Dështimet në Prishtinë e rrëzuan PSD-në

Dështimet në Prishtinë e rrëzuan PSD-në

Zgjedhjet 2019 tetor 10, 2019 - 14:58
Detajet

Ish-deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), tashmë pjesë e Partisë Socialdemokrate (PSD), rrezikojnë të mos kenë asnjë ulëse në Kuvendin e Kosovës. Në bazë të rezultateve të deritanishme të KQZ-së, koalicioni AAK - PSD do t’i ketë 14 ulëse, por asnjëra nga këto ulëse nuk do t’i takojë PSD-së, shkruan Gazeta "Zëri". 

Njohësi i çështjeve politike Milazim Krasniqi në një intervistë për “Zërin” ka deklaruar se udhëheqja jo e mirë e kreut të PSD-së Shpend Ahmetit në Prishtinë ka bërë që kjo parti të pësojë një debakël në rezultatin zgjedhor të 6 tetorit.

“PSD-ja ka qenë një fraksion i dalë nga Vetëvendosja dhe është parë që si duket ata kanë qenë një grup politikanësh karrieristë, që kanë pasur ambicie më të mëdha sesa që i kanë pasur mundësitë e tyre. Nuk duhet harruar që partitë në Kosovë kryesisht janë lideriste, pra nuk janë parti që kanë projekte e programe, por kanë një lider. Qytetarët i besojnë ose nuk i besojnë liderit, e PSD-ja nuk ka lider, Shpend Ahmeti është shembull i dështimit për udhëheqjen e Komunës së Prishtinës, sepse e ka shndërruar vendin në një dështim, që duket se edhe qytetarët e kanë kuptuar”, ka thënë ai dhe ka shtuar se nëse PSD-ja vazhdon të udhëhiqet nga Shpend Ahmeti nuk do të ketë gjasë të rikthehet në skenën politike.

“PSD-ja unë jam i bindur që në të ardhmen ose do të shkrihet me AAK-në, ose duhet të gjejë një lider tjetër, por sipas të gjitha gjasave me Shpend Ahmetin ata nuk mund të ecin përpara”, ka thënë ai për "Zërin". /ZERI