Bumerangu i Hagës
Historia ka ironinë e saj. Gjykata Speciale në Hagë, e menduar nga shumë si fundi i figurave më të rëndësishme të UÇK-së, sot po kthehet në dorë të zgjatur të së vërtetës. Ajo që dikur shihej si një tribunë për ta vënë në pikëpyetje vetë ekzistencën e UÇK-së, po shndërrohet në hapësirë, ku, përmes dëshmive dhe dokumenteve, po konsolidohet memoria historike e popullit tonë dhe po rikthehet në vëmendje roli i aleatëve tanë strategjikë.
Në Hagë nuk po flasin vetëm ish-luftëtarë të UÇK-së. Po dëshmojnë edhe njerëz që kanë qenë afër vendimeve historike: ish-zyrtarë amerikanë, këshilltarë ligjorë, bashkëpunëtorë ndërkombëtarë që njohin nga afër kontekstin e ndërhyrjes së Perëndimit. Njëri prej tyre, ish- ndihmës sekretari amerikan James Rubin, dha një mesazh të prerë: ajo që ndodhi në Kosovë nuk ishte një incident i rastësishëm, por një proces politik dhe ushtarak, ku ndërhyrja ndërkombëtare sidomos e SHBA-së dhe e NATO-s ishte vendimtare për të ndalur spastrimin etnik. Dëshmi të tilla e vendosin luftën e UÇK-së brenda një kornize të qartë: kush luftoi, pse u luftua dhe çfarë sakrifice u bë për shtetin që kemi sot.
Në planin e brendshëm, kjo na shtyn të pyesim: çfarë kuptimi ka ky proces për qytetarin e zakonshëm në Kosovë? Për shumicën, përgjigjja është e hidhur. Institucionet shtetërore nuk u qëndruan pranë atyre që sot mbahen në Hagë. Për pesë vite me radhë, mungoi një zë i qartë shtetëror, munguan garancionet, mungoi angazhimi për mbrojtje. Kur shtete si Shqipëria, Kroacia apo Turqia ofruan letra garancioni për të akuzuarit, institucionet tona heshtën. Madje edhe financiarisht, u shkurtuan mjetet për mbrojtjen juridike. Heshtja u bë politikë shtetërore, dhe ky mesazh u lexua qartë si nga qytetarët tanë, ashtu edhe nga aleatët ndërkombëtarë.
Kjo sjellje ka një pasojë të drejtpërdrejtë: krijon hendek mes sakrificës së kaluar dhe papërgjegjësisë së sotme. Paradoksi është i madh. Ata që dikur, nga mali, arritën të ndërtojnë ura miqësie me Amerikën dhe Evropën, sot janë zëvendësuar nga një pushtet që, nga zyra, po i djeg ato ura një nga një. UÇK-ja e dinte se pa aleatë nuk kishte as liri e as shtet. Sot, një qeveri e tërë sillet sikur Kosova është e vetëmjaftueshme, sikur kufijtë i ruajmë vetë, sikur zhvillimi financiar nuk varet nga askush tjetër, sikur bota duhet të përshtatet me ne. Ky iluzion i vetë- mjaftueshmërisë jo vetëm që është i rrezikshëm, por edhe i papërgjegjshëm. Miqësia me SHBA-në dhe Perëndimin nuk është luks simbolik është oksigjeni i shtetit tonë.
Ironia historike është se Gjykata në Hagë, po shndërrohet në tribunë që e forcon figurën e UÇK- së. Aty po dokumentohet jo një mit, por një realitet historik, UÇK-ja si aktor vendimtar në ndaljen e spastrimit etnik dhe në krijimin e shtetit. Dhe kur këtë histori e vërtetojnë zyrtarë ndërkombëtarë me peshë, propaganda e brendshme humb çdo kuptim.
Në javët dhe muajt në vazhdim pritet të dëshmojnë edhe bashkëpunëtorë të tjerë të UÇK-së, deri te gjenerali Wesley Clark. Të gjithë ata flasin me respekt për djemtë që nga mali udhëhoqën një luftë dhe bindën botën për ndërhyrje. Dhe mbi të gjitha, për rolin e Hashim Thaçit, i cili nga Rambujeja e lidhi përfundimisht fatin e Kosovës me Amerikën. Ky është një fakt historik që nuk mund të zhbëhet as nga propaganda e ditës e as nga heshtja e institucioneve.
Në fund, Haga është kthyer në bumerang, gjykata që u mendua si mbyllje, sot po e kthen në dëshmi të pathyeshme se UÇK-ja ishte dhe mbetet kapitulli më i ndritshëm i historisë sonë të re.
Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK