Përplasja shqiptaro-kroate midis Beogradit
Kroatët dhe shqiptarët po përleshen për çdo natë në Beograd. Nuk po kursejnë gjë prej gjëje për të dalë fitues ndaj njëri-tjetrit në këtë dyluftim të pamëshirshëm rrugëve dhe shesheve të kryeqytetit të Serbisë, besa edhe në shumë qytete të tjera të këtij shteti.
Ky konstatim i kryefjalës së parë të këtij shkrimi teknikisht është i saktë. Dy kampet e mëdha politike në Serbi, ata që përfaqësojnë pushtetin e presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, dhe këta të tjerët që janë në luftë politike me te, pra, Lëvizja studentore dhe qytetare në këtë shtet, në synimin e tyre për ta përbuzur kundërshtarin e tyre, i kanë vënë emërtimin fyes palës tjetër, veçmas ditëve të fundit.
Kështu, pushtetarët po i quajnë studentët dhe mbështetësit e tyre “ustashe” (gjë që për ta është emërues i përbashkët i të gjithë kroatëve), teksa këta të fundit, po ua kthejnë të parëve (pushtetarëve), duke i thirrur ata si “shqiptari” (emërues fyes për të gjithë shqiptarët).
Kështu po del pra që ai konstatimi nismëtar është reflektim i pagëzimeve të reja politike në Serbi, të cilat, fatkeqësisht, më shumë se çdo gjë tjetër flet për karakterin e këtij konflikti politik në Serbi, i cili madje rrezikon, në bazë të zhvillimeve të fundit në këtë shtet, të evoluojë në një konflikt përmasash të rrezikshme, dhe atë, jo vetëm për këtë shtet.
Skena politike e Serbisë, por me gjasë, edhe e gjithë shoqëria serbe, është tani më e varur, më e ngulfatur, më e pushtuar nga hesapet dhe llogaritë historike të cilat realisht kanë marrë fund me vitin 2008, kur Kosova u bë shtet i pavarur, se sa ka qenë në vitet kur edhe ndodhën thyerjet dhe ndryshimet e mëdha historike.
Elitat politike serbe u rreshtuan gabimisht pas rënies së Murit të Berlinit. Ato, i bënë të gjitha gabimet e mundshme të cilat dolën në shesh në rrethanat krejtësisht të reja në RSFJ-në e atëhershme dhe në Evropë. Ato i humbën të gjitha kreditë në Evropë dhe në SHBA që i kishin trashëguar për gati një shekull. Pësuan disfata të shumëfishta për shkak të dështimeve të veta. Megjithatë, me përjashtime shumë të rralla, asnjëherë nuk ka pasur vullnet dhe disponim ndër politikanët serbë që të përballen me këtë tatëpjetë të pakthyeshme historike dhe politike. Asnjëherë nuk janë artikuluar zëra të qartë se tash e tutje Serbia duhet të merret me vetveten, me të ardhmen e vet, dhe që duhet t’i adaptohet kohës dhe ambientit të ri evropian, gjithsesi duke synuar krijimin e rrethanave të reja, të një fqinjësie të mirë, me të gjitha shtetet që e rrethojnë Serbisë, duke nisur këtu (për shkaqe shumë të njohura për të gjithë), me Kosovën.
Kodi ndërkombëtar i kësaj fqinjësie të mirë është normalizimi i marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Por ja që Serbia e presidentit Vuçiq, sot është më larg se kurrë, që nga përfundimi i luftës në Kosovë (në vitin 1999), nga pranimi i realitetit që është krijuar në Ballkan në harkun kohor 1992-2008, dhe për më shumë, mesazhi kryesor që sistematikisht përçohet nga Beogradi i te dy kampeve (të cilët i përmendëm më parë), është që historia e viteve të zhbërjes së ish-Jugosllavisë nuk ka marrë fund ende, gjë që tek e mbrama proklamohet me idenë për krijimin e ’Botës serbe’ (në përputhje të plotë me atë modelin e “Botës ruse” të Kremlinit).
Ideja bazike e Evropës (e Bashkimit Evropian), për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, mbi të gjitha për Serbinë, ka qenë që këto shtete dhe këto shoqëri duhet të ecin para, drejt ardhmënisë, ku i pret anëtarësimi i tyre në BE.
Ka ndodhë çfarë ka ndodhë, gjërat kanë marrë trajtën e tyre përfundimtare, kufijtë janë këta që janë (dhe nuk do të ndryshojnë më), por kur të gjitha gjashtë shtetet që bëjnë Ballkanin Perëndimor do të hyjnë në BE, kufijtë do të jenë irelevant dhe bashkëpunimi i gjithanshëm do ta zëvendësojë shekullin e konflikteve tragjike.
Por në Serbi po ndodhë e kundërta e këtij qëndrimi të Brukselit zyrtar. Politika dhe shoqëria serbe po kthehen prapa në histori, duke kërkuar atje diku, në interpretimet mitologjike dhe të fabrikuara të saj (të historisë), modelin për të shpëtuar nga theqafja evidente e viteve të fundit.
Është ky një kthim i rrezikshëm për Serbinë, i cili do të ketë gjithsesi pasoja problematike për gjithë rajonin. (Marrë nga Klan Kosova)
Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK