Limaj e kërkon votën për NISMA-n në Fushë Kosovë, e përmend marrëveshjen me Serbinë

Limaj e kërkon votën për NISMA-n në Fushë Kosovë, e përmend marrëveshjen me Serbinë

Zgjedhjet 2019 September 16, 2019 - 14:22
detajet

Kandidati për kryeministër nga koalicioni Nisma-AKR-PD, Fatmir Limaj ka mbajtur takim me strukturat e Nismës në Fushë Kosovë.

Në sallën e mbushur me njerëz, janë prezantuar edhe kandidatët për deputetë të Nismës nga kjo komunë.

Limaj foli dhe për shumë çështje tjera, ku ndër të tjera tha se ai ka përvojën e duhur në shumë procese shtet-formuese.

Ai qytetarëve iu kërkoi që të votojnë kandidatët e duhur për deputet, e sipas tij më të mirët janë ata të Nismës duke shtuar se Kuvendi i ardhshëm do të vulosë marrëveshjen me Serbinë.

“Parlamenti që do të zgjedhë Qeverinë që do të drejtojë vendin, do të përcaktojë marrëveshjen me Serbinë. Ata deputetë kanë me çuar dorën për atë marrëveshje. Nga vota e tyre varet ajo çka pritet të vendoset për 100 vjetët e ardhshëm”, tha ai.

Duke përmendur partitë e tjera politike Limaj tha se oferta e duhur për qytetarët janë ata, pasi sipas tij në njërën anë janë ata që gjithë ditën shahen, dhe tjerët që gjithë ditën mashtrojnë.

 “Nuk mund t’i zgjedhin problemet ata që prej mëngjesit deri në darkë shahen mes veti. Kemi një grup njerëzish që gjithë ditën shahen dhe një grup tjetër që gjithë ditën mashtrojnë. Në mesin e këtyre dy grupeve është kjo ofertë e bashkimit dhe afrimit të njerëzve”, tha ai.

Fjalë të mira për Fatmir Limajn pati sekretari i përgjithshëm i Nismës, Bilall Sherifi, i cili tha se kandidati i koalicionit të tyre është kandidati që do të fitojë zgjedhjet e ardhshme, pasi sipas tij,ai ka të gjitha aftësitë për një gjë të tillë.

Ai tregoi arsyet pse duhet votuar Fatmir Limaj për kryeministër, e ato siç tha, janë sprovat e mëhershme dhe mos shantazhimi i deritanishëm.

 “Kandidati i koalicionit tonë është kandidati i cili do të fitojë zgjedhjet e ardhshme, sepse është më i miri, më i përgatituri, më i zoti që t’i dalë vendin në situata jashtëzakonisht dramatike”, tha Sherifi.

Ndërkaq, kryetari i Degës së Nisma në Fushë Kosovë, Driton Ademi tha se Nisma do t’i bëjë zgjidhje të gjitha kërkesave të qytetarëve të kësaj komune.

 “Ne nuk guxojmë që të japim premtime që nuk mundemi të realizojmë, mirëpo unë besoj fuqishëm që Nisma Socialdemokrate është ajo që i plotëson kërkesat dhe i bën zgjidhje qytetarëve të Fushë Kosovës”, tha ai.

Kandidatë për deputetë nga radhët e Nismës në Fushë Kosovë janë Driton Ademi, Lule Berisha, Eqrem Berisha, Arbnore Kelmendi.

Të rekomanduara