KQZ: Deri në orën 11:00 kanë votuar mbi 8% qytetarë

KQZ: Deri në orën 11:00 kanë votuar mbi 8% qytetarë

Zgjedhjet Lokale 2021 October 17, 2021 - 12:00

Kryetari i Komisionit Qendror Zgjedhor, Kreshnik Radoniqi, tha se deri në orën 11:00 ka votuar 8,24% e popullsisë, ose 151.547 persona, raporton Ekonomia Online.

“Sipas të dhënave preliminare që kemi pranuar nga rreth 98% e vendvotimeve, numri qytetarëve me të drejtë vote që kanë votuar deri në orën 11:00 është 8,2%, ose rreth 152 mijë votues nga 1 milion e 885 mijë e 448 votues”.

“Deri në të njëjtën kohë në zgjedhjet lokale të vitit 2017 kishin votuar 195 mijë e 473 votues, ose 10,34% e votuesve.”

Derisa përqindja më e madhe është në Mitrovicën e Veriut, me 30,96%, ose 5.486 votues.

Kurse Prizreni është komuna me më së paku votues, me 6,16% të personave që kanë votuar.

Në këto zgjedhje konkurrojnë 94 subjekte politike, ku 32 prej tyre janë parti politike, një koalicion, 35 iniciativa qytetare, e 26 kandidatë të pavarur. Numri i përgjithshëm i kandidatëve që kanë aplikuar në këto zgjedhje është 4.920, ku 165 prej tyre do të jenë kandidatë për kryetarë komunash.

Zgjedhje zhvillohen në 38 komuna, duke përfshirë edhe ato në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe.

Numri i qendrave të votimit në të gjithë Kosovën është 883 me gjithsej 2 mijë e 477 qendra votimi.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se ka certifikuar listën përfundimtare të votuesve, e cila tregon për numrin e votuesve brenda dhe jashtë Kosovës për zgjedhjet lokale 2021.

Lista përfundimtare e votuesve për zgjedhjet lokale 2021 përmban 1 milion e 885 mijë e 448 emra të votuesve, ose 90 mijë e 586 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, që u mbajtën më 14 shkurt 2021.

Në këto zgjedhje konkurrojnë 94 subjekte politike, 32 prej tyre janë parti politike, një koalicion, 35 iniciativa qytetare e 26 kandidatë të pavarur.

Numri i përgjithshëm i kandidatëve që kanë aplikuar në këto zgjedhje është 4.920, ku 165 prej tyre do të jenë kandidatë për kryetarë komunash.

Edhe Prokuroria e Shtetit ka krijuar mekanizmat për një proces të mirëfilltë me mision mbrojtjen e votës së qytetarit.

Prokuroria ka njoftuar se ka 80 prokurorë kujdestarë në 38 komunat e Kosovës, ku nëse do të ketë keqpërdorim të votës Prokuroria dhe policia do të ndalojnë dhe arrestojnë qytetarët, por edhe ata që e mundësojnë këtë.

Po ashtu edhe Policia ka krijuar urdhërplanin operativ në nivel vendi për mbajtjen e rendit dhe qetësisë për sigurimin e vendvotimeve, qendrave të votimit, sigurim dhe shpërndarje të materialit sensitiv me 3553 policë, të cilët do të jenë të angazhuar në ditën e zgjedhjeve.

Edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka deklaruar se ka 35 gjyqtarë kujdestarë në nivel vendi, që do të jenë të angazhuar në ditën e zgjedhjeve. /EO