Fushatë para fushate
Foto: Laura Hasani

Fushatë para fushate

Zgjedhjet 2019 September 21, 2019 - 08:03
Detajet
Image

Është partia e kryeministrit në detyrë Ramush Haradinajt, e cila në zgjedhjet e 6 tetorit garon në koalicion me PSD-në, që përveç rrugëve dytësore të kryeqytetit me posterë ka mbushur edhe sheshin kryesor të Prishtinës. PZAP-i ka deklaruar se partitë politike nuk do të duhej të bënin fushatë para se ajo të fillojë zyrtarisht, shkruan gazeta "Zëri".

Ndonëse fushata zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit pritet që zyrtarisht të fillojë më 25 shtator, partitë politike ka kohë që kanë filluar të bëjnë fushatë. Parafushatës së tyre i kanë paraprirë debatet, vizitat e tubimet me qytetarë. Mirëpo së fundmi janë parë edhe afishe e posterë të vendosur në pikat kryesore të kryeqytetit nga partitë politike. Është partia e kryeministrit në detyrë Ramush Haradinajt, e cila në zgjedhjet e 6 tetorit garon në koalicion me PSD-në, që përveç rrugëve dytësore të kryeqytetit me posterë ka mbushur edhe sheshin kryesor të Prishtinës. Megjithatë nga partia e kryeministrit në largim për gazetën “Zëri” kanë mohuar një gjë të tillë. Ndërkaq shoqëria civile konsideron se parafushata duhet të rregullohet me ligj, pasi partitë politike po e shfrytëzojnë këtë kohë. Ndërkaq edhe PZAP-i ka deklaruar se ndonëse nuk ka sanksionime partitë politike nuk do të duhej të bënin fushatë para se ajo të fillojë zyrtarisht.

Nënkryetarja dhe ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së, Teuta Haxhiu, ka mohuar që nga koalicioni AAK-PSD ka vendosur posterë në qendër të Prishtinës. “Jam në terren dhe fare nuk kam parë asnjë poster. Vetëm qytetarët po e përqafojnë idenë e Aleancës për shtetin 100%. Atë që s’mund ta fshehësh në fund të fundit, Haradinaj është kryeministër në detyrë dhe gjithçka që është publikuar është një realitet që ka ndodhur në qeverisjen ‘Haradinaj’”, ka thënë Haxhiu. “Unë s’kam vendosur poster. Sinqerisht unë në terren jam, nuk kam parë diçka të tillë”, ka thënë më tutje ajo.

Më tutje Haxhiu ka thënë se edhe nëse janë vendosur posterët në fjalë, ata flasin për 100% punët e kryera të kryeministrit në detyrë.

DnV: Parafushata të rregullohet me ligj

Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka deklaruar se ndonëse parafushata nuk është e rregulluar me ligj, partitë politike shfrytëzojnë këtë periudhë që të bëjnë fushatë. “Nuk është precizuar dhe rregulluar ligji i parafushatës. Partitë politike nuk kanë pasur vullnet që ta adresojnë këtë çështje dhe kjo është njëra prej arsyeve pse fushata zakonisht caktohet për një periudhë të shkurtër kohore dhe të gjitha aktivitetet tjera bëhen paraprakisht. Duke qenë se periudha para fushatës nuk rregullohet me ligj, atëherë është e pritshme që partitë politike do ta shfrytëzojnë këtë fushatë për interesa të tyre”, ka thënë ai.

Cakolli ka thënë se njëra nga çështjet që do të trajtohet me shumë prioritet nga reforma zgjedhore do të jetë parafushata, pasi sipas tij në të kundërtën nuk mund të ketë transparencë nga partitë politike. “Njëra nga çështjet me më së shumti prioritet që do ta trajtojë reforma zgjedhore është pikërisht rregullimi i periudhës së parafushatës. Duhet që partitë të kenë kufizime sa u përket shpenzimeve dhe organizimit të fushatës parazgjedhore jashtë afatit të paraparë, duke qenë se kjo minon transparencën dhe llogaridhënien. Madje edhe ne si shoqëri civile monitorojmë shpenzimet e fushatës së partive politike dhe organizimi i parafushatës ka ndikuar që ne të mos mundemi të monitorojmë në përgjithësi se sa kanë shpenzuar partitë politike në parafushatën e zgjedhjeve të 6 tetorit”, ka sqaruar ai.

Ndërkaq Mul Desku, nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ka deklaruar se PZAP-i nuk parasheh sanksione për vendosjen e afisheve, posterëve dhe mbishkrimeve para fillimit zyrtarisht të fushatës zgjedhore, ndërsa që po ndodhin janë jashtë rregullave të procesit zgjedhor. “Nuk ka sanksione, mirëpo partitë po e shfrytëzojnë këtë. Nuk ishte dashur të ndodhë kjo fushatë para fushatës, por po ndodh dhe nuk ka ndonjë sanksion”, ka thënë Desku për “Zërin”.

Ndërkaq Jetmir Bakija, nga Demokracia Plus, ka deklaruar për gazetën “Zëri” se ndonëse partitë politike nuk sanksionohen me ligj për vendosjen e afisheve dhe të posterëve nëpër hapësira publike, një gjë e tillë nuk do të duhej të ndodhte. Siç ka thënë Bakija, KQZ-ja ka caktuar një periudhë të fushatës, e cila duhet të respektohet, pasi siç tha ai vetëm kështu garantohet barabarësi për të gjithë. “Duhet të plotësohet ligji, sepse sanksionon vetëm veprime brenda periudhës zyrtare te fushatës, ndërsa nuk rregullon dhe sanksionon periudhën para fushatës. Kjo e humb efektin e ligjit për shkak se pikërisht periudhën para fushatës ishte dashur ta rregullojë ne mënyrë që periudha e fushatës e caktuar nga KQZ-ja të respektohet dhe të ketë barabarësi në mes partive garuese. Gjë që është edhe qëllimi i ligjit”, ka theksuar ai./ZËRI

Të rekomanduara