Zërat
Jusuf Buxhovi
Jusuf
Buxhovi

Përkujtesë historike për referendumin për pavarësinë e Kosovës të 26 shtatorit 1991

Zërat September 26, 2022 - 09:55
Referendumi për pavarësinë e Kosovës – akt sublim i vullnetit politik të popullit të Kosovës

Më 26 shtator të vitit 1991, me vendimin e Kuvendit të Kosovës nga mbledhja e 22 shtatorit dhe në përputhje me Kushtetutën e Kaçanikut, e aprovuar më 7 shtator 1990, është mbajtur Referendumi për shpalljen e Kosovës shtet të pavarur.

Në këtë ditë qytetarët me shumicë absolute janë deklaruar pro pavarësisë së Kosovës, me ç’rast u vërtetuan edhe Deklarata e Pavarësisë dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës, që u patën miratuar një vit më parë dhe u pasuan me mbajtjen e zgjedhjeve të para demokratike, parlamentare e presidenciale, të vitit 1992.

Qeveria e Beogradit edhe pse përdori represionit të madh policor ndaj qytetarëve të Kosovës, nuk ishte më gjendje ta pengojë Referendumin.

Ky plebishit kushtëzoi edhe evolucionin politik të kërkesës së deriatëhershme për barazi kushtetuese të Kosovës në federatë (nga programi nismëtar i LDK-së i shfaqur në kuvendin themelues më 23 dhjetor 1989) te ajo e shtetit të pavarur, gjë që filloi të jetësohet me krijimin e institucioneve shtetërore, me modelin e shtetit paralel, që vepruan deri më 12 qershor 1999, kur do të aprovohet rezoluta e KS të OKB-së 1244, me të cilën Kosova futet nën protektoratin ndërkombëtar.

Si e tillë, kjo ditë historike mbetet themel i shtetformimit të Kosovës, që u konfirmua me shpalljen e pavarësisë së saj, më 17 shkurt 2008.

Image

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK