Tahiri hedh ‘topin’ tek qeveritë e kaluara për rritjen e numrit të ministrave
FOTO: Laura Hasani

Tahiri hedh ‘topin’ tek qeveritë e kaluara për rritjen e numrit të ministrave

Zgjedhjet 2019 September 11, 2019 - 16:09
detajet

Koordinatori Nacional i Reformës Shtetërore Besnik Tahiri në një intervistë për gazetën “Zëri”, ka folur edhe për stagnimin e implementimit të Ligjit për Paga. Sipas tij arsyeja pse ky Ligj nuk ka hyrë ende në fuqi është debati në mes ekspertëve kushtetues dhe atyre ligjor lidhur me vendosjen e numrit të ministrave, përcjell "Zëri.info".

“Ne kemi thënë që deri në fund të majit do ta përfundojmë, gjë që e kemi bërë. Ajo që ka ndodhur është që ka pasur një debat në mes të ekspertëve kushtetues dhe ligjor se nuk duhet në ligj të vendoset numri i ministrive, përderisa unë personalisht nuk kam pranuar që ligji të dërgohej pa u vendosur numri, sepse pikërisht kjo gjë është problem”, ka thënë ai.

“Topin” për rritjen e numrit të ministrave ai e ka hedhur tek qeveritë e kaluara si dhe tek faktori ndërkombëtar që sipas tij kanë krijuar institucione të dyfishta.

“Nuk është qeveria Haradinaj e cila e ka instaluar procesin e rritjes së ministrive, këtë e kemi bakshish prej qeverive të para dhe prej faktorit ndërkombëtar, sepse kanë krijuar institucione të dyfishta. Kosova ka filluar me 12 ministri, dhe ka vazhduar në rritje me secilën qeveri, ne kemi rritur vetëm 1 ministri, Qeveria e z.Mustafa i ka pasur 20 ministri, 19 me sektor dhe një pa portofol. Prapë shumë shumë, por kultura e rritjes së ministrive nuk është e Qeverisë "Haradinaj" por është e qeverive të kaluara. Unë kam rekomanduar që Kosova të ketë 15 ministri dhe kam rekomanduar që të ketë jo më shumë se 2 zëvendës”, ka thënë tutje Tahiri për "Zëri".

Duke folur për numrin e madh të ministrave Tahiri ka përmendur edhe kritikat lidhur me numrin e madh të zëvendësministrave. Kështu ai koalicionin PAN e ka quajtur të çuditshëm.

“Kritika e madhe ka qenë për zëvendësministrat. Mirëpo ky koalicion ka qenë i çuditshëm me shumë parti, mbi 15 dhe akomodimi i shumicës parlamentare kryesisht është lidhur mbi bazën e emërimit, ajo ishte ligjore, pavarësisht se nuk ishte më e mira zgjidhje, por ka shumë zëvendësministra që kanë bërë punë të shkëlqyeshme”, potencoi tutje ai.

Tahiri ka sqaruar edhe Ligjin për Qeverinë e që sipas tij specifikon që në qeverinë e ardhshme të mos ketë ministror apo zëvendëskryeministër pa portofolio.

“Ligji për Qeverinë specifikon që qeveria e ardhshme nuk do të ketë ministër apo zëvendëskryeministër pa portfolio, nuk do të ketë zëvendësministër pa portofolio”, sqaroi Tahiri.

Ndonëse e ka cilësuar si vendim të gabuar rritjen e pagave për zyrtarët qeveritarë Tahiri ka thënë se ky proces do të rregullohet me hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga në sektorin publik.

“Ky ka qenë gabim, mirëpo nuk ka qenë gabim i qëllimshëm që t'i rritet paga vetvetes, pasi kryeministri nuk do ta kishte bërë këtë, por ka qenë gabim qasja si është trajtuar i gjithë sektori i këshillimit politik në kryeministri dhe ministri. Nuk mund dikush ta kritikoj rritjen e pagës së një këshilltari politik i cili e ka pasur rrogën 450 euro, dhe ka njerëz nga LDK-ja e PDK-ja ishin ministra të financave. Është papërgjegjësi totale të kërkosh shërbim profesional me 450 euro, dhe duke u bazuar në këto kryeministri erdhi me këtë vendim, i cili ka pasur efekt për mbi 600 gjykatës dhe prokurorë. Pra mënyra e shpjegimit ka qenë gabim, vendimi ka qenë i drejtë dhe i mirë përderisa sot me ligjin për paga kjo çështje është rregulluar, është vetëm rroga e kryeministrit e cila është zvogëluar në gjithë procesin e ligjit të pagave”, ka thënë Tahiri për “Zërin”. /ZËRI

Të rekomanduara