KQZ-ja drejt përfundimit të rinumërimit, sot kryhen edhe nëntë vendvotimet e fundit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se gjatë ditës së sotme pritet të përmbyllet procesi i rinumërimit të vendvotimeve të caktuara me vendim të këtij institucioni, pas zgjedhjeve të 7 qershorit 2026.
Sipas njoftimit të KQZ-së, gjatë ditës së enjte në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) janë rinumëruar 176 nga gjithsej 185 vendvotime. Ndërkaq 9 vendvotimet e mbetura do të rinumërohen gjatë paradites së sotme, duke përmbyllur kështu të gjithë procesin.
KQZ-ja ka bërë të ditur se 185 vendvotimet e përfshira në rinumërim përbëjnë 7,41 për qind të gjithsej 2.498 vendvotimeve të rregullta, ku u zhvillua votimi më 7 qershor.
Numri më i madh i vendvotimeve të rinumëruara është në Prishtinë me 18 vendvotime, pasuar nga Prizreni me 16, ndërsa Gjakova dhe Ferizaj me nga 10 vendvotime. Rinumërimi është zhvilluar edhe në komunat e tjera të vendit, duke përfshirë Pejën, Gjilanin, Mitrovicën e Jugut, Podujevën, Suharekën dhe të tjera.
Sipas KQZ-së, vendimi për rinumërim mbështetet në Rregulloren Zgjedhore për funksionimin e Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve, e cila i jep mundësi institucionit të vendosë për rinumërim pas vlerësimit të materialeve zgjedhore të pranuara nga vendvotimet e rregullta.
“Kjo masë kontrolli është paraparë nga KQZ për të adresuar problemet e evidentuara në disa nga Qendrat Komunale të Numërimit gjatë numërimit të votave të kandidatëve për deputetë nga zgjedhjet e dhjetorit të vitit të kaluar dhe ka për qëllim të sigurohet që numërimi është zhvilluar me saktësi”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.
Përfundimi i rinumërimit pritet të hapë rrugën për fazat e tjera të procesit zgjedhor dhe certifikimin përfundimtar të rezultateve. /Zëri