Shtetet anëtare s’janë unike rreth heqjes së vizave për Kosovën

Shtetet anëtare s’janë unike rreth heqjes së vizave për Kosovën

Zgjedhjet 2019 September 16, 2019 - 11:45
detajet

Ndonëse Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret e përcaktuara nga Bashkimi Evropian për heqjen e vizave, 28 shtetet anëtare të BE-së ende s’e kanë dhënë fjalën e fundit për këtë proces. Zyrtarë nga Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë i kanë thënë “Zërit” se pavarësisht që u takon shteteve anëtare të marrin një vendim final, është koha e duhur që kosovarëve t’u liberalizohen vizat.

“Procesi i vendimmarrjes së BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën po vazhdon. Siç tha përfaqësuesja e lartë e BE-së Mogherini gjatë takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së në Helsinki, Komisioni Evropian i ka sugjeruar Këshillit që ka ardhur koha për të marrë vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën. Ajo me këtë rast shtoi se tani i takon Këshillit ta marrë atë vendim, duke shprehur besimin se është koha e duhur që populli i Kosovës të marrë liberalizmin e vizave”, thuhet në përgjigjen e kësaj Zyre.

Mirëpo derisa heqja e vizave të ndodhë, Zyra e BE-së ka theksuar se Kosova duhet t’i vazhdojë përpjekjet për sundimin e ligjit, të sigurisë dhe të migracionit.

“Siç e dini raporti i Kosovës për vitin 2019 e ka përsëritur mbështetjen e Komisionit Evropian për përfundimin e këtij procesi si çështje urgjente. U takon shteteve anëtare të BE-së, të përfaqësuara në Këshillin e BE-së, së bashku me Parlamentin Evropian, të marrin vendimin përfundimtar. Ndërkohë është e rëndësishme që Kosova t’i demonstrojë përpjekjet e saj të vazhdueshme për sundimin e ligjit, për të pasur nën kontroll migrimin dhe sigurinë në mënyrë që të përgatisë një kontekst pozitiv për vendimin përfundimtar të shteteve anëtare të BE-së”, thuhet tutje në përgjigjen e tyre.

Kurse njohësi i çështjeve integruese nga instituti “Epik”, Demush Shasha, për “Zërin” ka deklaruar se shtetet anëtare të BE-së vazhdojnë të mos jeni unike sa i përket heqjes së vizave të Kosovës. Sipas tij, mungesa e rezultateve në luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit ka rritur skepticizmin e shteteve anëtare.

“Znj. Mogherini më 30 gusht 2019 ka ripërsëritur qëndrimin e njohur të Komisionit Evropian lidhur me liberalizimin e vizave për Kosovën. Rrjedhimisht nuk mund të themi se deklaratën e saj nuk duhet parë si ndonjë zhvillim te ri ose si indikacion pozitiv sa i përket liberalizimit të vizave. Vështirësia qëndron te Këshilli i Ministrave të BE-së ose te vendet anëtare, të cilat nga muaji shtator 2018 nuk kanë treguar vullnet politik për të marrë vendim pozitiv sa i përket liberalizimit vizave. Hezitimi i tyre qëndron te fakti se disa vende anëtare të BE-së nuk ndajnë vlerësimin e njëjtë me Komisionin Evropian, me theks të veçantë në mungesën e rezultateve në luftimin e korrupsionit të nivelit të lartë”, ka thënë ai.

Aktualisht sipas Shashës, nuk ka indikacione pozitive se heqja e vizave mund të ndodhë së shpejti.

“Nuk mund të themi se ka indikacione pozitive se Këshilli i BE-së do të marrë vendim pozitiv sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën. Kosova tre vjet pas kërkesës për progres në kuadër të korrupsionit të nivelit të lartë nuk ka arritur ta përfundojë me sukses në gjykatë as edhe një rast të vetëm të korrupsionit të nivelit të lartë dhe e gjithë kjo me një mjedis ku Rezoluta e Parlamentit Evropian vlerëson se në Kosovë ekzistojnë elementet e shtetit të kapur e kur Raporti i Vendit e vlerëson se korrupsioni është i përhapur në të gjitha nivelet institucionale, ndërsa Kosova është vendi i fundit në Ballkan sa i përket sundimit të ligjit”, ka shtuar Shasha.

Rrjedhimisht, sipas tij, kapja e sistemit të drejtësisë nga politika dhe rrjedhimisht nga mungesa e rezultateve në luftë kundër korrupsionit të nivelit të lartë ndikon drejtpërdrejt në mosliberalizimin e vizave për Kosovën.

“Po ashtu mungesa e progresit në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë është një pengesë indirekte, pasi vendet anëtare të BE-së e shohin bashkëpunimin rajonal si kriter themelor në kuadër të të gjitha proceseve integruese, duke përfshirë edhe liberalizimin e vizave”, ka theksuar ai./ZERI

 

Të rekomanduara