Zërat
Skender Berisha
Skender
Berisha

Evropa Perëndimore në sprovë: o me lindjen e tëra, ose e gllabëruar nga ariu rus!

Zërat March 04, 2022 - 13:26

Pas rënies së “Perdes së hekurt”, filloi një jetë e re në pjesën perëndimore të Evropës. Kjo jetë e re, jetë e mirëqenies, kamjes, standardeve dhe cilësisë të cilën deri atëherë nuk e kishte përjetuar kjo pjesë e Evropës. Mirëpo, shpejt u bë kjo gjendje e mirëqenies rutinë, duke e konsideruar veten të vetëmjaftueshme.

Madje, edhe mund të emërtohet edhe më keq, ajo u bë prepotente me të arriturat e saj në këtë pjesë të Evropës, gjendje e cila reflekton edhe kësaj dite ndaj lindjes së Evropës dhe për botën e tretë.

Pse dukej e tillë?

Edhe pse kjo gjendje e mirëqenies e arritur me shumë mund, punë e përkushtim, shtrirjen e kësaj barazie nuk e “eksportoi” sa kishte mundësi në pjesën lindore të saj. Evropa perëndimore dukej dhe ishte “ideale” për çështjet e mbrojtjes sociale, mbrojtjes shëndetësore, strehimit, mbrojtjes së të drejtave të njeriut, zhvillimit ekonomik, teknologjik, mentalitetit demokratik dhe eksploatimit të plotë të të gjitha lirive, të begatisë shpirtërore dhe tolerancës, ambient, industri, koloriti i shoqërisë mbi bazën e fuqishme përparimtare, barazia, liria dhe vlerat tjera pozitive. Gjendja e kësaj pjese të Evropës, kishte kushte ideale për të qenë e dëshirueshme dhe e synuar për miliona banorë të globit e deri te prodhimtaria globale dhe teknologjia që i nënshtrohej standardit të saj.

Por, a ishte tërë Evropa brenda Evropës Perëndimore?

Evropa perëndimore imponoi mentalitetin sikur tërë Evropa është brenda perëndimit, madje më shumë se kaq. Fatkeqësisht, kjo prepotencë, u shkërmoq brenda një jave. Sulmi i Rusisë e dëshmoi se sa e lëndueshme është gjysma e Evropës, ajo perëndimore brenda një jave. U dëshmua se Evropa perëndimore, po të mos e ushqente atë supremaci që mund të cilësohet edhe prepotencë ndaj botës evropiane lindore, nuk do të ndodhte kjo që po ndodh. Po shihet këtë javë tragjike se Evropa pa lindjen e saj, një hap nuk mund ta bëj të qëndrueshëm përpara.

Pra, shkatërrimi i lindjes së saj, është shkatërrim edhe i vet asaj të koncentruar në perëndim, me teshë e kotesha. Çka ngjau për një javë? Një emër mjaftoi të dështonte kjo prepotencë e tejfryrë evropiane, Ukraina. Nëse nuk do të sulmohej dhe shkatërrohej pjesa lindore e saj nga Rusia, steka e kërkesave ndaj pjesës lindore të saj “për integrim”, vetëm sa do të ngrihej, duke u bërë e paarritshme, për gjenerata të tëra. Kjo stekë, me numëratorin e saj nga metra, u fshinë dhe bënë milimetra pas furtunës siberiane. Kjo mendësi pësoi një kolaps tragjik, u fshinë numrat, u shkrinë dallimet dhe mbeti lakuriq në disa aspekte para muzhikëve, duke shikuar me ngulm për të gjetur zgjidhje përtej atlantikut, nga lind e perëndon dielli i lirisë globale.

Pasojat e javës tragjike për trupin dhe mendjen e Evropës Perëndimore

Asgjë nuk do të jetë e njëjtë në Perëndim nga dita që u nisën kolonat e tankeve ruse drejt Ukrainës lindore. Jo se tanket ishin aq larg nga rreziku se ato tanke mund të vazhdonin përtej kufijve të përcaktuar, por se zhurma e tyre hapi veshin e shurdhër ndaj tërësisë evropiane, sytë e çakorduar me vezullimën farfuritëse të standardeve të arritura. Evropa njohu edhe një herë flashkësinë dhe paqëndrueshmërinë e stratosferës ku i ndente rrobat e veta të palara, duke tentuar t’i zbardhte ato deri në lëbyrje të syve për qytetarët e Evropës lindore dhe botën e tretë. Kuti me të cilin e mati botën, doli të jetë si parametër i lëvizshëm, deri në momentin kur ndjen dhimbjen vetë ajo.

Mesazhi nga java e fundit për vonesën euro-perëndimore

Tymi i shtëpive, ndërtesave dhe infrastrukturës ukrainase dhe vaji i fëmijëve, nënave dhe qytetarëve ukrainas, tashmë, më shumë se kurrë po lë pa gjumë të gjithë ata që mendojnë se mos vonohet të merr vendime të duhura Daja Sem. Kosova, siç po shihet, jo se jo të ishte mësim i duhur për plogështinë e perëndimit evropian përball orekseve sllave, madje u harrua edhe agresiviteti me pasojat e dala nga Lufta e Parë Botërore dhe Lufta e Dytë Botërore, duke i shpërblyer ato orekse të shtrirjes mbi trupin dhe shpirtin e shqiptarëve. Tash e ka rendin Evropa perëndimore të vendosë, edhe të veprojë, t’i quaj fenomenet njëjtë në kushte e rrethana të njëjta, me kuti të njëjtë. Evropën e përbën edhe lindja e saj, edhe Ballkani perëndimor, edhe Kosova me historinë e saj krenare, me drejtuesit e saj çlirimtarë që padrejtësisht ndodhen në Hagë.

Edhe një goditje për një popull të vogël ishte i tepërt, madje edhe nga vetë Evropa Perëndimore

Evropa “ligjvënëse” e principeve dhe parametrave “global”, në rastin e udhëheqësve tanë të UÇK-së që i mban padrejtësisht në Hagë, shihet qartë se vetëm ka zbatuar vullnetin rus e serb kundër UÇK-së për të barazuar viktimën dhe kriminelin. Kjo Evropë mban frenat e shumë proceseve që pret populli i Kosovës, andaj më në fund, duhet të tërhiqet nga kuti i përdorur ndryshe-ndryshe për këto 23 vjet. Evropa tash ka prioritet të fitoj mbi situatën e re të krijuar dhe të ndërtojë, gjithsesi një kut të ri për barazi të re, trajtim të barabartë të kombeve e shteteve, duke mos ia huq sikur në rastin e Kosovës dhe kombit shqiptar për më shumë se 144 vjet, me vendime të padrejta dhe mujshare. Për Evropën perëndimore, më shumë se kurrë deri sot, gjendet në sprovë jetësore. Megjithatë, zgjidhja është e lehtë, o me lindjen e vet e tëra, ose e gllabëruar nga ariu!

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK