Bahtiri thotë se e ka uruar mbrëmë Hamzën për fitoren

Bahtiri thotë se e ka uruar mbrëmë Hamzën për fitoren

Zgjedhjet Lokale 2021 October 18, 2021 - 11:26

Kandidati i LVV-së për kryetar të Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka reaguar pas rezultatit të zgjedhjeve të djeshme.

Bahtiri ka thënë se në zgjedhjet e djeshme për kryetar komune edhe një herë u tregua se zgjedhjet janë të lira dhe demokratike e me një proces pa asnjë problem.

Ai ka thënë se në këtë garë populli e cakton kush fiton dhe kush humb, ndërsa shtoi se mbrëmë e ka telefonuar kandidatin e PDK-së Bedri Hamzën, të cilit ia ka uruar fitoren, transmeton Zeri.info.

Bahtiri thotë se e ka siguruar Hamzën që gjithçka do të jetë e përgatitur për t'ia përcjellë detyrën kur të vijë procesi i pranim-dorëzimit, ndërsa ka kërkuar që projektet e filluara të mos ndërpriten.

Shkrimi i plotë i Bahtirit:

Në zgjedhjet e djeshme për kryetar komune edhe një herë treguam se zgjedhjet janë të lira dhe demokratike e me një proces pa asnjë problem.

Natyrisht në garë dikush fiton dhe dikush tjetër humb dhe kjo vendoset nga populli. Falënderoj qytetarët që për dy herë radhazi më kanë dhënë besimin mua për të udhëhequr Mitrovicën. Gjithashtu, falënderoj shumë të gjithë qytetarët që edhe kësaj radhe besuan në mua duke më votuar.

Mbrëmë kam telefonuar kundërkandidatin Bedri Hamza, të cilit i urova fitore. Në këtë bisedë të shkurtër, e sigurova që të gjitha punët do të jenë të përgatitura për t'ia përcjellë kur të vijë procesi i pranim-dorëzimit dhe kërkova që projektet e filluara të mos ndërpriten.

Do të jem gjithmonë në shërbim të Mitrovicës!

Me respekt,

Agim Bahtiri