të bisedoj me fëmijët e mi të vegjël, Albanin dhe Arbërin, dhe bashkëshorten, Fëllanzën, që ta marr miratimin e tyre për të munguar në pritjen e vitit të ri së bashku me ta”.
Abazi sapo kishte biseduar me familjarët e vet, më tha: “Nuhi, djemtë dhe bashkëshortja u pajtuan që këtë vit të mungoj. Do të vij me ty që të shkojmë bashkë në vargmalet e Berishës për ta pritur vitin ri 1999”. Më erdhi mirë që s’më la vetëm. E mori edhe kamerën që, për çdo rast, të xhirojmë materiale ekskluzive për të përgatitur një emision për TVSh-në.
Me makinën time shkuam deri në Stacionin e Autobusëve. E lashë në parking të stacionit. Nuk dinim kah t’ia mbanin. Nuk dinim kah është më i sigurt udhëtimi deri në ShP të UÇK-së. Hipim në autobusin që qarkullonte për Prizren. As nuk dinim ku është më mirë të zbresim, në Suharekë apo në Lypjan. Kur më pyeti konduktori për ku udhëtoni, i thashë për Lypjan. Zbritëm në Lypjan dhe pritëm autobusin për Magurë dhe Shalë. Ishte rrëmujë para autobusit, shumë udhëtarë që kishin arritur të blinin ndonjë gjë për natën e Vitit të Ri dhe për t’u kthyer në shtëpi. Hipëm disi dhe qëndruam këmbë në autobus me plot udhëtarë. 
Kur mbërritëm tek udhëkryqi Lipjan-Shtime-Magurë, jo fort larg Burgut të Lipjanit, policia serbe e ndali autobusin dhe hyri brenda për t’i kontrolluar lejet e njoftimit të udhëtarëve. Të them të drejtën, fillova të frikësohem pak për shkak të Arianitit, sepse ishte i ri, trupgjatë dhe kishte me vete disa ekzemplarë të “Gjimnazistit”, ku në ballinë ishte fotografia e Fatmir Limajt dhe në brendi ishin shkrimet për UÇK-më ku Arianiti kishte vendosur emrin dhe mbiemrin e vet. Fatmirësisht, s’na kontrolluan dhe kështu arritëm të vazhdojmë rrugën drejt Magurës dhe Shalës (ish-Sedllarit). 

Image

Takimi me dr. Fitim Selimin dhe me gjeneralin Sali Veseli

Në Shalë takojmë Fatmir Shurdhën, komandant i Batalionit të UÇK-së në këtë fshat. Me të shkojmë në ambulancën ushtarake. Takojmë dr. Fitim Selimin, humanist i vërtetë, i cili, me buzëqeshje të natyrshme, na dëshiron mirëseardhje. Dr. Fitimi ishte në shërbim të përkujdesjes shëndetësore të luftëtarëve të lirisë dhe të popullatës civile. Befasia ime ishte takimi me Sali Veselin, epror i lartë i ShP të UÇK-së, të cilin e përshëndeta, por s’e njoha, edhe pse me të isha takuar në vitin 1991 te Tahir Geci në Zug të Zvicrës, ku ata ishin vendosur si refugjatë politik. Me Saliun shtrënguam duart edhe një herë, sepse qysh atëherë, më 1991, interesohej në mënyrë të veçantë se si eprorët ushtarakë të angazhohen për organizimin e rezistencës së armatosur për çlirimin e Kosovës. Dhe ja dëshira e tij prej ushtaraku tashmë po jetësohej praktikisht, duke qenë pjesë aktive e organizimit të luftës së armatosur për çlirimin e Kosovës. 
Aty kemi bërë planin si të shkojmë në Fshat të Ri, në Lladrovc, ku ishte një pjesë e Shtabit të Përgjithshëm. Arianiti me komandantin e brigadës 121 të UÇK-së, Haxhi Shalën, me kolegun Abaz Zekën dhe me anëtarin e drejtorisë operative të UÇK-së, Sali Veselin udhëtuan me një xhip, kurse unë me një traktor me komandantin Shaban Dragajn. Kishim shumë probleme të ngjiteshim shpatieve deri në Divjakë, sepse ishte akull dhe acar i madh, por Shabani u dëshmua vozitës i shkathtë. 

Takimi me anëtarët e ShP të UÇK-së, Fatmir Limaj dhe Rexhep Selimi në Fshat të Ri

Të gjithë jemi bashkuar përsëri në Fshat të Ri në shtëpinë e Sabit Zogajt dhe aty jemi takuar me anëtarët e SHP të UÇK-së, Fatmir Limajn, Rexhep Selimin dhe me bashkëluftëtarët e tyre. Kur na kanë parë janë çuditur. Vërtet u befasuan për të mirë dhe na thanë: “Në vend se me e pritë Vitin e Ri në Prishtinë, ju vini këtu!”. U thashë: “Vendosëm të vijmë që ta presim bashkë me ju Vitin e Ri në territorët e çliruara të Kosovës, ngase në Prishtinë mungon liria”. U erdhi shumë mirë. Ata e çmuan këtë sakrificë tonën. Kur e panë Arianitin u gëzuan edhe më shumë dhe e mirëpritën jashtëzakonisht mirë. Djali, Ari, siç e quajmë unë, bashkëshortja dhe e gjithë familja jonë, kishte marrë me vete disa ekzemplarë të numrit më të ri të revistës “Gjimnazisti”. Në faqe të parë Arianiti dhe shoku i tij Fiton Peja kishin vendosur fotografinë e Fatmir Limajt me “Gjimnazistin” në duar, duke e shfletuar atë. Ishte kjo fotografi e nxjerrë nga xhirimi i mesazhit që Fatmir Limaj me 28 nëntor 1998 nga Fshati i Ri i kishte dërguar nxënësve të Gjimnazit “Xhevdet Doda” të Prishtinës në shenjë falënderimi për mbështetjen që këta nxënës përmes revistës “Gjimnazisti”, e cila udhëhiqej nga Fiton Peja dhe Arianit Bytyçi, i kishin dhënë luftës çlirimtare të UÇK-së. Në numrin më të ri të revistës “Gjimnazisti” përveç botimit të mesazhit të Fatmir Limajt-komandant Çelikut, Arianiti dhe Fitoni, Bujar Sadiku nxënës të tjerë kishin vazhduar të botonin edhe shumë shkrime të tjera që i kushtoheshin Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Arianiti me vete kishte marrë edhe disa ekzemplarë të gazetës studentore “Bota e re”, disa shkrime që unë dhe Muhamet Mavraj i botonim për UÇK-në, për pritjen e 28 nëntorit në Divjakë, si dhe një shkrim i Arianitit në mbështetje të UÇK-së që e kishte botuar po në “Botën e re”. Arianiti asokohe edhepse ende ishte maturant, pra nuk ishte ende student, botonte shkrime mbështetëse për UÇK-në në gazetën e studentëve “Bota e re”. Nga Fshati i Ri kemi shkuar në Lladroc të Malishevës, në shtëpinë e Ibrahim Zogajt, i cili punonte në Gjermani, kurse shtëpinë e kishte lënë në shërbim të UÇK-së.

Vizitë familjeve të dëshmorëve dhe luftëtarëve në pozicione

Bashkë me Fatmr Limajn, anëtar i ShP të UÇK-së, Rexhep Selimin, inspektor gjeneral i UÇK-së, Haxhi Shalën, komandant i Brigadës 121 të UÇK-së dhe bashkëluftëtarët e tyre, Çerkin Dukollin, Shefqet Buçajn, Avdi Rracin, Shefqet Zogajn, Xhevat Krasniqin e të tjerë bëmë një plan xhirimi. Propozova të vizitojmë disa njësi në detyrë, ushtarët që janë në mbrojtje të sulmeve të forcave serbe natën në ndërrimin e moteve. Po ashtu, bëmë planin t’i vizitojmë edhe disa familje të dëshmorëve në Lladroc, në familjen e dëshmorit Habib Zogaj dhe të Ali Zogajt, kurse në Guriq në familjen e Nuhi Mazrekut. Babai i Ali Zogajt, Bajrami dhe vëllezërit, Ramadani, Iliri, familjarët e dëshmorit Ali Zogaj, i falënderuan bashkëluftëtarët e Aliut për vizitën. Ilir Zogaj ka qenë i angazhuar në UÇK prej fillimit të luftës në Llapushë. Babai i Aliut, xha Bajrami, para bashkëluftëtarëve të djalit e tha edhe këtë dëshirë të madhe: “Kisha dashur që sa jam gjallë ta përjetoj lirinë, së paku një orë, tani me vdekë s’kam dert!” Kjo na emocionoi të gjithëve dhe shokët e Aliut i premtuan axhës Bajram se “gjaku i djalit tuaj dhe i dëshmorëve të tjerë, si dhe lufta jonë gjatë vitit 1999 do të largojë përfundimisht Serbinë nga Kosova dhe do ta gëzojmë të gjithë lirinë!” Axha Bajram i përqafoi Fatmirin, Rexhën dhe u dëshiroi sukses në betejat e ardhshme të UÇK-së. Ndërsa babai i Habib Zogajt-komandant “Arbërit”, Bahtiu, mërgimtar shumëvjeçar në Gjermani, fliste me një zë të qetë, me mburrje për kontributin e djalit dhe të shokëve të tij në luftën për liri. Në odën e familjes së Habib Zogajt-“Arbërit” na pritën edhe xhaxhai i tij, Hakiu, vëllai Agroni dhe familjarë të tjerë. 
Në Lladrovc vizituam edhe Avni Buçajn, luftëtar i plagosur, i cili më vonë gjatë vitit 1999 kishte rënë dëshmor. Po ashtu vizituam dhe familjen e dëshmorit Afrim Buçaj. Me këtë rast, Fatmir Limaj rrëfeu se si mësuesi i tij, Afrimi, i kishte edukuar në frymën atdhetare atë dhe nxënësit e tjerë në Banjë. Ai e ngushëlloi nënën e Afrimit, Hajrijen, djalin Valmirin, dy vajzat e tij dhe motrën e Afrimit, atëherë studente e Aktrimit, Sheqerie Buçajn dhe premtoi mbështetjen e përhershme. Kur shkuam në Guriq në familjen e dëshmorit të luftës së UÇK-së, Nuhi Mazrrekut, babai i tij, axha Zejnullah, një burrë i mençur, ishte shumë krenar për birin e tij dhe me të gjithë luftëtarët dhe dëshmorët e lirisë. Njeri fjalëpakë, i vendosur, na priti shumë mirë në odën e tij në Guriq, mua, Abazin, Fatmirin, Rexhepin, Haxhi Shalën, Kadri Krasniqin, Çerkin Dukollin, Avdi Rracin, Naser Hoxhën – “Gjermanin”, si dhe djalin tim, Arianitin. Pasi bashkëluftëtarët e dëshmorit Nuhi Mazrreku edhe në këtë fundvit e ngushëlluan babain e tij xha Zejnullahun për rënien e birit të tij në fushën e nderit, plaku i falënderoi ata dhe me shumë krenari tha: “Si prind jam krenar që kisha asi djali, që i doli zot vendit tone, por mendoj se si popull hala nuk kemi dhanë sa duhet për luftën, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Duhet me dhanë edhe ma shumë të gjithë dhe një here e përgjithmonë me e ëargu armikun nga këto troje. Dëshiroj që viti 1999 të na sejllë lirinë e plotë!”
Ishin këto fjalë nga një prind, i cili normal që kishte dhembje për rënien e djalit, por vëretë ndihej krenar me të dhe shokët e tij dësgmorë dhe të gjallë, që vazhdonin luftën për liri. 

Image

Gatishmëria luftarake e UÇK-së - në nivel të lartë

Bashkë me drejtuesit e UÇK-së vizituam luftëtarët e Batalionit “Sadik Shala” në Javur. Në një odë në këtë fshat, u takuam me eprorët dhe ushtarët e këtij batalioni shumë të vyeshëm të Brigadës 121 të UÇK-së. Komandanti Ajet Kastrati-“Eprori” dhe eprorë të tjerë i informuan anëtarët e ShP të UÇK-së lidhur me gjendjen e gatishmërisë luftarake të këtij batalioni gjatë festës së vitit të ri. Ajet Kastrati përmendi disa prej ushtarëve më të dalluar të këtij batalioni: Sejdi Gashin, Milazim Elshanin, Shefqet Shalën, Mustafë Shalën, Besim Hoxhën, të cilët ishin shpërblyer për përkushtimin e treguar gjatë luftës në këtë trevë.
Pastaj vizituam ushtarët e këtij batalioni të cilët ishin në pozicione në malet e Javurit. Ishte acar i madh. Abazi nxitoi ta xhironte luftëtarin Sejdi Gashi, i cili vështronte terrenin natën, lëvizjet eventuale të forcave serbe, dhe i thotë atij: “Mos rri shumë në borë se po ftofesh”. Pas pyetjes sime drejtuar Sejdi Gashit se a ju pengon acari i madh që të qëndroni në pozicione? Ai pa u hamendur u përgjigj: “Në asnjë mënyrë nuk na pengon fare acari, sepse jemi të përgatitur dhe kemi vullnet të jashztëzakonshëm për të qëndruar në pozicionet tona dhe për tiu kundërvënë çdo provokimi të forcave ushtarake e policore serbe”.
Zhvillova edhe një bisedë me Rexhep Selimin, inspektor i përgjithshëm i SHP të UÇK-së lidhur me gatishmërinë ushtarake të luftëtarëve të UÇK-së. Ai me këtë rast tha “Gatishmëria luftarake e të gjitha njësiteve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është në nivelin më të lartë. Për të mbrojtur popullatën civile dhe njësitet tona nga sulmet eventuale të forcave serbe, luftëtarët e lirisë janë në pozicionet e tyre dhe të gatshëm që tu kundërvihen atyre.”

Vitin e ardhshëm do ta festojmë në Kosovën e lirë

Xhirimet e asaj nate ishin të veçanta, sidomos kur komandant Ajet Kastrati ia dha me një zë të kumbueshëm raportin ushtarak anëtarit të SHP të UÇK-së, Fatmir Limajt para ushtarëve të tubuar natën e Vitit të Ri në Javur, kur xhiruam me drita të makinës, sepse nuk kishim drita të posaçme për xhirim natën. Këtu me një minutë heshtje iu bënë nderime dëshmorëve të rënë për liri në betejat e zhvilluara nga UÇK-ja gjatë vitit 1998. U emocionuam shumë kur dëgjuam Fatmirin t’u thoshte luftëtarëve: “Ju uroj Vitin e Ri 1999 dhe ju përgëzoj për luftën që keni bërë! Shpresojmë se vitin e ardhshëm do ta festojmë në Kosovën e lirë”. Këto fjalë ishin shumë inkurajuese për luftëtarët e lirisë.
Xhirimet që i bëmë me Abazin në rrethana lufte ishin tipike dokumentareske. Ne nuk mund të bënim film artistik, por bënim përpjekje që në rrethana të luftës ta prezantojmë UÇK-në për mbrojtjen e popullatës civile. Edhe në natën e Vitit të Ri të gjithë ishin në pozicionet e veta. Edhe pse ishte ftohtë i madh, të gjithë ishin të gatshëm të qëndrojnë dhe t’u bëjnë ballë provokimeve të forcave serbe. Te të gjithë luftëtarët e lirisë vërehej entuziazëm i veçantë për sfida të reja. 
Atë natë në fshatin Tërpezë të Malishevës, Fatmir Limaj dhe Rexhep Selimi në një odë patën një bisedë të drejtpërdrejtë me ushtarët e Batalionit “Afrim Krasniqi” të UÇK-së, udhëhequr nga Skënder Hoti. Meqë ishte atmosferë festive, për t’i argëtuar luftëtarët e lirisë, kënduan disa këngë folklorike Ali dhe Hajdin Limaj. Në pushim të këngëtarëve, Fatmir Limaj para ushtarëve i përkujtoi zhvillimet gjatë vitit 1998 dhe komentoi disa kronika të cilat u transmetuan atë natë në lajmet nga Kosova në TVSh. Aty u transmetua edhe një kronikë e imja telefonike nga Lladrovci i Malishevës për pritjen e Vitit të Ri në këtë zonë të luftës, në mesin e eprorëve dhe ushtarëve të UÇK-së. Nga luftëtarët e lirisë u vlerësua lart puna e ekipit tonë, e imja, e Abazit, e Migjenit, e Ekran dhe Ergyn Dobërçanit dhe e njerëzve të tjerë që na mbështesnin. Ata thoshin se “njerëzit që e duan vendin e vet, e duan UÇK-në, e çmojnë luftën dhe prezantojnë luftën drejt dhe nga vendi i ngjarjes”. Në mënyrë të veçantë, Fatmir Limaj na falënderoi dhe na inkurajoi mua dhe Abazin për punën që e bënim për pasqyrimin e sakrificës së popullit, të sakrificës së luftëtarëve të lirisë në përballje të drejtpërdrejtë me provokimet e vazhdueshme të armikut në këtë zonë, Zonën Operative të Pashtrikut, ku vepronte edhe Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, ku kishte shumë zhvillime dramatike dhe ku ishte organizimi i mirëfilltë i rezistencës së armatosur kundër forcave pushtuese serbe. Ndërsa u dëgjuan edhe kritika për disa gazetarë, të cilët raportonin nga Prishtina, kuptohet nga zyrat, për të gjitha ngjarjet politike në Kosovë të vitit ’98, që ishte realisht vit i UÇK-së, por nuk e përmendnin në mënyrë meritore ashtu si ishte zhvillimi i UÇK-së. Fatmiri para ushtarëve i analizoi disa paraqitje për edicionin e lajmeve të Kosovës në TVSh të cilat ishin përgatitur nga kolegët e mi të ekipit që raportonte me telefon nga Prishtina, duke thënë se në ato paraqitje të zhvillimeve të vitit 1998 mungonte pjesa kryesore, ajo e zhvillimeve në zonat e luftës. Ishin të fokusuar kryesisht në prononcimet e udhëheqjes në Prishtinë, sidomos në konferencat për shtyp që mbaheshin në selinë e Lidhjes Demokratike. Sipas tyre, thua se asgjë tjetër nuk kishte ndodhur në Kosovë. Kjo irritoi sidomos Fatmir Limajn, i cili shprehu pakënaqësinë e vet, duke thënë se mjerisht disa gazetarë nuk janë duke e kryer detyrën e vet në mënyrë profesionale. 
Gjatë vizitës në Banjë të Malishevës, në batalionin e fshatit të Limajt, raportin për gatishmërinë luftarake të UÇK-së ia dha eprori Çerkin Dukolli. Fatmir Limaj nuk kishte pasur kohë të vizitonte një kohë as familjen e vet, prandaj, e shfrytëzoi këtë rast dhe kërkoi mirëkuptim, që bashkë me ne të shkojmë në shtëpinë e vet dhe ta vizitojmë një pjesë të familjes së tij. Një pjesë e saj ishte në Prishtinë, kurse një pjesë në Banjë. Kur kemi shkuar aty ishte bashkëshortja, Zaria dhe fëmijët e tyre, djali Durimi, nipi, djali i motrës - Arianiti, axha i Fatmirit - Ganiu, bashkëshortja e axhës, Hajrija, njëherësh teze e Fatmirit. I them Abazit, xhiroje takimin e Fatmirit me familje në mënyrë të natyrshme. 
Me të vërtetë ishin xhirime të veçanta dokumentare sepse Fatmiri në njëfarë mënyre nuk kishte kohë të përkujdesej për familjen e vet dhe përqendrohej në organizimin e rezistencës në Zonën e Pashtrikut dhe më gjerë. Ato xhirime pasqyrojnë një realitet të atyre çasteve, të pritjes së Vitit të Ri 1999, dhe me të vërtetë te të gjithë, edhe te fëmijët, të rriturit dhe ushtarët vërehej optimizëm për ditë më të mira për Kosovën, për pritjen e Vitit të Ri në Kosovën e çliruar.
Gjatë qëndrimit në çerdhet e UÇK-së në Llapushë, duke udhëtuar nga një fshat në tjetrin, isha në një makinë me Rexhep Selimin, i cili na voziste. Përpara ishte ulur Fatmir Limaj, kurse prapa unë dhe i biti im, Arianiti. Ishte po ashtu një automjet tjetër, ku ishin Haxhi Shala, Avdi Rraci, kolegu Abaz Zeka dhe disa ushtarë të tjerë të UÇK-së. Ata e çmuan ardhjen tonë nga Prishtina, sidomos xhirimet që i bënim me këtë rast. Për një çast Rexhepi dhe Fatmiri thanë: “Baci Nuhi, kur vendos diçka, pa e realizua nuk e lë!” Unë thashë: “Unë kam shprehur vullnetin të vij ta pres Vitin e Ri në mesin tuaj. Jo vetëm me pritë, por me regjistru një pjesë të historisë së popullit tonë në vitin 1998, i cili ishte viti vendimtar për popullin shqiptar të Kosovës”.
Me të vërtetë ndihesha shumë më mirë që isha në mesin e luftëtarëve të lirisë për ta pritur Vitin e Ri 1999 sesa të kisha qëndruar dhe pritur në Prishtinë, në gjirin familjar. Kisha pritur më parë mjaft ndërrime të moteve në mesin familjar. Por, ky është viti i rëndësishëm për mua, më i rëndësishmi prej gjithë të tjerëve në jetën time. Të them të drejtën, nëse nuk kisha shkuar në mesin e luftëtarëve të lirisë, me të vërtetë më kishte mbetur merak, do të ishte në njëfarë mënyre dështimi im për t’ia sjell opinionit ato xhirime dhe realitetin se si UÇK-ja e priste ndërrimin e moteve në gjendje të gatishmërisë së lartë edhe gjatë kësaj feste. Pra, qëllimi kryesor ishte që opinionit t’i tregonim për ndërrimin e moteve, se si luftëtarët e lirisë janë në detyrën e tyre, në mbrojtje të Kosovës, në vazhdimin e luftës për liri. Nuk ishte qëllimi im vetëm të shkoja të rrija, të çoja ndonjë gotë verë.
Gjatë qëndrimit në zonat e luftës, me rastin e Vitit të Ri, në Fshat të Ri erdhën edhe zëvendëskomandanti i përgjithshëm i ShP të UÇK-së, Jakup Krasniqi dhe Adem Grabovci, anëtar i ShP të UÇK-së. Bashkë me ta bisedonim dhe komentonim zhvillimet në zonat e luftës dhe zhvillimet politike në Kosovë dhe rajon. Te të gjithë vërehej optimizëm i veçantë, se liria e Kosovës po shihet në horizont. Nga të gjitha këto vizita në mesin e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përgatitëm një emision të veçantë në TV Shqiptar me titull “Viti i Ri në linjën e parë”. Ishte ndjenjë e veçantë për mua, por edhe për opinionin e gjerë për ato imazhe historike.
Mund të them se kalimin e vitit 1998 dhe hyrjen e vitit të ri 1999 do t’i mbaj mend përgjithmonë. Viti 1999 vërtetë ishte vit i kthesës historike për popullin shqiptar të Kosovës, sepse pas shumë betejave frontale midis luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave ushtarake e policore serbe, pas shumë masakrave të regjimit të Millosheviqit mbi popullatën civile shqiptare në shenjë hakmarrjeje për humbjet në fushë beteja me UÇK-në, si dhe pas ndërhyrjes së forcave ajrore të NATO-s ndaj caqeve militare serbe, më 9 qershor 1999, ushtria e Millosheviqit u detyrua ta nënshkruajë kapitullimin dhe më 12 qershor të atij viti filloi të tërhiqet përfunidimisht nga Kosova. Kështu, për popullin e Kosovës filloi një etapë e re, e lirisë dhe më 17 shkurt 2008 Kosova u shpall shtet i pavarur e sovran, duke u realizuar ëndrra shumëshekullore.

(Fragment nga “Libri i luftës” i autorit Nuhi Bytyçi, botuar nga “Armagedoni”, mars 2019)

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK