Kandidatët me aktakuza - Bakija thotë se ka përmirësim në listat zgjedhore

Kandidatët me aktakuza - Bakija thotë se ka përmirësim në listat zgjedhore

Zgjedhjet 2019 shtator 09, 2019 - 18:32
Detajet

Jetmir Bakija nga Democracy Plus, ka mirëpritur listat e partive politike të publikuara së fundi me të cilat do t’i futen në garë zgjedhjeve të 6 tetorit.

Bakija tha se është pozitive që në këto zgjedhje subjektet nuk iu kanë dhënë hapësirë kandidimi personave të cilët kanë aktakuza për korrupsion, duke theksuar se është kërkuar që të ketë përfaqësim gjinor të barabartë.

”Ka disa risi në lista. Nëse marrim disa parti, ato të cilat pritet ta arrijnë pragun, këto janë që pritet që sipas sondazheve të jenë edhe në Kuvend dhe në të gjitha listat ka të rinj. Madje në një nga partitë e mëdha, asaj të LDK-së është një pretendent për kryeministër që s’ka qenë asnjëherë kandidat më herët, Vjosa Osmani. Shohim disa persona që janë për herë të parë kuadro”.

”Pragu prej 30% është respektuar nga të gjitha partitë. Ka pasur thirrje që përfaqësimi gjinor të jetë i barabartë me kuotën 50/50, por kemi një dispozitë të një ligji tjetër që kërkohet së paku 30%, dhe ky thuajse është respektuar. Ky është një zhvillim i mirë i kësaj radhe sepse ka më pak persona me aktakuza për korrupsion, kandidatë për deputetë sepse aty ishte thirrja më e madhe e shoqatave dhe aktivistëve civilë. Edhe në Lëvizjen Vetëvendosje ka pasur njerëz me aktakuza sepse janë përballë me ligjin për shkak të gazit lotsjellës dhe sulmin në Kuvend. Kryesisht në LDK ka pasur kandidatë me aktakuza për korrupsion, kryesisht kanë qenë ministra”.

”27 persona me aktakuza kanë qenë kandidatë në zgjedhjet e kaluara. Kurse në këto zgjedhje janë 5 kandidatë me aktakuzë të tillë . 3 tek koalicioni AAK-PSD, rasti i veteranëve të rrejshëm dhe një rast për komunën rast i udhëheqjes së komunës ndërsa partitë tjera e kanë marrë atë rekomandimin që të mos fusim njerëz me aktakuza. Një person me aktakuzë nuk është domosdoshmërisht fajtor por kur i ngritët një aktakuzë aty dihet se ka evidenca”.

”Nëse është praktikë ligji tek Shërbyesit Civilë, këtë praktikë duhet ndjekur edhe tek përfaqësuesit politikë. Ka një përmirësim tek listat e partive politike. Është një afat në KQZ, që të përmirësohen këto lista, deri tek të premten kanë mundësi ta bëjnë ndryshimet. Nëse i marrim edhe proceset e jashtme siç është liberalizimi i vizave apo përafrimi me Europën, pa e luftuar korrupsionin nuk mund të këtë rezultate”.

”Qytetarët s’mund t’i marrin për seriozisht këta politikanë të cilët thirren për rastet e përgjimeve, dhe thonë se do ta luftojnë korrupsionin. Problemi tek ne nuk qëndron tek përfaqësimi i gjinisë femërore në Kuvend. Problemi tek ne qëndron përfaqësimi në qeverisje, ku kemi pasur 1 apo 2 femra. Duhet të shohim kur fillon fushata zgjedhore, mirëpo me afatin ligjor kur fillon shohim se edhe partitë se kush do të mund të udhëheq me përfaqësi ministror”.

Në Klan Kosova Bakija përmendi edhe mënyrën se si partitë politike nuk janë duke respektuar ligjin për fushatën zgjedhore, duke pohuar se po propagandohen mesazhet poltike.

”Kemi analizuar këtë çështje por në momentin kur propagandohet një mesazh politik për zgjedhje ajo është fushatë për zgjedhje. Ligji e parasheh afatin për fushatë zgjedhore dhe KQZ e ka përcaktuar se është prej 25 shtatore deri 4 tetor, dhe partitë politike s’do duhej të propagandonin e të binin ndesh me ligjin aktual. Duhet të jenë të kujdesshëm sepse më shumë të dëgjojnë nga elektorati apo votuesit potencial e jo të japin premtime dhe ajo është kohë e caktuar për 10 ditë”.

”Do kisha dëshirë që fushata zgjedhore të jetë më e gjatë 30 ditë apo së paku 2 javë, për të parë se si mendojnë t’i zgjidhin problemet e qytetarëve dhe Kosovës. Ka mjaft të rinj në Vetëvendosje janë dy për herë të parë që garojnë në 10-tëshen e parë. LDK-ja ka më pak që kanë marrë kësaj radhe sepse herën e kaluar kanë pasur të rinj. Kur shohim PDK-në Eliza Hoxha kandidon si më e reja, pastaj Besa Ismaili – Ahmeti. Më kryesore sa i përket listave është që të jenë edhe profesione të ndryshme sepse Kuvendi duhet të ketë edhe profesionistë ku mund të merren me të gjitha temat”.