Zërat
Ibrahim Berisha
Ibrahim
Berisha

Të mos heshtësh: Të shkruash thellë dhe urtë

Zërat November 22, 2021 - 10:49
Xhemail Mustafa është lindur më 23 gusht 1953 dhe u vra më 23 nëntor 2000. Bëhen 21 vjet nga vrasja që nuk u zbulua dhe aq më keq, nuk pati asnjë përpjekje për t’u zbuluar. Ishte kritik, publicist, autor i librave, veprimtar humanist, iniciues i themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe njeri që kudo jepte mirësi dhe paqe. Udhëheqës i LDK-së, këshilltar politik i presidentit, Ibrahim Rugova.

Po kurdo të shkruash për Xhemën, kurdo që do të shkruash, duhet të fillosh nga urtësia e tij fisnike, dituria paqësore, modestia publike, ideali i tij i përhershëm: liria. Edhe kurdo që kalon kah Elida, mendon se e ke përpara, duke pirë expreso dhe, duke folur qetë e plotkuptimshëm. Gjithmonë me disponim dhe asnjëherë i vetëm. E kishte vështirë të qëndronte vetëm, sepse të gjithë donin të uleshin e t’pinin kafe me të. Ai nuk kishte për askënd mëri, por kishte miqësi për secilin, kjo e rrallë, por e vërtetë.

Për 25 vjet miqësi, asnjëherë s’e kam dëgjuar të flasë keq, por vetëm mirë e për njerëz të mirë.

E donte shumë familjen në Prishtinë e Gllamnik.

Pedant. Vishej thjesht, por me shije.

Në librin Lutje për Prishtinën, ku ai shkruan për fundin e udhëtimit dramatik për t’u kthyer në banesën e tij të porsaliruar, tregon përvojën universale të njerëzimit se sa e domosdshme është prekja e lirisë: “…kurse unë po i ngjisja shkallët për në banesë. Po ato shkallë që po i ngjitja para aq kohësh me shumë ankth e pasiguri dhe që më dukej se po më çonin në një errësirë. Nuk di nëse ishte nga lodhja, nga vranësirat e 24 marsit, apo parandjejna që do të ndodhnin gjatë prillit dhe majit. Por, tek po ngjitja shkallët më dukej se po zbrisja poshtë një errësire, që po bëhej përherë dhe më e panjohur. Sikur po udhëtoja nëpër errësirë, kurse,në fakt, ishin po ato shkallë, të cilat po i kaloja me shumë qejf dhe me një disponim që nuk jam i sigurt nëse mund ta përshkruaj dhe ta definoj. Shkallët po i ngjisja pa e hetuar se isha përballë apartamentit, ndërsa njerëzit që i takoja përshëndetnin me një përzemërsi , të cilën nuk e kisha provuar ndonjëherë…”.

Ai, e vërteta nuk udhëtoi deri te liria, liria erdhi tek ai, sepse ishte një prishtinas që mbijetoi luftën në dashurinë e qytetit të tij që nuk e la asnjëherë të vetëm.

Një nga intelektualët kritik, konfident, orgjinal dhe jokalklues, i qartë në idetë për lirinë, pavarësisht kohës dhe ngjarjeve përreth. Nuk ndikohej nga konjukturat që ishin jo pak praktikë e të qenit intelektual i kontigjentit oportun publik. Është i drejtpërdrejtë për këta konjukturistë që shohin problemin për gjenden në vitet 1980 jo te politikat shoveniste serbe dhe jugosllave, por te të rinjtë shqiptarë që i kundërshtojnë ato. Me të qetë u drejtohet: Qëndrimet e vlerësimet politike mund të arsyetohen me kontekstin politik kur thuhen e shqiptohen, por për cilësimet negative, morale kundër pjesëmarrësve të asaj pranvere dramatike nuk mund të arsyetohen në asnjë kohë, në asnjë situatë dhe me asnjë kod moral.

Po me këtë drejtpërdrejtshmëri shkruan edhe kur Minatorët e Trepçës, po vuanin në Grevën në horizontet e Minierave, duke lufutuar për të mbrotjur qenësinë politike të Kosovës, ndërsa kjo heshtej gjerësisht nga intelektualët në shtetin që e fshehte edhpse shihej se kishte hyrë legalisht në diktaturë fashiste. Ai shkruan: Po bëhen shtatë ditë të tëra që kur minatorët e Trepçës gjenden në galeritë e thella dhe të ftohta të nëntokës, kurse pjesa dërrmues e intelegjnecës heshtin, rrinë dhe bënë sehir me një dramë të paparë njerëzore, me një tragjedi,e cila tashmë u kualifikua si turpi i Jugosllavisë.

Jo pak shkrime të fundviteve 1980 dhe të viteve 1990, Xhema shkruan për urrejtjen masive që ishte po edhe vazhdonte të mbillej te serbët kundër shqiptarëve. Ai gjykon se shqiptarëve nuk besoj se u bënë farë përshtypje të veçantë fakti se 70% e serbëve ushqejnë ksenofobi e armiqësi të tjera të ndryshme ndaj tij. Ky rezultat i një hulumtimi të opinion të publikuar në revistën Evropa që botohet në Beograd në gjuhën serbe dhe angleze mund t’u hyjë në punë analistëve, diplomatëve dhe politikanëve. Ai e shtron domdosdonë që shkalla e lartë e ksenofobisë serbe ndaj shqiptarëve e bën sërish të nevojshme dhe aktuale diskutimin e motiveve dhe të faktorëve shpirtërorë e materialë në të cilën mbështetet kjo ksenofobi. Serbët u bënë viktimë e propagandës shtetërore se Kosova është tokë e tyre e shenjtë, se është Jerusalemi i tyre, se ajo qenka zemra e Serbisë dhe serbizmit.

Ai e shihte problemin te vërbëria që ishte mbjellur nga propaganda shtetërore dhe pasojat ksenofobe, që do të ishin domosdoshmërisht jo vetëm për serbët, fatkeqësisht, por do të zbrazeshin, tragjikisht edhe mbi shqitparët

Në një shkrim tjetër të po kësaj teme, ai shkruan se intelektualët dhe politikanët serbë nuk e morën seriozisht alarmin e Trockit për Kosovën këtu e një shekull më parë dhe tash u mbetet të merren me ankthin që e krijuan dhe e ushqyen vetë me dekada. Dëshmitarë për nga mosha i luftërave ballkanike, Trocki ua tërhoqi vërejtjen serbëve që me 1913, se me pushtimin e Kosovës po ia varnin vetes një gur të madh në qafë dhe se do të jetë Kosova ajo që do ta pengojë zhvillimin e Serbisë.

Serbia këtë gurë ende e mban në qafë, por tash, fatbardhësisht, si memorie e disfatës, mu sikur e kishte paralajmëruar Xhema.

Në kohë krizash, po gjithëherë në shoqërinë shqiptare, krahas aq shumë punëve dhe veprave që bënë njerëzit, kishte edhe jo pak kontigjent që përdornin patriotizmin verbal për të paraqtitur veten e tyre në pasqyrën e madhe të mashtrimit publik, Xhema jo njëherë ka trajtuar këtë dukuri, sikur bënë edhe në shkrimin: Patriotizmi i Profanizuar. Pra, patriotizimi kjo ndjenjë gjithsesi fisnike, por edhe objekt i zgjedhur i shumë spekulantëve. Një ndjenjë kaqë fisnike dhe një vlerë e disponim kaq njerëzor e i domosdoshëm, ngadalë nis e keqpërdoret e profanizohet, bëhet medium e mjet për përfitime gjithëfare, humb etikën elementare dhe shndërrohet në pasion e egoizëm. Praktika e këtillë e profanizimit të patriotizmit zakonisht është e lidhur me erozionin moral. Pra ky tip patriotizmi mbetet në suazat e deklarimeve pasi njeriu atdheut të vet i del në ndihmë me dije, tjetri me pasuri ndërsa i treti varësisht nga kërkesat e momentit, vendin dhe popullin e ndihmon me jetën e vet. Secila nga këto forma e ka vlerën e vet specifike kurse fundament i kësaj sakrifice gjithmonë është patriotizmi si ndjenjë dhe vetëdije fisnike.

Shihet, ai shquan këtë kategori si mashtrues dhe përfitues, që është e lidhur ngushtë me krizën morale, nga e cila gjithmonë do të gjenden njerëz që duan të kenë përfitime peronale. Pra, ai apelon për dallimin e këtyre moralistëve mashtrues, në mënyrë që të krijohet një rend i vlerave dhe vlerësimeve.

Po në këtë qasje kritike, atë e preokupon edhe diskursi publik i shqiptarëve, që kishte filluar të eskalojë duke u ikur të vërtetave dhe duke kthyer në gërryes të vlerave personale dhe publike të shqiptarëve. Atë e sheh të pabërë. Po e citoj: Tipologjia e diskursit publik shqiptar mbetet punë që duhet bërë në të ardhmen, kurse që tash mund të thuhet që diskursi akuzues kundër Serbisë, që ishte dominues deri para 2 vjetësh, kohët e fundit po zëvëndësohet me diskursin brendaakuzues dhe vetëakuzues. Autorët e këtij diskursi, tashmë kanë krijuar një hapësirë ngatërresash, keqkuptimesh e mosmarrëveshjes të rënda dhe janë bërë të thuash akuzues me pasion e me profesion. *22 qershor 1996.

Ai ngreh që në këtë kohë alarmin për helmimin që mund të sillte ky diskurs negative, i cili, kuptohet, se nuk ishte pa një shtysë, motivim dhe qëllim, për të futur shqiptarët në konfikte të brendshme, që do të nisnin nga fjalët, për të kaluar te konfliktet fizike.

Ky diskurs edhe ka ngadhnjyer tashmë, fatkeqësisht.

Xhema ishte një realist në jetë dhe po kështu edhe në shkrime. Secilën veprimtari që zhvillohej edhe në Kosovën e viteve 1900, ai, angazhohej, të shihej në kontektin real kohë dhe hapësirë. Fjalët e mëdha dhe lavdërimet nuk kishte vend në kulturën e komunikimit, por as poshtërimet dhe inferiroriteti. Ato nuk gjenden në shkrimet e tij Kjo qasje e objective duket fare mirë në shkrimin për arsimin shqip në Kosovë, në vitet 1990. Ai vlerëson se shkolla shqipe në Kosovë paraqet një megasistem dhe një realitet të pakontestueshëm të jetës, të mësimit, të esencës e të ekzistencës dhe ajo vetëm si e tillë duhet të vështrohet. Shqiptarët ishin dhe janë të vetëdijshëm se shkolla shqipe në Kosovë nuk është dhe në këto rrethana nuk mund të jetë shkollë ideale dhe shkollë e standardeve evropiane. Në këto rrethana shkollës shqipe i bëhet padrejtësi e madhe kur përpara i nxirret si model shkolla e vendeve evroperëndimore kur gjendja e saj e rëndë shikohet nga lartësi ireale apo të rreme. Ajo mund të matet dhe krahasohet me shkollat e popujve të okupuar dhe sisteme te vendeve në tranzicion. Nxënësi dhe studenti shqiptar në Kosovë bashkë me dijen për jetën e për shkencën sot e mëson praktikën e artit, të rezistencës dhe e kultivon me shumë mund e sakrifica idenë e lirisë e të pavarësisë.

Ky është një koncept pragmatik për arsimin shqip, nga i cili mendoj do të duhej të kishin marrë mësim arsimndërtuesit edhe mbas vitit 2000. Kur u bënë aq shumë strategji, reforma, transformime, ndërsa efekti i shkollës, parë tek suksesi i nxënësve me matjen e PISA-s, e tregon dështimin e madh. Një nga dështimet duhet parë pikërisht në temën që e shtron Xhema para 25 vjetësh, se për rroba të mëdha duhet pasur edhe trupin e madh. Rrobat duhet prerë varësisht prej trupit. Ose për të veshur rroba të mëdha duhet rritur trupin.

Pjesa dërrmuese e shkrimeve të Xhemës kanë qenë të lidhura me kulturën, librin veçmas. Ai ishte recensionist në rubrikën e Rilindjes, dhe çdo të shtunë, lexuesi, dashamiri i librit të ri, e priste cili do të ishte ai botim që ia vlente të lexohet.

Ai shihte me brengë proklamimin delirant “talentin e fëmjëve shqiptarë për të shkruar dhe botuar libra”. Në fillim të viteve 1990 ishte kjo një befasi që ai e trajton me një qasje kritike, për të këndellur gjithë ata që shihnin në këtë punë rastin o për të përfituar materialisht o për të përfituar famë fëminore a prindore.

Një intelektuali kritik si Xhema nuk kishte si t’mos i jipte të drejtë koha. Ai shkruan: Brenda këtyre 4-5 vjetëve në Prishtinë u botuan disa libra të autorëve nxënës, kurse në opinionin tonë letrar e kulturor këto libra jo rrallë afirmohen e konsiderohen si dëshmi e talentit të shqiptarëve për letërsi. Konstatimet për talentin gjoja gjenetik të shqiptarëve për krijimtari në radhë të parë për poezi e letërsi vështirë se mund të konsiderohen serioze dhe të denja për diskutim. Ajo që është më shqetësuese lidhet me dëshirën dhe insistimin e pashpjegueshëm për botimin e librit dhe profanizimin e devalvimin e spekulimin e palejueshëm që i bëhet atij dhe letërsisë në këtë mënyrë.

Do kuptuar më këtë që shkruan Xhema se krijimi i librit dhe publikimi i tij ndërkaq duhet të konsiderohen si çështje shumë më serioze, si shenjë e pjekurisë dhe e formimit letrar.

Në eseun “Paradoksi Historik” ai shkruan për autorët dhe veprat. Dhunën që regjimi serb ushtronte nda shqiptarëve, në këtë kotnekst edhe ndaj kulturës dhe librit, duke e parë edhe në prizmin e kulturcidit dhe të pafuqisë së një regjimi që të fitojë luftën me shqiptarët.

Librat dhe autorët e tyre, artistët dhe veprat që i krijuan, ata janë ndjekur dhe ndiqen tash e 2000 vjet dhe kjo ndjekje vjen e provohet edhe sot në kuadër të librit dhe krijimtarisë shqiptare në Kosovë. Ndjekjen e ndëshkimin, censurën e represionin e regjimit e të policisë serbe, kultura dhe krijimtaria shqipe i ka provuar dhe po i provon intensivisht. Policia në frymën e saj të inkuizicionit kulturor hodhi librat e botuara të Rilindjes dhe dokumentacionin e saj dhe po kërcënon për t’i asgjësuar të gjitha.

Libri mbijetoi për të dëshmuar atë që shkruan Xhema me 3 prill 1986, se Populli pa libra është pa memorie. Për këtë memorie punoi gjithë jetën Xhema.

Një dita para vrasjes, në Elidë, ku zakonisht pinim expreso, e kishte në qejf expreson, më foli për përgatitjen e librin të ri me kritikë letrare.

Ishte i preokupuar me Besianin se do të vazhdonte shkollimin në një kolegj në SHBA.

Pastaj biseduam edhe për Coelon dhe Sabaton. Për “Kodrën e pestë” dhe për “Tunelin”. Pse: 1. Gruaja e mbretit izraelit Ahabi, princeza fenikase Izabela, në Shekullin IX Para Lindjes së Krishtit, urdhëroi vrasjen e të gjithë shenjtorëve… dhe 2. Romani ekzistencialist “Tuneli”, përmes rrëfimit të një vrasësi të të dashurës së panjohur, tregon pamundësinë e komunikimit mes qenive njerëzore, hapin e marrëzisë së njeriut…që vret për të dëshmuar se është gjallë.

Xhema do të shkruante të shtunën e ardhshme një recension për librin e Markesit, por jo për romanin “Kronikë e një vdekje e paralajmëruar”, se e kishte shkruar dhe botuar vite e vite më parë.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK