Zyberaj: Me votat e kandidatëve të AKR-së është manipuluar në katër komuna
Foto: Ilustruese

Zyberaj: Me votat e kandidatëve të AKR-së është manipuluar në katër komuna

Zgjedhjet 2021 March 08, 2021 - 21:29

Ish-kandidati për deputet i AKR-së në listë të përbashkët me LDK-në, Jetlir Zyberaj thotë se manipulimi më i madh i votave fillon pas mbylljes së vendvotimeve.

“Pasi të numërohen votat për partitë, komisionerët janë të lirë dhe veprojnë sipas dëshirës së vet sa i përket votave të kandidatëve. Ky procesi në QNR është kapitulli i dytë i manipulimit”, tha ai në “Debat Plus”.

Zyberaj thotë se ky problem me kandidatët ndodh që dy-tri palë zgjedhje.

“Familjarët që kanë votuar, iu mungon vota në formularët e zgjedhjeve. Tash ose ata po gënjejnë ose vota është manipuluar nga komisionerët”.

Ish-kandidati për deputet i AKR-së thotë se për manipulimin e votave të tyre janë njoftuar nga vëzhguesit e ndryshëm.

Zyberaj thotë se me votat e AKR-së është manipuluar në Ferizaj, Gjilan, Klinë e Podujevë.

“Vet formularët e publikuar nga KQZ-ja tregojnë jashtëzakonisht shumë paqartësi. Për mua është shumë e pakuptueshme se si ata persona që kanë vendosur numrat në kompjuter t’i kuptojnë shifrat që janë shënuar e më pas fshirë”, deklaroi ndër të tjera Jetlir Zyberaj.