Zërat
Ekaterina Trendafilova
Ekaterina
Trendafilova

Kryetarja Trendafilova: Proceset gjyqësore para Dhomave të Specializuara të Kosovës

Zërat September 03, 2021 - 09:00

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) kanë bërë hapa të mëdhenj për përmbushjen e mandatit të tyre gjatë muajve të fundit. Pas arrestimit dhe paraburgimit të tetë të akuzuarve në katër çështje të ndryshme gjyqësore gjatë vitit të fundit, DHSK-ja do të kalojë tani në një fazë të re me fillimin e procesit gjyqësor në çështjen “Prokurori i specializuar kundër Salih Mustafës” brenda më pak se një muaji. Si kryetare e DHSK-së unë jam e angazhuar për të siguruar se qytetarët e interesuar në Kosovë dhe në rajon të mundë t’i përcjellin gjykimet dhe të kuptojnë proceset që do të zhvillohen në sallën e gjyqit.

Procesi i gjykimit është i ndryshëm nga procedurat paraprake, të cilat janë kryer ose po kryhen në të katër çështjet gjyqësore. Pas përgatitjes së çështjes për gjykim nga gjykatësi i procedurës paraprake dhe pas trajtimit të disa aspekteve paraprake, çështja i kalohet trupit gjykues, i përbërë nga tre gjykatës dhe një gjykatës rezervë. Gjykatësi rezervë është i pranishëm në çdo fazë të gjykimit, për të siguruar që ai mund të zëvendësojë menjëherë ndonjë prej gjykatësve që nuk është i disponueshëm. Gjithashtu, kjo shmang vonesat në qoftë se një nga tre gjykatësit nuk mund të marrë më pjesë në gjykim. Megjithatë, gjykatësi rezervë nuk ka të drejtë vote dhe as nuk mund të marrë pjesë në vendimmarrje për asnjë aspekt të çështjes nën shqyrtim nga trupi gjykues. Gjithashtu, tre gjykatësit zgjedhin një prej gjykatësve në mesin e tyre për të drejtuar gjykimin (kryegjykatësi).

Trupi gjykues e kryen gjykimin në pajtim me Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe Rregulloren e Procedurës dhe të Provave (Rregullorja). Në vija të përgjithshme, kjo do të thotë se gjykatësit dëgjojnë argumentet e palëve, vendosin për mosmarrëveshjet midis palëve, vlerësojnë me kujdes provat e paraqitura dhe, në fund të gjykimit, vendosin nëse prokurori i specializuar ka arritur t’i vërtetojë akuzat jashtë dyshimit të arsyeshëm. Gjatë të gjithë procesit trupi gjykues siguron që procedurat të jenë të drejta dhe të shpejta, të kryera në pajtim me kornizën ligjore të DHSK-së, në respektim të plotë të të drejtave të të akuzuarve dhe duke ia kushtuar vëmendjen e duhur mbrojtjes së viktimave dhe dëshmitarëve.

Në fillim të gjykimit kryegjykatësi hap çështjen gjyqësore dhe sigurohet që i akuzuari e ka kuptuar aktakuzën. Pas kësaj, të akuzuarit i jepet përsëri mundësia për t’u shprehur lidhur me fajësinë ose pafajësinë dhe kryegjykatësi e informon atë mbi të drejtat më të rëndësishme që ka gjatë gjykimit.

Më pas, në një datë që e cakton trupi gjykues, prokurori i specializuar bën deklaratën e tij hyrëse, në të cilën bën një përmbledhje të argumenteve dhe provave mbi bazën e të cilave Prokuroria përpiqet të vërtetojë fajësinë e të akuzuarit. Për të siguruar kryerjen me efikasitet të gjykimit, trupi gjykues mund të kufizojë kohën për deklaratat hyrëse. Për shembull, trupi gjykues në çështjen kundër Salih Mustafës ka urdhëruar që prokurori i specializuar nuk mund të ketë më shumë se tri orë për deklaratën e tij hyrëse.

Pas deklaratës hyrëse të prokurorit të specializuar, mbrojtësi i viktimave mund të bëjë një deklaratë në emër të viktimave pjesëmarrëse në proces, e cila përqendrohet në pikëpamjet dhe interesat e viktimave pjesëmarrëse, ndër të cilat edhe çështje të tilla si zhdëmtimi.

Mbrojtësi i të akuzuarit (ose “Mbrojtja”) mund të zgjedhë të bëjë deklaratë hyrëse në këtë fazë, ose mund të vendosë ta bëjë deklaratën hyrëse para se të fillojë paraqitjen e provave të veta.

Pas përfundimit të deklaratave hyrëse, prokurori i specializuar fillon me paraqitjen e provave, ku ai thërret dëshmitarë dhe u bën atyre pyetje (ose “i merr në pyetje”) për çështje që kanë të bëjnë me aktakuzën. Pasi prokurori i specializuar të ketë përfunduar marrjen në pyetje të një dëshmitari, i njëjti dëshmitar pyetet ose “merret në pyetje” nga mbrojtja. Prokurori i specializuar mund të dorëzojë edhe prova të tjera, si dokumente, fotografi, videomateriale, incizime dhe objekte të tjera të prekshme.

Me lejen e trupit gjykues, edhe mbrojtësi i viktimave mund të bëjë pyetje që janë në interes të viktimave pjesëmarrëse. Vetë trupi gjykues mundet gjithashtu, në çdo fazë të procesit, t’u bëjë pyetje dëshmitarëve.

Trupi gjykues mund të urdhërojë një varg masash për mbrojtjen e identitetit ose të vendndodhjes së një dëshmitari, ndër të cilat ndryshimi i zërit dhe i pamjes, mundësia që dëshmitari të japë dëshmi përmes videolidhjes dhe përdorimi i pseudonimeve.

Trupi gjykues bën vlerësimin e provave dhe, kur është e nevojshme, lëshon urdhra përkatës, me synimin për të siguruar një gjykim të drejtë dhe efikas. Trupi gjykues do të pranojë vetëm prova të cilat janë autentike, të lidhura me çështjen, të besueshme, të sigurta dhe me vlerë provuese, përkatësisht prova që mund të vërtetojnë ose rrëzojnë elementë të caktuar të argumenteve të parashtruara nga prokurori i specializuar ose mbrojtja.

Kur prokurori i specializuar nuk ka më dëshmitarë për të thirrur ose kur nuk ka më prova për t’i paraqitur trupit gjykues për pranim, ai e mbyll paraqitjen e provave. Pas kësaj mbrojtja mund të parashtrojë mocion për rrëzimin e një akuze ose të të gjitha akuzave në aktakuzë. Përmes paraqitjes së një mocioni të tillë, mbrojtja në thelb argumenton se nuk është e nevojshme që ajo të paraqesë prova për të kundërshtuar provat e prokurorit, sepse, sipas mbrojtjes, prokurori i specializuar nuk ka paraqitur prova mbi bazën e të cilave mund të jepet vendim fajësie për një ose më shumë akuza të përfshira në aktakuzë.

Nëse trupi gjykues pajtohet me mbrojtjen, ai hedh poshtë me procedurë të shkurtuar një ose disa prej akuzave në aktakuzë. Nëse trupi gjykues nuk pajtohet (ose hedh poshtë vetëm disa prej akuzave në aktakuzë), mbrojtja vijon me paraqitjen e provave të saj. Ajo mund të bëjë deklaratë hyrëse, nëse nuk e ka bërë më parë, me të cilën kundërshton provat dhe argumentet e prokurorit të specializuar dhe shpjegon arsyet pse dhe mbi çfarë bazash beson se prokurori i specializuar nuk ka arritur të vërtetojë fajësinë e klientit të saj jashtë dyshimit të arsyeshëm. Pas kësaj, mbrojtja vazhdon me thirrjen dhe pyetjen e dëshmitarëve të saj, të cilët më pas mund të merren në pyetje nga prokurori i specializuar, si dhe mund të kërkojë që të pranohen edhe lloje të tjera provash materiale.

Pasi mbrojtja të ketë përfunduar paraqitjen e provave dhe, sipas rastit, pasi t’i jepet fjala edhe mbrojtësit të viktimave, trupi gjykues mund të ftojë ose të paraqesë vetë prova shtesë, duke përfshirë edhe dëshmi nga ekspertë, nëse këto janë të nevojshme për të përcaktuar të vërtetën.

Më pas trupi gjykues fton prokurorin e specializuar dhe mbrojtjen që brenda 30 ditësh të dorëzojnë dosjet e tyre përfundimtare me shkrim, ku përmbledhin argumentet përkatëse të mbështetura në prova. Në një datë të caktuar nga trupi gjykues, prokurori i specializuar dhe mbrojtja bëjnë deklaratat përmbyllëse, në të cilat theksojnë aspektet më të rëndësishme të argumenteve të tyre dhe u përgjigjen pyetjeve të trupit gjykues, nëse ka. Edhe mbrojtësi i viktimave mund të ftohet të dorëzojë një deklaratë lidhur me ndikimin e krimeve të pretenduara mbi viktimat pjesëmarrëse. Pas deklaratave përmbyllëse, kryegjykatësi e deklaron çështjen të mbyllur.

Më pas trupi gjykues fillon kuvendimet rreptësisht konfidenciale, gjatë të cilave vendos për fajësinë ose pafajësinë e të akuzuarit lidhur me secilën nga akuzat në aktakuzë. Vendimi për fajësi lidhur me një akuzë mund të merret vetëm nëse shumica e trupit gjykues është bindur se fajësia e të akuzuarit është vërtetuar jashtë dyshimit të arsyeshëm. Për të siguruar një proces të shpejtë, Rregullorja parasheh se trupi gjykues e shqipton vendimin e vet brenda 90 ditësh nga mbyllja e çështjes, me përjashtim të rasteve kur rrethanat e çështjes kërkojnë zgjatje të mëtejshme të afatit. Zgjatja e afatit nuk mund të jetë më shumë se 60 ditë, përveç nëse është absolutisht e nevojshme. Vendimi është publik dhe jepet me shkrim, me një shpjegim të arsyetuar për përfundimet e nxjerra nga trupi gjykues.

Nëse një i akuzuar, i cili është në paraburgim, shpallet i pafajshëm, atëherë ai lirohet menjëherë. Nëse i akuzuari shpallet fajtor, atëherë trupi gjykues kalon në fazën e shqiptimit të dënimit (nëse nuk është shprehur ende lidhur me dënimin e të akuzuarit). Në rrethana të caktuara, të dyja palët kanë mundësinë ta apelojnë aktgjykimin para një paneli të apelit.

Fillimi i gjykimeve në lidhje me krime të pretenduara brenda mandatit të Dhomave të Specializuara është një arritje e rëndësishme për vendosjen e drejtësisë. Tani këto krime të pretenduara do të trajtohen përmes proceseve gjyqësore të drejta, të paanshme dhe të pavarura, duke u mbështetur në standarde ndërkombëtare, të cilat do të zbatohen me rreptësi dhe në pajtim me parimin e procesit ligjor të rregullt.

Opinioni i presidentes së Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë është shkruar ekskluzivisht për gazetën “Zëri”.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK