Lirije Kajtazi e LDK-së dyshon se iu vodhën votat në QNR
Foto: Facebook / Lirije Kajtazi

Lirije Kajtazi e LDK-së dyshon se iu vodhën votat në QNR

Zgjedhjet 2021 March 07, 2021 - 14:08

Pas publikimit të rezultateve zgjedhore nga ana e Komisionit Qendror Zgjedhor për zgjedhjet e 14 shkurtit, kanë nisur të shpërfaqen akuzat për vjedhje votash.

E nisur nga kandidatet e AAK-së për deputete, ky trend po vazhdon edhe në LDK.

Kandidatja për deputete nga radhët e LDK-së, Lirije Kajtazi, duke shpërndarë lajmin për pretendimet se bashkëshorti i Meliza Haradinaj-Stubllës ka blerë vota për të, ka hedhur dyshime e akuza se me të njëjtin model është përmbysur edhe rezultati i saj, në minutën e fundit.

“Me këtë model u përmbys edhe rezultati im ne minutat e fundit në Qendrën për fabrikimin e rezultateve (QNR)”, ka shkruar Kajtazi.

Ajo ka thënë se po vazhdon betejën për angazhim të përjetshëm në luftën për drejtësi dhe demokraci.

“Të nderuar qytetarë, unë po vazhdoj betejën time, jo për një mandat në Kuvend, por angazhimin tim të përjetshëm në luftën për DREJTËSI dhe DEMOKRACI”, ka shkruar Kajtazi.

E në mbrojtje Kajtazit i doli bashkëpartiakja e saj, Hykmete Bajrami.

Ajo kërkoi nga KQZ-ja që të bëhet rinumërimi I secilës votë, nën vëzhgim të kamerave live nëpër televizione.

“KQZ-ja të marrë vendim për rinumrim të secilës kuti nën vëzhgim të kamerave, në transmetim live në televizionet nacionale. Nëse nuk bëhet për kandidatët, duhet të bëhet për qytetarët”, deklaroi Bajrami.

Kërkesë të ngjashme pati edhe bashkëpartiaku tjetër, Faton Bislimi.

Ai i bëri thirrje PZAP-së që të dërgojë në rinumërim komplet votat me kusht dhe të diasporës, e po ashtu edhe secilën tjetër kuti votimi ku ka dyshim për manipulim.

“Më 4 mars, unë kam fol për inxhinjering elektoral, dhe kjo u faktua dje me skandalin e blerjes së votave në QNR për kandidaten e AAK-së. Ky skandal komprometon skajsmërisht procesin zgjedhor. Ky model i vjedhjes së vullnetit të sovranit ka prek edhe shumë kandidatë tjerë. Të paktën që do të duhej PZAP të bënte sot është të dërgonte në rinumërim komplet votat me kusht dhe ato të diasporës (të cilat ekskluzivisht janë numëruar në QNR) dhe secilën kuti tjetër ku ka një fije dyshimi për manipulim. Përndryshe, demokracia jonë fragjile po fundoset. Burgu është pak në krahasim me fundosjen e demokracisë”, ka shkruar Bislimi në Facebook.

Bislimi ka qenë kandidat për deputet nga radhët e LDK-së, por që nuk ka arritur të sigurojë vota të mjaftueshme për t’u zgjedhur. /Zëri