Votimi i serbëve të Kosovës, nën presion
FOTO: Laura Hasani

Votimi i serbëve të Kosovës, nën presion

Zgjedhjet 2019 tetor 09, 2019 - 18:47
Lexoni detajet

Misioni mbikëqyrës i Bashkimit Evropian, në raportin e saj për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë, ka folur për presionet dhe frikësimet e qytetarëve të komunitetit serb, që të votojnë për Listën Serbe, të cilën e mbështetë Beogradi zyrtar.

Vet qytetarët serbë të Kosovës kanë folur për situatat në të cilat janë gjetur.

Një grua, e cila jeton në njërën nga komunat me shumicë serbe në jug të lumit Ibër dhe nuk ka dashur ta zbulojë identitetin e saj për publikun, ka dëshmuar për Radion Evropa e Lirë lidhur me presionet që i janë bërë familjes së saj.

“Të dielën, në ditën e zgjedhjeve (më 6 tetor), rreth orës 6 e 45 minuta në mbrëmje, babai im ka marrë një thirrje telefonike se nuk ka kryer detyrën qytetare dhe që me urgjencë të shkojë në vendvotim dhe të votojë për opsionin e caktuar politik. Ai e bëri këtë për shkak se punon në institucionet serbe dhe për shkak të frikës se mund ta rrezikojë vendin e tij të punës për shkak se nuk kishte dalë në votime. Të njëjtën gjë e bëri edhe nëna ime”, ka thënë gruaja serbe, identiteti i së cilës është i njohur për Radion Evropa e Lirë.

Rrëfimi i saj ka marrë konfirmimin në raportin preliminar të Misionit mbikëqyrës të Bashkimit Evropian, i cili më 8 tetor është prezantuar në Prishtinë.

Krahas vlerësimit pozitiv për rrjedhën e procesit zgjedhor, misioni evropian ka vlerësuar që ambienti në të cilin është zhvilluar fushata në zonat e banuara me shumicë të serbëve të Kosovës, ka qenë i cenuar me frikësime, të cilat i kanë pasur cak kandidatët dhe mbështetësit që nuk kanë qenë me Listën Serbe.

Lidhur me këtë ka folur edhe Viola von Cramon-Taubadel, kryesuese e Misionit mbikëqyrës të Bashkimit Evropian.

“Fushata në zonat ku janë shumicë serbët e Kosovës është shënuar me frikësimin e kandidatëve, të cilët nuk kanë qenë kandidatë dhe mbështetës të Listës Serbe. Në ato mjedise, partitë që kanë garuar me Listën Serbe nuk kanë pasur mundësi që të kenë fushatë zgjedhore efektive, pjesërisht për shkak të frikësimit të kandidatëve të tyre, përfshirë edhe familjet dhe votuesit e tyre. Lista Serbe, ashtu sikurse edhe Qeveria e Serbisë, kanë kontrolluar komunat me shumicë serbe në Kosovë, i kanë orientuar qytetarët që të votojnë vetëm për Listën Serbe, ndërkaq që oponentët e asaj liste janë akuzuar që janë kundër-serbë. Me këtë, janë kufizuar të drejtat e tyre fundamentale demokratike për lirinë e shprehjes, tubimit dhe prezantimit, dhe për pasojë, kur bëhet fjalë për serbët e Kosovës, procesi zgjedhor ka qenë i mohuar në pikëpamjen e këtyre standardeve ndërkombëtare”, ka thënë Viola von Cramon-Taubadel.

Petar Miletiq, anëtar i kryesisë së Lëvizjes opozitare të Qytetarëve të Lirë dhe ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se në mesin e serbëve të Kosovës, të gjithë dinë për frikësimin e atyre që nuk janë kandidatë të Listës Serbe, të cilën e mbështetë Beogradi zyrtar, si dhe në lidhje me miton për qytetarët e komunitetit serb që të votojnë vetëm atë opsion politik.

“Është e pamundur që një listë, në atmosferë dhe procedurë demokratike, të fitojë 95 për qind të votave. Kjo ndodh vetëm në diktaturat serioze. Madje edhe disa diktatura të sotme në botë, nuk mund t’ia sigurojnë vetes 95 për qind të votave. Pra, është e qartë se bëhej fjalë për direktiva, se kemi pasur të bëjmë diku me presione, diku me mito, madje jo me para në të shumtën, por me vende të punës apo me çfarëdo fuqizimi që u jep shteti i Serbisë. Të gjithë që jetojnë në Kosovë, e dinë mjaft mirë se çfarë ka ndodhur atje, por lidhur me atë se pse u janë nënshtruar presioneve, nuk duan të flasin publikisht”, tha Miletiq.

Hulumtimet lidhur me këto presione, në fillim të këtij viti i ka bërë edhe Qendra për politikë të sigurisë e Beogradit. Hulumtuesja e kësaj organizate joqeveritare, Isidora Stakiq, thotë për Radion Evropa e Lirë, se pikërisht për këtë fakt, nuk është befasuar me vlerësimin e Misionit mbikëqyrës të Bashkimit Evropian lidhur me presionet mbi serbët e Kosovës që të votojnë për Listën Serbe.

“Hulumtimet e Qendrës për politikë të sigurisë në Beograd, të cilat i kemi bërë në shkurt të këtij viti, tregojnë që serbët që jetojnë në veri të Kosovës, më shumë frikësohen nga përfaqësuesit e autoriteteve serbe se sa nga shqiptarët. Gjegjësisht, që janë nën presionin më të madh nga ana e Listës Serbe, e cila është nën kontrollin e Qeverisë së Serbisë. Përshtypja e përgjithshme, të cilën e kemi arritur ne në bazë të bisedave me njerëzit në veri të Kosovës, është që, në esencë, nuk ekziston edhe aq problemi etnik në Kosovë, sa është problem presioni i Listës Serbe”, tha Isidora Stakiq.

Ajo shtoi që presionet shumë shpesh janë të fshehura, ndërkaq që shumë prej tyre mund të përshkruhen si kërcënime për humbje të vendit të punës dhe presione të formave të llojeve të ndryshme, të cilat nuk munden shumë lehtë të identifikohen si kërcënime të hapura.

“Tash, para zgjedhjeve, të gjithë kemi parë që votuesit merrnin porosi përmes MTS-së (operator i telefonisë mobile), që është pronë e shtetit të Serbisë. Në ato porosi shkruhej ‘Serbia thërret, dil në zgjedhje dhe voto për Listën Serbe’”, u shpreh Stakiq.

Drejtuesit e Listës Serbe, deri më tash nuk i janë përgjigjur thirrjes së Radios Evropa e Lirë për të reaguar lidhur me vlerësimet për frikësim dhe presione ndaj qytetarëve të komunitetit serb në Kosovë që të votojnë për Listën Serbe.

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, në mjediset me shumicë serbe, fitues absolut është Lista Serbe, e cila sipas deklaratës së kryetarit të këtij subjekti politik, Goran Rakiq, ka marrë 98 për qind të votave në komunat me shumicë serbe në Kosovë.

Lista Serbe, e cila vepron me mbështetjen e Beogradit zyrtar, po ashtu, deri më tash, ka qenë dhe është në pushtet në komunat me shumicë serbe në Kosovë.