Zërat
Sonila Gruda
Sonila
Gruda

Kosova 2025. Fausti i Ballkanit

Zërat November 01, 2025 - 10:20

Kosova 2025.

Aty ku gjithçka ndodh në asgjë. Një vorbull që përthith plagët dhe trupat e vetes. Një vend i pangopur me vetveten, me dëshirën për t’u pranuar nga europeistët, pjesë e së cilës është gjeografikisht, por që mban mbi supe një distimi depresive të përjetshme.

Kosova 2025.

Vendoset nga lart, nga hyjnitë që mbrojnë pastërtinë dhe pafajësinë e shoqërisë, përmes një ndalese thuajse qesharake që nuk respekton të drejtat themelore të njeriut: ndalimi i shamisë në shkolla.

Vendim i mirë apo i keq? Ka vepruar e mira apo e keqja?

Pikëpyetje.

Një drapër që pret kokat e atyre që janë ndryshe. Një drapër që sjell me vete izolim, analfabetizëm — pse jo, edhe analfabetizëm funksional — të popullit dhe përfaqësuesve të tij. Idhujtari!

Nga Olimpi i shoqërisë shqiptare të Kosovës, zotat vendosin edhe njëherë fatin e nënshtetasve të tyre. Në emër të neutralitetit, ata imponojnë dëshirat vetjake.

Në vitet e fundit, ndërhyrjet ligjore mbi veshjen në shkolla janë pjesë përbërëse në debate të vazhdueshme të elitave europiane.

Masa ligjore e miratuar në vitin 2025 në Kosovë — propozimi për ndalimin e shamisë në shkolla mund të provojmë ta shikojmë nën dritën e tensioneve të ndërlikuara: mbrojtja e laicizmit të shtetit, ndërtimi i një identiteti kombëtar pas luftës, frikërat shoqërore ndaj “ndryshimit” kulturor. Por është e rëndësishme të dallosh gjestin simbolik nga pasojat e tij reale.

Për një shoqëri që ka luftuar për të drejta dhe vetëvendosje, t’i mohosh një pjese të grave të drejtën për t’u shfaqur siç duan, është një paradoks i dhimbshëm. Efekti nuk do të jetë vetëm simbolik: rrezikon të prodhojë përjashtim, margjinalizim dhe një mutizëm të ri civil që ngatërron konformizmin me integrimin. Ndoshta popullit shqiptar i duhet ta lexojë mirë perrallën e famshme “Sirena” e Andersen-it. Po sakrifikove cdo gjë për tu pranuar humbja është prapa derës. Pra, vetëm per anglezizmin “OK”, për të qenë pjesë e elitës, heqim dorë nga gjithçka: nga zëri, nga identiteti, madje edhe nga një copë pëlhurë. Shitet shpirti për një lëmoshë, mjafton ti vendosen syve dy monedha, per të paguar Haronin.

Kosova 2025.

Edhe sot akuzohet se të qenurit mysliman do të thotë ti përkasësh një kulture të ndryshme nga ajo shqiptare, sikur fetë e tjera monoteiste të vinin nga aristokracia e shoqërisë europiane ose nga gadishulli ilirik, “uni ynë”.

Kosova 2025 do të prodhojë një urrejtje që do të tejkalojë kufijtë normalë të trupit njerëzor. Do të krijojë gra që pretendon t’i mbrojë, por që i redukton në qenie të pambrojtura e të dobëta, ku do i rikkthejë të nënshkruajnë me pështymë në gisht, për të vulosur fletën A4, atë të nënshtrimit. Çdo gjë bëhet falë gjuhës, jo asaj së folur por të organit, Nga pikëpamja ligjore, autoritetet mund të pretendojnë parimin e neutralitetit në hapësirat publike; por nga ajo e të drejtave themelore, ndalimi ngre pyetje të thella: liria e besimit, qasja në arsim, mbrojtja ndaj diskriminimeve të tërthorta.

Përvoja historike e Kosovës — një territor i shënjuar nga luftërat dhe vetëvendosja — e bën paradoksale që një masë e krijuar për të “ruajtur kohezionin” të përfundojë duke gërryer pluralitetin e brendshëm.

Shtypja e veshjes nuk i zhduk dallimet: i zhvendos në trup, në hapësirën private, në turpin e heshtur të të qenurit ndryshe.

Nëse politika dëshiron me të vërtetë t’i mbrojë gratë — e jo t’i përdorë ato — duhet t’i dëgjojë, jo t’u imponojë asimilimin.

Kosova 2025, duhet të jetë një mundësi për dialog mes laicitetit, lirisë fetare dhe të drejtave të grave — jo një tjetër urdhër i ardhur nga lart.

Diktatura duket se akoma na paska lënë barkbosh, ndoshta pasi nuk e kemi pertypur akoma ushqimin si popull prandaj nuk ka ndodhur defekimi.

Pasojat e mundshme janë të shumta: përjashtimi nga shkollat, radikalizimi identitar, ose më keq, normalizimi i kontrollit mbi shprehjen personale si mjet për homogjenizim shoqëror.

E ndërkohë, ata që e akuzojnë shaminë se “nuk është shqiptare” veshin xhinse, xhaketa lëkure, minifunde, bluza dhe kollare.

Vendosnja gishtin kokës e pyeteni veten: a janë këto veshjet tradicionale shqiptare?

Nëse po, atëhere e pranoj, MEA CULPA!

Kosova 2025.

Të drejtojnë armën ne grykë që të rrish i heshtur — dhe të vdesësh pa ideale.Verbalizimi vdes jetim!

Kosova 2025. Fausti i Ballkanit.

Një pakt me Europën, i nënshkruar me gjakun e grave që nuk kanë më zë.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK