Elezi: Përfundon rinumërimi, KQZ-ja gati t’i shpallë rezultatet përfundimtare
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka konfirmuar se sot ka përfunduar rinumërimi i 185 vendvotimeve, për të cilat ky institucion kishte marrë vendim për t’i rinumëruar.
Kjo është bërë e ditur në konferencën për media, ku ka folur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
“Në orën 12:00 është përmbyllur procesi i rinumërimit në 185 vendvotime, për të cilat ka marrë vendim KQZ-ja të rinumërohen. Me përfundimin e rinumërimit mund të konstatojmë se KQZ-ja ka përmbyllur administrimin e procesin që përfshinë aktivitetet në QKN dhe QNR”, tha Elezi.
Ai tha gjithashtu se KQZ-ja është e gatshme të shpallë rezultatin përfundimtar, por për këtë duhet një konfirmim edhe nga PZAP-i, transmeton Zeri.info.
“KQZ-ja është e gatshme të bëjë shpalljen e rezultateve përfundimtare, por duhet të presim nëse do të ketë ankesa lidhur me administrimin e rinumërimit në QNR”.
“Para shpalljes së rezultateve përfundimtare, KQZ-ja do të kërkojë konfirmim nga PZAP-i nëse ka ndonjë ankesë që është duke u shqyrtuar në këtë institucion”, tha Elezi. /Zëri