Zërat

Turpshëm u mbyll Rent a Car, - Superliga e Basketbollit e Kosovës

Zërat May 22, 2023 - 12:04
Peja - kampione e edicionit 2022/2023

Pas takimit të pestë suplementar në Mitrovicë Peja fitoi kundër Trepçës me rezultat 93:91, pas lojës shtesë, sepse koha e rregullt përfundoi me rezultat të barabartë, 77:77.

Shkruan: AGIM KASAPOLLI

Në emisionet televizive, si dhe në shumë shkrime kam pasqyruar gjendjen e mjerueshme e cila qe një kohë të gjatë po mbretëron në basketbollin e vendit tonë. Skandalet, huliganizmi i cili vijoi gjatë gjithë këtij kampionati, gati në çdo ndeshje nga ana e grupeve të organizuara, ku pati rrahje, sulme në Policinë e Shtetit, demolim të autobusëve, dëmtim të objekteve, ndërprerje të lojës dhe boshatisje të publikut nga pallatet sportive, kjo u shpërfaq turpshëm edhe në takimin final suplementar në Mitrovicë. Ceremonia e shpalljes së kampionit prapë me të drejtë - pa publik, sepse vandalizmi nuk mungoi dhe shkaktar kryesor i këtyre skandaleve adresën e kanë të klanet e organizuara që sundojnë me Federatën. Përkundër fitores së merituar të Pejës dhe lojës korrekte nga lojtarët e të dyja skuadrave, ceremonia përfundimtare ishte dëshpëruese dhe e dhimbshme, prapë u përsërit vandalizmi. Prandaj ky kampionat nuk mund të quhet i rregullt. Kjo është pritur se do të ndodhë, pasi uzurpatorët e posteve, rregulloret e Federatës i përshtaten në dobi të interesave të klaneve për sundim të përjetshëm. Detyra e parë e tyre “patriotike” një kohë të gjatë është të përcaktohet kampioni para fillimit të garave, detyra tjetër ishte t’i largojnë lojtarët dhe trajnerët vendorë dhe t’i shuajnë praktikat e para luftës dhe basketbollin e Kosovës ta sjellin pikërisht këtu ku është sot, pa kuadro, pa trajner dhe lojtarë vendorë, pa emra të njohur të basketbollit. Këta të njëjtët me rokada kozmetike qe 20 vjet po sundojnë me basketbollin në vend e sidomos pas pranimit të Kosovës në FIBA, me komoditet veprojnë, sepse të gjitha kuvendet zgjedhore i manipuluan me vota të blera dhe nuk ka kush ndërmerr masa ndaj skandaleve të njëpasnjëshme dhe rezultateve katastrofike në garat ndërkombëtare. Këta punojnë vetëm për interesa personale dhe interesa të klaneve dhe në dëm të prosperitetit të basketbollit në tërësi. Prandaj pa siklet dhe me lezet, heshtazi, skandalet dhe huliganizmi i vazhdueshëm në basketbollin tonë i minimizojnë dhe si zakonisht i “fusin nën tepih” dhe fajin Bordi e adreson të klubet për shkak të organizimeve të dobëta, ndërsa klubet për huliganizmin, i cili është bërë normë, fajin ia hedh Policisë, e cila sipas mendimit tim ishte e vetmja pikë e shndritshme ku gjatë gjithë kampionatit me profesionalizëm dhe sukses e kreu detyrën.

Ajo që më së shumti është brengosëse është heshtja dhe minimizimi i skandaleve nga shumica e gazetarëve sportivë. Pse?! Sepse disa janë krejtësisht të padijshëm, ndërsa disa të tjerë janë vasalë të Federatës dhe disa oligarkëve, të cilët i lidh biznesi me Bordin e FBK-së, këta që po quhen gazetarë, pa asnjë kriter u avancuan me titullin më të lartë të zhurnalistikës në "komentatorë", të cilët në tërësi e kanë ndotur mesin intelektual, në fakt ata janë zëdhënës të padronëve të kabllovikëve televizivë që s’kanë të bëjnë asgjë me profesionalizmin dhe metodikën e komentimeve. A e patë në takimin suplementar “komentatorin” në TV Klan Kosova, pas gjithë asaj katrahure që ndodhi me të përfunduar ndeshja asnjë fjalë për vandalizmin dhe turpin, thjesht iku nga mejdani dhe asnjë fjalë për atë që ngjau. Kështu vepruan tërë kampionatin, prandaj analfabetizmi dhe interesi i tyre na ka kthyer dy dekada prapa. Por ka edhe gazetarë që janë të sistemuar në Bord si puna e këtij Leart Hoxhës. Ky sahanlëpirës u katapultua në basketboll si turist pa bazë deleguese, ky farë Hoxha pa avdes në saje të favoreve që i bëri në vitin 2010, në TV21 me emisione të rrejshme ish-kryetarit, e tani kryetar në “hije” Erolld Belegut, i cili pas çlirimit nuk la vend pa i futur hundët dhe është bërë si vegeta me afat të skaduar, që ia prish shijen çdo gjelle. E katapultoj Hoxhën në klanin sundues dhe tani ky është ideologu kryesor dhe na doli me shpejtësinë e dritës "fenomeni" i të gjitha degëve sportive pa pikë arsimimi dhe karriere sportive. Ashtu si e filloi, edhe e përfundoi. Tani nuk punon më si gazetar sporti, tani çan pordhë si moderator në disa debate politike në një televizion, ku njëherësh paska arritur ta marrë edhe postin e kryeredaktorit, por jo veç kaq, ministri i MKRS-së Hajrullah Çeku, të cilit me dorën time ia dhashë votën, sepse premtoi ndryshime dhe reforma, kuptova se e paska caktuar Leart Hoxhën në komisionin kombëtar si përgjegjës për zhvillimin e mbarë sportit të Republikës së Kosovës. A thua a ka kohë ky Hoxha pa avdes më gjitha këto poste të bëj një pikë gjumë. Kjo më së miri dëshmon kapjen e federatave nga klanet, kjo flet se në çfarë derexheje ka arritur basketbolli në veçanti dhe sporti në përgjithësi. Prandaj duhet të jemi të lumtur që në këtë kampionat së paku nuk patëm viktima njerëzore.

Si u kurdis funksionimi i Bordit?

Pas largimit të PDK-së nga pushteti, e cila sundoi me Federatën dhe KB Prishtinën plot një dekadë, pasoi rokada, tash Bordi i FBK-së sundohet nga oligarkët e “Marigona Hill” në krye me njëfarë Valton Bilallin dhe Bordin e ujdisën të funksionojë në dy nivele, pesë të parët janë persona ekzekutivë. Pra këta tyxharë, tregtarë e gazetarë janë vendimmarrës, ndërsa të tjerët janë sa për numër dhe kënaqen me favore të vogla që i shpërblen pesëshi i famshëm, i cili i përngjan “politbyrosë së ish-BRSS-së”.

Kjo është e vetmja federatë në botë që i ka shuar të gjitha organizmat, duke filluar prej këshillit profesional, komisionit disiplinor, shoqatës së trajnerëve. Ndërsa shoqatën e referëve të cilën me vëzhgimin e “politbyrosë” e udhëheq vetëm komisari Faton Kurshumliu, i njohur për të gjithë ata që punuan për pavarësimin e sportit nga okupatori. Pikërisht bash ky Faton Kurshumliu licencohet nga ana e FIBA-s si vëzhgues i ndeshjeve ndërkombëtare, ndërsa ky i njëjti në ndeshjet tona me urdhër të “politbyrosë” na sjell referë nga bota, për të referuar ndeshjet e play-offit. Këta referë, të cilët u zunë në tentim të trukimit të ndeshjes, ku gjatë play-offit të sapopërfunduar punën e tyre më shumë e kreu VAR-i.

Pra, FIBA-në Kosovë na dërgoi referë se jo mahi

Dërguan referë të këtillë, sepse këta që sundojnë me basketbollin tonë, e dinë fort mirë se në FIBA ka zyrtarë autoritativë nga Beogradi, që në vazhdimësi kujdesen për shkatërrimin e basketbollit të Kosovës.

Nesër publikohet vazhdimi i opoinionit...

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK