Nisin hetimet për procesin e votimit me postë
Foto: Laura Hasani

Nisin hetimet për procesin e votimit me postë

Zgjedhjet 2025 March 26, 2025 - 13:01

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë e Kosovës që të nisë hetimet për procesin e votimit me postë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Kështu ka bërë të ditur për Zeri.info zëdhënësja e Prokurorisë, Kaltrina Shala.

“Lidhur me pyetjen tuaj, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë e Kosovës në grumbullimin dhe verifikim të informacioneve, mirëpo në këtë fazë të procedurës të parashtruara nuk mund të jepen detaje më të hollësishme sepse do të cenohej procesi hetimor”, tregoi Shala për “Zërin”.

Theksojmë se për votat me postë ka pasur ankesë Lëvizja Vetëvendosje. Kjo parti ka kërkuar që të anulohen votat e Lidhjes Demokratike të Kosovës që kanë ardhur me postë. Sipas LVV-së, në këto vota ka pasur vjedhje industriale. LVV-ja ka kërkuar anulimin e gati 19 mijë votave për LDK-në.

LDK-ja ka konsideruar se me këto veprime partia në pushtet po u bën presion autoriteteve.

Në votat me postë ka pasur ankesë edhe Koalicioni i Partisë Demokratike të Ashkalinjve dhe Lëvizjes për Bashkëveprim, që ka kërkuar të anulohen votat e Partisë së Ashkalinjve për Integrim.

Sivjet në diasporë u votua nëpër përfaqësi, por edhe me votë me postë. Në përfaqësi diplomatike, LVV-ja mori mbi 80 për qind e LDK-ja ishte e treta me 7.3 për qind të votave. Ndërkaq në votën përmes postës, LVV-ja mori 51.89 për qind e LDK-ja 30.21.

Akuza e LVV-së ka qenë kryesisht për mospërputhje të votave të disa kandidatëve të LDK-së nga votimet e tjera në votimin me postë.

Votimin me postë e shfrytëzuan rreth 60 mijë qytetarë.

Të mërkurën (sot) është dita e fundit kur Gjykata Supreme, si instanca më e lartë gjyqësore në procesin e zgjedhjeve, të dalë me vendime për ankesat e subjekteve politike. /Zëri